Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të martën se e zhvilloi “një bisedë të shkurtër” me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, me të cilin, megjithatë, tha se “nuk pati takim dypalësh” gjatë vizitës së tyre në Pekin.
Ai nuk dha hollësi se çfarë kanë biseduar gjatë takimit të martën në kryeqytetin kinez.
Vuçiqi dhe Putini morën pjesë në forumin ndërkombëtar të iniciativës kineze “Belt and Road” në Pekin.
Kjo është hera e parë që ata takohen në të njëjtin vend qëkur Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në mars të vitit 2022.
Serbia është në shënjestër të kritikave nga Bashkimi Evropian, sepse nuk po pranon të vendosë sanksione ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës.
Vuçiq dhe Daçiq për marrëveshjet e nënshkruara me Kinën
Vuçiqi tha të martën në Pekin se qytetarët serbë do ta ndiejnë efektin e nënshkrimit të marrëveshjes së tregtisë së lirë ndërmjet Serbisë dhe Kinës.
Serbia dhe Kina nënshkruan një sërë marrëveshjesh më 17 tetor, ndër të cilat më e rëndësishmja është Marrëveshja e Tregtisë së Lirë.
Vuçiq deklaroi se frutikulturat “do ta kenë më të lehtë të gjejnë tregun e tyre pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje”.
“Qytetarët do të ndiejnë se ekonomia po rritet. Nga kjo jetojmë të gjithë ne, me atë jeton sektori publik. Pagat dhe pensionet varen nga ajo se sa e fortë është ekonomia jonë”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se bisedimet u zhvilluan “me presidentin kinez për thellimin e bashkëpunimit të mëtejshëm në të gjitha nivelet”. Ai nuk dha detaje të tjera.
Vuçiq, po ashtu, ka deklaruar se vizita në Pekin është shfrytëzuar edhe për “të bërë miq në Afrikë dhe Azi”.
Vuçiq, ndërkaq, është duke udhëhequr delegacionin serb në Kinë në forumin ndërkombëtar “Belt and Road” dhe shoqërohet nga ministra të shumtë të Qeverisë.
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, i është përgjigjur kritikave të BE-së për nënshkrimin e marrëveshjes me Kinën.
Duke reaguar ndaj nënshkrimit të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me Kinën më 17 tetor, Bashkimi Evropian njoftoi se Serbia, si kandidate për anëtarësim në BE, u zotua të tërhiqet “nga të gjitha marrëveshjet dypalëshe të tregtisë së lirë” në ditën e anëtarësimit në bllok.
Daçiq tha se BE-ja duhet së pari të përgjigjet kur do t’i bashkohet Serbia bllokut.
“Deri atëherë, ne duhet të bëjmë punën tonë, e cila është në interes të popullit tonë”, tha Daçiq, duke shtuar se Marrëveshja për tregtinë e lirë ndërmjet Serbisë dhe Kinës “është një arritje historike që do të jetë me përfitim të madh për Serbinë në dekadat e ardhshme”.rel