Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të mërkurën se ai nuk do të pranojë që e gjitha që Serbia e ka investuar të bëhet pronë e shqiptarëve, sipas tij, “siç ata tentojnë ta shtyjnë”, shkruan sot Koha Ditore.
Vuçiq ka thënë se ai këtë as nuk e dëshiron, as nuk do ta pranojë.
“Nuk kam të drejtë të pajtohem me këtë, dhe nuk mundem, dhe nuk dua, dhe nuk ekziston ajo gjë në rruzullin tokësor që mund të më detyroj në këtë”, ka thënë Vuçiqi para gazetarëve në ndërtesën e Qeverisë së Serbisë në Beograd, një ditë pas raundit të dialogut në Bruksel.
“Ashtu si na kanë marrë nga ‘Trepça’, nga Qendra e Skijimit në Shtërpcë, dhe në të gjitha tjerat, ashtu ata tani duan me nënshkrimin tonë të na e marrin Gazivodën dhe tërë rrjetin e largpërçuesve”, ka thënë Vuçiqi.
Liqeni i Gazivodës shtrihet në veriperëndim të Kosovës dhe andej kufirit në shtetin fqinjë Serbinë. Ky liqen është më i madhi në Kosovë me një sipërfaqe prej 11,9 km² dhe thellësinë maksimale prej 105 metrash. Është liqen artificial i ndërtuar në luginën që krijon lumi Ibër. Nga liqeni akumulues është ndërtuar Hidrocentrali i Ujmanit me dy gjeneratorë me fuqi të instaluar prej 19 MW.
Komentet