Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit në Rashkë me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, tha se parakusht për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Duke paraqitur pesë konkluzat e takimit, Vuçiq tha se Asociacioni duhet të formohet “ekskluzivisht në përputhje me marrëveshjet e arritura në Bruksel”.
Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin, më 2013 dhe 2015. Marrëveshjen e fundit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka thënë se nuk është në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit, por mund të harmonizohet me akte ligjore.
Vuçiq tha se Asociacioni është parakusht edhe për hapat e mëtejshëm në dialog si dhe parakusht për kthimin e serbëve në institucione.
Sipas konkluzave të lexuara në fund të takimit me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, do të kërkohet reagimi urgjent i Bashkimit Evropian dhe institucioneve tjera në botë që institucionet në Prishtinë “ta ndërpresin menjëherë shkeljen e marrëveshjes për targat dhe të mundësojnë lëvizjen e papenguar të serbëve, automjetet e të cilëve shfrytëzojnë targa legjitime të Republikës së Serbisë”.
“Nuk kërkojmë asgjë më shumë se Prishtina, pa vonesë, të veprojë në përputhje me marrëveshjet në dialog, si dhe me të gjitha dokumentet tjera relevante të së drejtës ndërkombëtare. Në këtë kuptim, ekipi negociator serb autorizohet që në përputhje me të drejtat që i janë garantuar palës serbe në marrëveshjet e deritashme për targat, të bëjë përpjekje shtesë për gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi për këtë çështje”, theksoi Vuçiq.
Më 2022, në veriun e Kosovës u rritën tensione për shkak të një vendimi të Qeverisë në Prishtinë që të gjitha veturat me targa ilegale serbe, të riregjistroheshin në targa Republika e Kosovës – RKS. Tensionet u ulën pasi palët arritën një marrëveshje në Bruksel, përmes së cilës Prishtina hoqi dorë nga masat ndëshkuese që derivonin nga vendimi për targat, ndërkaq Beogradi hoqi dorë nga lëshimi i targave të reja për makinat që qarkullojnë në veri të Kosovës.
Një prej konkluzioneve të arritura në Rashkë, kërkon edhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu, i banuar me shumicë serbe. Në konkluza thuhet po ashtu se Serbia nuk ka marrë pjesë në vendimin për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e 23 prillit në Kosovë, por se nuk dëshiron të dalë kundër këtij vendimi.
Shtohet se do të kërkohet që zgjedhjet të zhvillohen pas formimit të Asociacionit.
Pika e fundit e konkluzave është se Serbia do të marrë të gjitha “masat juridike, politike dhe ekonomike” për të siguruar mbrojtjen dhe të drejtat e serbëve në Kosovë.
Këto konkluza, sipas Vuçiqit, do të miratohen nga Qeveria serbe dhe institucionet do të jenë të obliguara që t’i respektojnë ato.
Stimuj ekonomikë për serbët në Kosovë
Gjatë takimit në Rashkë, që gjendet në jug të Serbisë, Vuçiq njoftoi për masa ndihmuese për komunitetin serb në Kosovë, që tha se do të financohen nga buxheti serb.
Vlera e përgjithshme e stimujve ekonomikë u tha se është 28 milionë euro dhe do të financohet nga buxheti i Serbisë.
“Në total janë 28 milionë euro, përveç gjithçka tjetër që kemi vendosur deri më tani dhe këto burime financiare janë në dispozicionin e juaj menjëherë. Këto janë gjëra me rëndësi jetike dhe do ta mbrojnë popullin tonë në Kosovë”, tha Vuçiq.
Në këtë takim, që ishte i hapur për publikun, morën pjesë edhe kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, dhe ministra të tjerë serbë.
Në takimin me presidentin e Serbisë mori pjesë edhe Millan Radoiçiq, nënkryetari e Listës Serbe, i cili është nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe për shkak të dyshimeve për korrupsion dhe krim të organizuar. Ai po ashtu kërkohet nga Kosova për dyshimet se është përfshirë në frikësimin e dëshmitarëve në rastin gjyqësor, të njohur si “Brezovica”.
Më herët, presidenti serb kishte deklaruar se rezultati i takimit do të jetë një “platformë e përbashkët” sa i përket zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 23 prill në veri të Kosovës, por edhe “të ngjarjeve të ardhshme”.
Çfarë tha Vuçiq në fillim të takimit?
Në fillim të takimit në Rashkë, Vuçiq tha se serbët në Kosovë janë të “shqetësuar dhe të frikësuar”, gjë për të cilën akuzoi Qeverinë e Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.
“E dimë që ata nuk janë frikacakë. Por ne po përpiqemi të tregohemi konstruktivë që ta ruajmë paqen”, tha Vuçiq, duke shprehur pikëpamjen e tij për gjendjen në veri të Kosovës.
“Kurti është angazhuar çdo ditë që të ndodhin gjëra të shëmtuara, incidente. Por nuk është incident kur shtini në njeriun që ta vrisni”, tha Vuçiq, duke iu referuar plagosjes së një pjesëtari të komunitetit serb në veri të Kosovës nga Policia e Kosovës, më 10 prill.
Fillimisht, Policia e Kosovës kishte mohuar përfshirjen në këtë ngjarje, por më pas njoftoi se ka suspenduar dhe arrestuar katër zyrtarë policorë, njëri prej të cilëve besohet se ka shtënë drejt një qytetari serb.
Thirrje për “unitet” para zgjedhjeve lokale
Duke folur për zgjedhjet lokale në veri të Kosovës, të caktuara për 23 prill, në takim Vuçiq përmendi edhe mospjesëmarrjen e Listës Serbe në këto zgjedhje.
Ai u bëri thirrje qytetarëve në Kosovë që të jenë të bashkuar dhe të sillen sipas vendimeve që do të merren.
“[Kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti do të jetë kryetar i Mitrovicës së Veriut”, tha ai.
Vendimi për zgjedhjet në komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq – është marrë pasi kryetarët e këtyre komunave, bashkë me serbë të tjerë, më 5 nëntor të vitit të kaluar dhanë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, nuk ka aplikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet në veri. Bashkimi Evropian dhe vendet e grupit QUINT – Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Franca dhe Gjermania – kanë shprehur keqardhje pse Lista Serbe, nuk e ka shfrytëzuar të drejtën për të marrë pjesë në zgjedhje.
Në Rashkë, që gjendet në kufi me Kosovën, Vuçiq tha se Kosova është e interesuar që Serbia ta njohë atë de facto dhe de jure dhe se “ata nuk janë aspak të interesuar se kur do të krijohet Asociacioni” i komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Lidhur me targat e lëshuara nga autoritetet serbe për automjetet në Kosovë, Vuçiq tha se pala serbe, më 12 prill, ia ka përcjellë Brukselit “propozimin e fundit që është më shumë se një kompromis”.
“Nëse nuk e pranojnë, ne do të zbatojmë masa që do të jenë përgjigje domethënëse dhe serioze ndaj palës që përdor forcën dhe aparatin e saj të represionit, mbi të gjitha në veri të Kosovës”, tha Vuçiq.
Kosova konsideron se targat e lëshuara nga autoritetet serbe janë të paligjshme. Shumica e targave të tilla janë në veri të Kosovës. Për këtë kontest, ndër të tjera, Beogradi dhe Prishtina po negociojnë në Bruksel me lehtësimin e Bashkimit Evropian.
Përfaqësuesit e Serbisë dhe Kosovës arritën marrëveshje në Ohër, e cila përfshin “njohjen reciproke të shenjave të regjistrimit”, por riregjistrimi i automjeteve me targa serbe në targa të Kosovës, është bllokuar.