Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur sot një mbledhje komemorative kushtuar aktivistit të saj, Astrit Dehari. Ai vdiq të shtunën në rrethana ende të pasqaruara në qendrën e paraburgimit në Prizren. Të pranishëm ishin edhe familjarët e Astirt Deharit.
Babai i tij, Avni Dehari ka kërkuar që të sqarohen rrethanat e vdekjes së Astritit.
Visar Ymeri, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se i ndjeri Dehari ishte arrestuar dhe paraburgosur përmes rastit të montuar. Lidhur me vdekjen e tij, Ymeri tha se drejtësia duhet të sillet në vend, duke akuzuar drejtpërdrejt autoritetet shtetërore.
“Nuk do të lëmë gur pa lëvizur për ta sjellë drejtësinë në vend edhe për Astritin, e veçanërisht për Astritin. Nuk do të pajtohemi kurrë. Regjimi i instaluar në Kosovë ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë për vdekjen e Astritit dhe për këtë do të përgjigjen. Drejtësia do të vendoset. Këtë drejtësi e kërkon Astriti. Në këtë drejtësi insistojmë edhe ne”, ka thënë Ymeri.
Varrimi i të ndjerit Astrit Dehari do të bëhet sot në Prishtinë.
Astrit Dehari po mbahej në paraburgim si i dyshuar për sulm me granatë ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, që ndodhi në korrik të këtij viti.
Komentet