Voal – Don Ernest Troshani ishte prifti i vetëm që gjatë vizitës së tij në Tiranë ur e Papa Franceskut i ka rezervuar një seancë të posaçme dëgjimi. tani Ati i Shenjtë e shpalli kardinalin e dytë shqiptar.
Don Ernest Troshani megjithë kalvarin e diktaturës mbahet mirë, madje është në gjëndje të drejtojë një meshë, si dhe të presë besimtarë në shtëpinë e tij, në fshatin Trush të komunës Bushat të Shkodrës.
Kryen shërbesa në Famullinë e Shën Prendës, ndërsa banesën e tij, një ndërtesë të vjetër një katëshe, e ka shndërruar në tempullin e ekzorcizmit, ku praktikon një rit të vjetër fetar nëpërmjet të cilit synohet nxjerrja e djallit nga trupi i njeriut.
Në këtë rrënojë, me një altar të improvizuar, Dom Ernest Troshani ka gjetur paqen me Zotin, duke predikuar çdo ditë fjalën e Krishtit për të fituar jetën e amshume.
Dhimbjen, torturat e kaluara nëpër burgjet komuniste, thotë se i ka harruar. Ata që dëshmuan kundër tij për t’a burgosur në moshën më të bukur të jetës, 35 vjeç, i ka falur.
“Kur ju them që do më fusin brenda, një ndër miqtë më të dashur më thotë, “po këta janë kriminela, këta janë të poshtër, këta duan të shkatërrojnë kisha dhe xhamija. Duan të rrënojnë Krishtin. Ishte një mik i imi që kishtë ngrënë dhe pirë disa herë në shtëpinë time. Me thotë çfarë thua ti për ta? Për ta them fjalën që na ka mësuar Krishti, me i fal armiqtë, me i dashtë armiqtë, me u lut për armiqtë.
S’kemi si ti zëmë emrat në gojë, bëhet fjalë para 50 vitesh. S’jemi duke bërë hetuesi për të zbuluar punët e tyre. Ata i ka falur i madhi Zot ishalla të gjithë. Nuk e di a janë gjallë, por Zoti i bekoftë. Po me çfarë kam dëgjuar pastaj, e kishin pësuar, jo për punën time, por jeta e tyre ishte ashtu. I pastë falur i madhi Zot” thotë ai.
Sot jeta e Dom Troshanit është përkushtim dhe vetmohim në emër të Krishtit, ashtu siç ishte që ditën e parë, kur shkeli këmbë në Urdhërin Françeskan, kur ishte vetëm 10 vjeç.
“Klerikatin që kemi qenë si klerikë në vitin 1946, përpara se të na arrestonin. Ne të tre jemi gjallë. Prej të madhit Zot unë pothuajse prej 70 vjetësh i mbështetur prej Shpirtit të Shenjtë, shkeputur nga familja, duke i shërbyer kishës në kolegjin françeskan që nga 1938. Atëherë profesorët tanë kanë qënë të gjithë pothuajse me nga dy Doktoratura.
Ata kanë kaluar tashmë në jetën e vërtetë. Po profesorët kanë qënë Padër Donat Kurti, Padre Agustin Ashiku, Padër Davidi, kanë qënë shumë , ku më shumë se 70% u pushkatuan. Si kryetari i Partisë Demokristiane i ashtuquajtur e të tjerë me radhë. Profilet ishin kulturë, filozofi, metafizikë, logjikë, psikologji eksperimentale”.
Djaloshi shkodran duket se kishte zgjedhur jetën më të papërshtatshme për t’ju përkushtuar Krishtit. Ishte vetëm 20 vjeç kur nisi kataklizma në Kishën Shqiptare.
Komunistët e ardhur në pushtet pushkatuan At Anton Arapin dhe dënuan me vdekje At Gjon Shllakun, arrestuan At Çiprian Nikën e qindra klerik të tjerë.
“Në ’48, pas10 viteve , akoma pa përfunduar të gjitha studimet teologjike, pushkatuan Fretnit. Deshi Zoti dhe asaj radhë shpëtova. Arrestuan profesorat tonë të parët, madje drejtorin e kolegjit,i cili ishte Padre Çiprian Nika.
Padre Anton Harapin e pushkatuan në ’46. Dhe të tjerë me radhë. Gjatë viteve ’49, për 3 vjet natyrisht më futën si mësues. Për të jetuar i mësojë katekizëm fëmijëve edhe 4 katër orë mësim deri në ’51”.
Dhe pse qeveria e asaj kohe, nëpërmjet një statusi të dhënë Kishës, lejonte të drejtën e besimit, Dom Ernest Troshani, kujton se asnjë prej klerikëve nuk pranoi vendimin, kusht i vendosur për Kishën Shqiptare në vitin 1952.
“Pastaj në ’52 u bë mbledhja e të gjithë klerit, qeveria donte të na shkëpuste nga Vatikani, në Romë. Ne nuk e pranuam kurrë”.
Për regjimin e kohës që për Zot kishin Partinë, të flisje në emër të Krishtit e të mbaje meshë, ishte një krim që ndëshkohej me vdekje.
Komunistët zgjodhën ditën e Krishtlindjes se 1963, për ti vënë prangat teksa mbante meshë.
“Jam arrestuar në vitin 1963. Ndodhi që u vra edhe Xhon Kenedi 3 javë përpara. I Shenjti Papa i VI që ishte atëherë, dha urdhër që të mbahej meshë për shpirtin e tij.
