Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë pas një takimi me Millorad Dodikun, presidentin e entitetit serb të Bosnje-Hercegovinës, Republika Sërpska, që janë pajtuar për organizim të shpejtë të një takimi të “të gjitha autoriteteve shtetërore” të Serbisë dhe Republikës Sërpska.
Sipas tij, takimi do të mbahet në territorin e Republikës Sërpska në Bosnje.
“E kam dëgjuar presidentin Dodik me vëmendje të madhe, lidhur me të gjitha zhvillimet në Republikën Sërpska dhe në Bosnje-Hercegovinë dhe jemi pajtuar që ta organizojmë një takim të të gjithë trupave shtetërore të Serbisë dhe Sërpskas, në territorin e Republikës Sërpska, sa më shpejt që është e mundur”, ka shkruar Vuçiq në një postim në Instagram më 20 korrik.
Çfarë i ka paraprirë takimit?
Takimi në mes të Dodikut dhe Vuçiqit zhvillohet në kohën e rritjes së kritikave të faktorit ndërkombëtar ndaj Dodikut, kryesisht për shkak të deklaratave dhe veprimeve të institucioneve të këtij entitetit, që konsiderohen destabilizuese për shtetin e Bosnje-Hercegovinës.
Së fundi, Qeveria e Republikës Sërpska ka miratuar ligje për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe që të mos i publikojë vendimet e Përfaqësuesit të Lartë të bashkësisë ndërkombëtare.
Që deklaratat e Dodikut janë kundër perspektivës së anëtarësimit të Bosnje-Hercegovinës në Bashkimin Evropian, e ka thënë të mërkurën edhe kryediplomati i BE-së, Josep Borrell.
“Akti i largimit prej rendit kushtetues duhet të ndalet. Retorika përçarëse, kërcënimet për ndarje, kërcënimet ndaj integritetit territorial dhe madhërimi i kriminelëve të luftës duhet të ndalet, sepse nuk ka vend për diçka të tillë në Evropë”, ka thënë Borrelli në takimin e pestë të Këshillit për Stabilizim-Asociim, Bosnje-BE.
Veprimet e Dodikut i ka kritikuar edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një dëshmi të dhënë para anëtarëve të Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhënie me Jashtë, më 18 korrik.
“Veprimet e vazhdueshme, përçarëse dhe jodemokratike kërcënojnë stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e shtetit dhe gjithë rajonit”, ka thënë ai.
Prej shpërthimit të krizës së fundit në Bosnje, presidenti Vuçiq kryesisht ka qëndruar anash, duke thënë se nuk dëshiron t’i komentojë zhvillimet atje.rel