Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se “nuk kemi dëgjuar asnjëherë nga vendet e Bashkimit Evropian që njohja reciproke të kërkohet si qëllim i dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, por se e kupton që edhe kjo po ndryshon.
“Askush nuk ka folur ndonjëherë për njohje reciproke, përveç amerikanëve që e miratuan atë doktrinë saktësisht tre vjet më parë”, tha Vuçiq pas takimit në Beograd me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.
Ai tha se gjërat po ndryshojnë në përputhje me atë që po ndodh “në disa pjesë të tjera të Evropës”.
“Nëse mendoni se duhet të na kërcënoni sepse ne po përpiqemi të ruajmë rendin e Kombeve të Bashkuara ose sepse duam të arrijmë një zgjidhje kompromisi, ne nuk kemi asgjë kundër”, tha Vuçiq, duke shtuar se Serbia kurrë nuk e ka refuzuar dialogun.
Ndërkaq, kancelari gjerman, Olaf Scholz, theksoi në Beograd se qëndrimi i Gjermanisë për çështjen e Kosovës është i qartë dhe i njohur prej vitesh dhe shtoi se tani është e nevojshme që “të gjithë në proces të bëjnë përpjekje për të bërë përparim”.
“Shpresoj se do të marrim një raport për këtë progres. Hap pas hapi, të dyja palët duhet të kontribuojnë në të dhe janë përgjegjëse për të mos bllokuar asgjë, për të mos shtyrë takimet dhe për të bërë një sërë hapash të vegjël që do të çojnë në qëllimin përfundimtar”, tha ai.
Lideri gjerman tha se pret nga shtetet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian që t’i bashkohen bllokut në sanksionet kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.
“Është e rëndësishme që sa më shumë vende t’i bashkohen sanksioneve, sepse është një instrument që ndihmon Ukrainën. Sanksionet janë shumë efektive, shumë më efektive pas sanksioneve të vendosura pas aneksimit të Krimesë në 2014”, tha Scholz.
“Paketa e gjashtë e sanksioneve të BE-së kundër Rusisë nuk do të zhduket vetëm pas luftës, por është një kusht për përmirësimin e situatës në mënyrë që Rusia të pranojë faktin se nuk mund të diktojë paqen, por duhet të negociojë dhe të bie dakord me Ukrainën për një marrëveshje që do të mbrojë integritetin e Ukrainës”, shtoi lideri gjerman.
Scholz po qëndron në Beograd pasi disa orë më parë u takua në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Scholz : Marrëveshja me Serbinë duhet të zgjidhë çështjen e njohjes së Kosovës
Ai në Prishtinë tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, duhet të zgjidhë çështjen e njohjes së Kosovës.
Në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Scholz tha se për dialogun duhet qëndrim konstruktiv, duke shtuar se një marrëveshje përfundimtare do të kontribuonte në stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
“E qartë është që marrëveshja në fund duhet të zgjidhë edhe çështjen e njohjes së Kosovës, sepse është e paimagjinueshme që dy vende, të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën të bëhen anëtare të BE-së”, tha Scholz.
Kancelari gjerman tha se në kohën kur po vazhdon pushtimi rus i Ukrainës, zgjidhja e çështjes së Kosovës dhe Serbisë bëhet edhe më e rëndësishme.
“Me rëndësi për Kosovën është që dialogu i ndërmjetësuar nga BE midis Kosovës dhe Serbisë të çohet përpara. Në kohëra si kjo, vlera e sigurisë dhe lirisë na bëhen më të qarta… është një arsye edhe më e shumë dhe më e rëndësishme që Kosova dhe Serbia përmes një marrëveshjeje përfshirëse dhe të qëndrueshme të gjejnë një zgjidhje politike e cila kontribuon në stabilitetin rajonal”, tha Scholz.
“Dialogu është rruga që i hap Kosovës perspektivën e mëtejme evropiane. Një qëndrim konstruktiv në këtë dialog është në interes të të gjithë qytetarëve në Kosovë. Një marrëveshje politike midis dy vendeve është një kusht i rëndësishëm për investime, për vende pune dhe me këtë edhe për perspektivën e të rinjve në Kosovë”, shtoi ai.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011 dhe procesi ka për qëllim që të normalizojë raportet midis dy vendeve. Kosova kërkon që marrëveshja përfundimtare të përfshijë njohjen reciproke, ndërkaq Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi.
Ndërkaq, i pyetur për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën nëse kanë ndërmarrë diçka që t’i bindin shtetet skeptike, kancelari Scholz tha:
“Ne angazhohemi që liberalizimi i vizave të vijë sa më shpejt, pasi kushtet janë plotësuar dhe për këtë flasim me partnerët tanë që edhe ata të binden siç jemi bindur ne”.
Tregu i përbashkët, prioritet i lartë për Gjermaninë
Scholz tha se Qeveria gjermane e ka vendosur prioritet ndihmën për shtetet e Ballkanit Perëndimor që të përafrohen me Bashkimin Evropian. Kjo tha se do të bëhet përmes Procesit të Berlinit, që Gjermania ka nisur më 2014.
