Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka bërë të ditur të hënën se ai dhe ambasadori i Federatës Ruse në Serbi, Aleksandar Bocan-Harchenko, janë pajtuar që dy shtetet të shënojnë së bashku përvjetorin e çlirimit të Beogradit.
“Ne jemi pajtuar që të përkujtojmë së bashku 80-vjetorin e fitores mbi fashizmin dhe çlirimin e Beogradit. Ne kemi diskutuar për temat e interesit të përbashkët, sidomos në fushat si tregtia, kultura dhe siguria rajonale”, ka thënë Vuçiq përmes një postimi në Instagram, pas takimit me ambasadorin rus.
Ai ka thënë se me Bocan-Harchenkon ka biseduar edhe për “situatën aktuale në shtet dhe rajon”.
Përvjetori i çlirimit të Beogradit nga pushtuesi gjerman, shënohet më 20 tetor.
Kryeqyteti i Serbisë është çliruar atëherë prej partizanëve jugosllavë dhe Ushtrisë së Kuqe Sovjetike.
Në 70-vjetorin e çlirimit të Beogradit, të shënuar më 2014, pati marrë pjesë presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Serbia është një prej pak vendeve të Evropës që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë për luftën e nisur në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.
Në disa raste Beogradi zyrtar e ka dënuar agresionin dhe shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës, mirëpo vazhdon të kultivojë raporte të ngrohta me Moskën.REL