Kryeministri serb Aleksandër Vuçiq deklaroi në një intervistë për të përditshmen gjermane “Süddeutsche Zeitung” që, pavarësisht se shteti i tij nuk e njeh Kosovën, kjo nuk e ka penguar rajonin të ruajë stabilitetin.
I pyetur nëse do të çonte në referendum ndryshimet kushtetuese për statusin e Kosovës, Vuçiq tha se populli serb nuk do ta pranonte kurrë një gjë të tillë.
Por sipas tij, marrëdhëniet mes palëve nuk do të cenohen, edhe për shkak të përmirësimit të marrëdhënieve me Shqipërinë.
Madje Vuçiq kujton vizitën e Ramës në Beograd menjëherë pas ndeshjes së futbollit nëntorin e kaluar si shembull për përmirësimin e klimës në Ballkan, ndërsa konfirmon se do të shkojë në Shqipëri për takimin e kthimit të kualifikueseve të Euro 2016.
Gjatë vizitës së tij në Bavari, ku është takuar me kryeministrin e landit më të pasur gjerman, Hërst Zehofer, dhe investitorë të ndryshëm vendas, Vuçiq ka kërkuar më shumë mbështetje për Ballkanin, ndërsa ritheksoi edhe një herë që Serbia i mban sytë nga Bashkimi Evropian dhe jo nga Rusia.
Komentet