“Dëshiroj që së bashku me partnerët tanë, në kuadër të Procesit të Berlinit ta rijetësoj atë këtë vit dhe në vjeshtë do të thërras një konferencë në Berlin. Rajoni duhet të përparojë referuar krijimit të një tregu të përbashkët rajonal dhe katër marrëveshjet e rëndësishme për lëvizjen e lirë, të njerëzve, për njohjen e diplomave profesionale duhet të lidhen shpejt”, theksoi ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Procesi i Berlinit do të përshpejtojë reformat dhe do të sjellë gjashtë shtetet e Ballkanit më pranë bllokut evropian.
I pyetur për pozicionin e Gjermanisë për nismën rajonale, “Ballkani i Hapur” dhe sa mund të dëmtojë kjo iniciativë marrëveshjet në kuadër të Procesit të Berlinit, Scholz tha se tregu i përbashkët është një prioritet i lartë për Gjermaninë, një çështje që duhet përmirësuar.
“Të gjithë duan të anëtarësohen në BE dhe aty edhe ashtu ka rregulla të lirisë së lëvizjes. Kushdo që dëshiron të anëtarësohet në BE duhet ta respektojë këtë”, tha lideri gjerman.
Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria bëjnë pjesë në nismën “Ballkani i Hapur”. Kosova e kundërshton atë, ndërkaq Mali i Zi dhe përfaqësues të Bosnjë e Hercegovinës, kanë shprehur dëshirën që t’i bashkohen kësaj nisme.
Scholz kërkon që Serbia të vendosë sanksione ndaj Rusisë
Scholz, po ashtu, tha se me kryeministrin Kurti është biseduar për pozicionimin e qartë të Kosovës lidhur me sulmet ruse në Ukrainë.
“Lufta e agresionit rus kërkon një qëndrim të qartë dhe një përgjigje të prerë ku z. Kurti dhe Qeveria e Kosovës nëpërmjet mbështetjes së të gjitha masave dhe sanksioneve, ka treguar se Kosova, si partnere e besueshme, qëndron në anën tonë dhe në anën e bashkësisë evropiane dhe ndërkombëtare”, theksoi ai.
Në këtë kuadër, ai u pyet edhe për qëndrimin e Serbisë, shteti i vetëm në rajon që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga blloku për ta bërë një gjë të tillë. Kancelari gjerman tha se të gjitha shtetet që synojnë BE-në duhet të harmonizojnë qëndrimet me bllokun.
“Këtu bën pjesë po ashtu që të kemi një politikë të përbashkët kundrejt vendeve të tjera. Këtu përfshihet edhe regjimi i sanksioneve që BE-ja ka vendosur ndaj Rusisë dhe kjo duhet të pranohet nga një vend i cili synon të anëtarësohet”, tha ai.
Kurti: Do të aplikojmë për statusin e vendit kandidat në BE
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kërkoi ndihmën e Gjermanisë për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian, por edhe në Programin për Partneritetin për Paqe të NATO-s.
“Ne kemi aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Sivjet planifikojmë po ashtu që të aplikojmë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim pra në Bashkimin Evropian dhe kërkojmë mbështetjen e të gjithëve për këtë”, tha Kurti.
Kurti po ashtu tha se nuk është kundër që Ukraina – shtet që po përballet me pushtimin e Rusisë – të marrë statusin e shtetit kandidat, por kërkoi që as Ballkani Perëndimor të mos lihet jashtë zgjerimit të BE-së.
“Bashkimi Evropian është fati ynë, Evropa është kontinenti ynë dhe ne duam një Kosovë evropiane, një Ballkan evropian. Pra, një Ballkan evropian pa orientime e formulime të tjera për Ballkanin”, tha ai.
Vizita në Kosovë e kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, është pjesë e turit të tij në Ballkan.
Scholz në Kosovë, po ashtu, ka vizituar edhe trupat gjermane që shërbejnë në kuadër të KFOR-it.
Fokusi i udhëtimit është perspektiva e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE, si dhe kontributi i Gjermanisë në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 4 maj ishte në Gjermani për një vizitë zyrtare me ftesë të kancelarit gjerman, Olaf Scholz.
Ky ishte takimi i parë i kryeministrit Kurti me kancelarin Scholz. Në një konferencë të përbashkët për media pas një takimi që kishin realizuar të dy liderët pa praninë e mediave, Scholz kishte theksuar se çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhen hap pas hapi me idenë që të kulmojë në paqen dhe stabilitetin rajonal.
Mes tjerash Scholz pati theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe krijimit të një tregu të përbashkët rajonal brenda Procesit të Berlinit.
Pas vizitës në Kosovë dhe Serbi, Scholz të shtunën ai viziton Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë, në kuadër të turneut të tij në Ballkanin Perëndimor.
Komentet