Nga John Schindler, Washington Examiner
Gjatë viteve të fundit, republikanët kanë humbur gradualisht besimin në integritetin jopartiak të FBI-së. Kjo javë ka sjellë më shumë arsye për të dyshuar në aftësinë e FBI-së për të kontrolluar veten.
Ja për shembull marrëveshja për pranimin e fajësisë që i është dhënë Charles McGonigal, agjentit të lartë mashtrues, detyra e fundit e të cilit përpara se të tërhiqej në pension në vitin 2018, ishte të shërbente si shef i kundërzbulimit të zyrës së fuqishme të Byrosë në Nju Jork.
Në një gjykatë federale në Manhattan të martën, i diskredituari McGonigal u deklarua fajtor për akuzat se ka komplotuar për të shkelur sanksionet ndërkombëtare ndaj një oligarku famëkeq rus, Oleg Deripaska, dhe se ka kryer pastrim parash. Megjithëse këto janë akuza të rënda, dhe McGonigal përballet me deri në pesë vjet burg, askush nuk pret që dënimi i tij, i cili do të jepet në fund të këtij viti, të jetë aq i rëndë që kur arriti një marrëveshje për pranimin e fajësisë me Departamentin e Drejtësisë, duke pranuar fajin.
Megjithatë, imazhi i Byrosë është dëmtuar rëndë. Një pjesë e punës së McGonigal si një shef kundërspiunazhi me FBI-në, ishte hetimi i oligarkëve rusë të lidhur me Kremlinin, përfshirë Oleg Deripaskën. Fakti që McGonigal ishte gjithashtu i përfshirë, të paktën në një farë mase, me hetimin famëkeq të FBI-së për lidhjet e fushatës së Trump me Rusinë në vitin 2016, i njohur si operacioni ‘Crossfire Hurricane’, ka bërë që shumë republikanë të nuhasin një mi. Duket sikur Departamenti i Drejtësisë i presidentit Joe Biden, po i jep McGonigal një leje për të shmangur zbulimet e pakëndshme rreth marrëveshjeve të pista të FBI-së që mund të dalin në çdo gjyq. Historia e plotë është edhe më e keqe.
Ana ruse e skandalit të McGonigal është ajo më e buta. Megjithëse media nuk i kushtoi kurrë vëmendjen e duhur, i akuzuari po përballet me më shumë akuza federale që rrjedhin nga marrja e 225 mijë dollarëve nga McGonigal nga një ish-oficer i inteligjencës shqiptare në vitin 2017, kur i akuzuari ishte ende një zyrtar i FBI-së. Ky është në thelb një skandal korrupsioni ballkanik që nuk është trajtuar nga pranimi i fajësisë së McGonigal këtë javë.
Këndi ballkanik këtu është i pakëndshëm dhe ngre pyetje shqetësuese. Siç e shpjegonte me butësi ‘New York Times’ këtë javë, i akuzuari ‘u miqësua me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe përdori pozicionin e tij për të çuar përpara biznesin e huaj për bashkëpunëtorët e tij, sipas aktakuzës së ngritur në Uashington. Në këtë rast, McGonigal hapi një hetim nga FBI-ja për një lobist për rivalin kryesor politik të kryeministrit shqiptar’.
E vërteta, siç ka raportuar ‘Examiner’ në shumë raste, është dukshëm më shqetësuese se kaq. Në këmbim të parave të thata, McGonigal ishte kthyer në një peshë të rëndë për Ramën dhe qeverinë e tij socialiste, duke kërcënuar rivalët e tyre politikë dhe duke zhvatur oligarkët shqiptarë në këmbim të mbrojtjes nga sanksionet e SHBA. Ky ishte një rrjet zhvatjesh sekret, i ngjashëm me mafien, i drejtuar nga një zyrtar i lartë i FBI-së, i cili fitoi dhjetëra milionë dollarë, sipas burimeve të shumta. Taktika të tilla të botës së krimit nuk janë aspak të papritura, pasi, gjatë qeverisjes dhjetëvjeçare të Ramës dhe socialistëve të tij, Shqipëria e vogël është bërë epiqendra e Europës për tregtinë e paligjshme globale të narkotikëve, me mbështetjen e heshtur të Departamentit të Shtetit të Biden.
Edhe pse ajo që quhet ‘afera McGonigal’ në Shqipëri diskutohet gjerësisht, kjo histori tronditëse ka lënë pak përshtypje në mediat perëndimore. Kjo mund të bëjë me faktin se Rama dhe aleatët e tij janë në gjendje të shuajnë historitë e medieve evropiane që raportojnë për korrupsionin dhe lidhjet e tyre me krimin e organizuar ndërkombëtar.
Zyrtarisht, pjesa ballkanike e skandalit ‘McGonigal’ mbetet një çështje e hapur nga prokuroria amerikane në Uashington dhe ende nuk është arritur një marrëveshje për pranimin e fajësisë. Megjithatë, avokati i McGonigal deklaroi gjatë një seance gjyqësore të fundit se ai pret që akuzat në lidhje me Shqipërinë gjithashtu të zgjidhen pa dalë në gjyq.
Sigurisht që duket se zgjidhja është gjetur. “Askush nuk dëshiron të shkojë në atë pikë. Është më e lehtë për të gjithë që të groposin rrëmujën e McGonigal,” ma tha këtë javë një veteran i inteligjencës të Europës Lindore në Uashington. Edhe pse skandali McGonigal nuk është një çështje partiake në pamje të parë, meqenëse mashtruesi i FBI e nisi korrupsionin e tij ndërkombëtar gjatë mandatit të ish-presidentit Donald Trump dhe e vazhdoi atë në administratën aktuale, mund të vëmë bast se Shtëpia e Bardhë e Biden nuk ka asnjë interes të diskutojë se përse është kaq e etur për të mbështetur Ramën dhe qeverinë e tij të korruptuar, edhe në politikën e brendshme shqiptare.
E vetmja shpresë që e vërteta të dalë në shesh është që Kongresi të interesohet për marrëveshjet e pista ballkanike të McGonigal. Edhe pse disa republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve kanë ngritur pikëpyetje për këtë aferë, ka kaq shumë hetime aktuale nga Kongresi për skandalet e lidhura me Biden, sa çështja e McGonigal humbet në labirintin e hetimeve për korrupsion. Kjo është për të ardhur keq, sepse panorama e plotë e mashtrimeve shqiptare të McGonigal është një histori tronditëse, që do trondiste Uashingtonin shumë përtej FBI-së. syri.net