Aleanca e Politikave për Drogën, një grup që ka marrë miliona dollarë nga bankieri ndërkombëtar George Soros, merr meritat për “krijimin e politikave më të avancuara që kanë transformuar rrënjësisht drejtimin e politikës së drogës në SHBA”.
Ky pretendim është i vërtetë. Aleanca ka qenë e rëndësishme në legalizimin e marijuanës në 11 shtete dhe Uashington D.C. Megjithatë, përfitimet e premtuara nga legalizimi i marijuanës nuk janë parë, duke lënë qindra komunitete me më shumë varësi nga droga, vdekje dhe kaos.
Ndryshe nga sa ju thonë propagandistët në Aleancën e Politikave për Drogën, marijuana nuk është një substancë beninje me veti mjekësore. Marijuana krijon varësi, veçanërisht te përdoruesit e rinj. Konsumimi i rregullt i saj është i lidhur me skizofreninë dhe dëmtimet e përhershme të trurit, veçanërisht në korteksin frontal. Ndërsa fuqia e marijuanës është rritur vitet e fundit, ajo është bërë më e dëmshme dhe krijon më tepër varësi.
Ashtu si fundi i prohibicionit rriti shumë konsumin kombëtar të alkoolit, edhe përdorimi dhe abuzimi me marijuanën është rritur kudo ku ajo është legalizuar. Kjo do të thotë që sa herë që Aleanca e Politikave për Drogën ka sukses, ka më shumë të varur nga droga, më shumë dëmtime të trurit dhe më shumë familje të rrënuara.
Po përfitimet e supozuara të legalizimit? A është ulur kriminaliteti tani që është e ligjshme të blesh, shesësh e zotërosh marijuanë? A po bëjnë namin me përfitime nga taksat shtetet që e kanë legalizuar marijuanën? A ka më pak njerëz që marrin opioide dhe fentanil tani që marijuana është opsion i ligjshëm?
Përgjigjet janë jo, jo dhe jo.
Legalizimi i marijuanës e ka rritur dukshëm krimin. Rregulloret e rrepta dhe taksat mbi shitësit legalë të marijuanës kanë krijuar një treg të madh të paligjshëm që ia kalon tregut të ligjshëm falë çmimeve më të ulëta. Dhe meqenëse zotërimi është legal, është virtualisht e pamundur që ta godasësh tregun e paligjshëm.
Kjo i ka lënë komunitetet rurale që kurrë më parë nuk kishin provuar dhunë droge të pambrojtura sepse sherifët e qarqeve të vogla nuk kanë buxhet, staf apo ligje për të goditur fermat e paligjshme të marijuanës. Kjo ka sjellë konflikte të armatosur të lidhur me drogën, grabitje, pengmarrje dhe vrasje në komunitete që nuk i kanë pasur kurrë më parë këto gjëra.
Me tregun e paligjshëm sa dyfishi i atij të ligjshëm, të ardhurat nga taksat për shitjet e ligjshme të marijuanës janë shumë më të vogla nga parashikimet, duke u lënë shteteve fatura të mëdha për shërbimet në rritje kundër varësisë nga droga, por pa të ardhura shtesë për t’i paguar ato.
Studime të fundit konfirmojnë se legalizimi i marijuanës është i lidhur edhe me përdorim më të madh të opioideve dhe vdekshmëri më të lartë. Në vend që të shërbejë si zëvendësues i drogave më të dëmshme, marijuana e ligjshme ka hapur rrugën drejt përdorimit në rritje të tyre.
Soros nuk ka pse shqetësohet për varësinë dhe krimin që ka sjellë mbrojtja që i ka bërë legalizimit të marijuanës. Si miliarder, ai mund të krijojë mbrojtjen e nevojshme kundër këtyre pasojave.
Por ne të tjerët nuk jemi kaq me fat dhe shtetet që kanë mbetur duhet të reagojnë fort kur Aleanca e Politikës për Drogën të nisë përpjekjet për legalizimin e marijuanës edhe tek ata. syri.net