Vizita e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç në Manastirin Banjsa në Kosovë
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka arritur në Kosovë, ku do të qëndrojë për vizitë njëditore. Presidenti serb, me eskortën e tij, ka hyrë në Kosovë, përmes pikës kufitare në Jarinjë, rreth orës 10 e 45 minuta.
Vizita e Vuçiqit në Kosovë pason katër ditë pas vrasjes së Oliver Ivanoviçit, siç ka paralajmëruar ai, për të biseduar me serbët.
Sipas planit të vizitës është paraparë që Vuçiq, fillimisht po qëndron në veri të Kosovës, ku po viziton Manastirin e Banjskës,e më pas do të qëndrojë në Fakultetin e Shkencave Teknike në Mitrovicën veriore, në një takim të mbyllur, do të bisedojë me përfaqësuesit politik dhe institucional të serbëve të Kosovës.

Vuçiq në Manastirin e Banjskës
Ndonëse në agjendën e tij nuk është paralajmëruar, pritet që Vuçiq të vendosë kurorë para zyrës së Iniciativës qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, aty ku është vrarë lideri i këtij subjekti politik, Oliver Ivanoviq.
Më pas, është paraparë që Vuçiq të udhëtojë për në pjesën qendrore të Kosovës, në Graçanicë dhe Llapna Sellë, ku do të bisedojë me banorët lokal.
Siç ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë shefi i operativës i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Zheljko Bojiq, policia do të zbatojë planin operativ të veçantë, me rastin e vizitës së presidentit serb.
Me urdhër të Drejtorisë kryesore të policisë, policia rajonale e veriut ka hartuar planin operativ për këtë vizitë, për zbatimin e të cilit është paraparë angazhimi i një numri të madh të pjesëtarëve të policisë, ka thënë Bojiq.
Ndonëse më herët ishte paralajmëruar që Vuçiq do të qëndroj dy ditë në Kosovë, ai do ta përfundojë vizitën të shtunën, pas takimit me qytetarët lokal në Llapna Sellë.
Kjo është vizita e shtatë e Vuçiqit në Kosovë në pesë vitet e fundit, ndërkaq e para në cilësinë e presidentit të Serbisë.
Komentet