Gjatë mbajtjes së meshës për popullin, kur Kisha ishte plot, në orën 8 të mëngjesit-ndoshta për të bërë presion në popull- 4 veta më vunë hekurat. Me shtrënguan duarsh me dhunë. “Në emër të popullit je i arrestuar” dhe më sollën dekretin e pushkatimit. Ishte vendim i brendshëm i sigurimit, sepse medemek feja ishte e lirë në statut”.
Me akuza të sajuara, nga dëshmitarë që Prifti thotë se hynin e dilnin në shtëpinë e tij, e ishin miqtë ma të mirë, pas një muaj hetuesi dënohet me 18 vjet burg.
“Më vunë hekurat , kaq fort i shtrënguan, sa më penguan rrahjet e zemrës. Vetëm që të më detyronin të bëja ndonjë akuzë nga ana fetare, kundër eprorëve, për të marrë në qafë persona të tjerë. Por unë s`pranova kurrë. Bëhej fjalë për Ipeshkvin, kryetarin e kishës, edhe për disa gjëra fetare të tjera. Por unë s’kisha si ti pranoja sepse janë dogmatika hyjnore.
Atëherë e pashë që isha i mbaruar, derisa më erdhi fjala -nga byroja e brendshme-në birucë, aty ku isha, që të është falur jeta. Më dënuan me 18 vjet me burg, medemek isha kundër kooperativave. Fjalë boshe ishin të gjitha. Trupi gjykues, prokurori, avokati, e lanë për 18 vite dënim. Më pas ambientohet njeriu me të gjitha. Të jep Zoti shëndët e mend dhe çan përpara”.
Birucat e sigurimit në degën e Shkodrës së Ministrisë së Brendshme ishin më të tmerrshmet. Në kampet e burgimit, si Rubik, Laç, Elbasan dhe Spaç, thotë se pa vdekjen me sy.
Shpirtin e mbante gjallë me 600 gramë bukë e ujë. Ditën duhet të nxirrte 14 vagona me krom nga 1500 metra nën tokë.
“Vetë qëndrimi aty brenda ishte i pamundur. Pa dritare, të ftohta, me merimanga, me çimento, e gjitha 2 metra, pa asnjë formim jetësor. Banjo nuk kishim, kishim qypin brenda në qeli. Në një dhomë qëndronim 50 veta, krevate me dërrasa, dyshekët prej kashte të grisur, erë e qelbur, por duhej ndihma e të madhit Zot që të të ruante.
Dom Simoni, qoftë në Parajsë sepse ka ndërruar jetë, ka ardhur 6 muaj pas meje por e patën dërguan në Burrel. Unë jam nënshtruar për të bërë çdo punë , sa më të vështirë dhe sa më të përvuajtur, në emër të Zotit dhe për hatër të Zotit. Unë duhet të mbaja nga poshtë 180 thasë nga gjysëm kuintal secili, për ti dërguar lart. Ishte norma ta mbaje nga poshtë dhe ta dërgoje 8 metra lart.
Në Spaç u hap miniera e re dhe aty kishte hapësira 1500 metra horizontale dhe 500-800 metra vertikale. Aty ishte piriti, tritolat. Ishim 600 puntorë me 3 turne. Kishte momente që humbnim idenë a ka botë, a ka jetë, a ka njerëz? ishim në errësirë totale. Nxirrnim ar. U bënte natyra dhe horizonti një botë e arit e gjitha, një bukuri e rrallë që mbeteshe pa mend nga pluhuri i arit kur thahej ari. Katër vagona ishin në fillim, por puntorët për të fituar diçka më shumë, 10-12 mijë lekë më shumë, e rritën e bën 6, e bën 8 deri në 12 vagona.
Hyrja në minierë ka qënë e tmerrshme. Vetëm të ndihmon Zoti. Duke ecur 1000-1500 metra brenda. Piriti ishte pak i rrezikshëm, se ishte dhe kristal edhe pluhur. Ai të tradhëtonte. Ka qënë një djalë me emrin Kolë Mala, i shkreti ishte 26 vjeç, hapet një vrimë në tavanin e minierës, dhe ai nëvend që të dilte nga aorta e minierës që të çonte jashtë, kaloi në anën tjetër. E zuri pluhuri i piritit. I zuri hundën, veshët dhe gojën, e mbyti dhe vdiq në këmbë.
Pas 12 viteve erdhi Dom Martini , që ka vdekur, qoftë në Parajsë, pastaj Dom Zef Simoni që ka vdekur. Më ka ardhur nëna të më takojë dy here në vit, me dy kilogram djathë, asgjë tjetër”.
Revolta e Burgut të Spaçit e 21 Majit te 1973, është dita më e vështirë e jetës së tij. Dom Troshani kujton se gjithçka nisi nga një keqkuptim i të burgosurve mbi liritë e dhuruara nga regjimi komunist.
“Kur Fadil Paçrami, Beqir Balluku dhe disa të tjerë, krijuan një farë lirie shtypi dhe u duk sikur gjërat do të ndryshonin për mirë, filluan edhe këta të shkretët se ishalla po bëjmë diçka. Unë duke ju thënë “çfarë bëni mor miq dhe dashamirë. Këtyre s’ka çfarë të ju bëjë as Bashkimi Sovjetik, as Amerika, askush. Këta kanë fuqinë e vet. Shikoninënat, gratë dhe fëmijët tuaj, mos i merrni në qafë”, I këshillova unë.
Atëherë nja 4 veta që që nuk pranuan të dorëzoheshin, të shkretët i pushkatuan. Në këtë kohë më kishin akuzuar mua për nxitësin e revoltës. Mirëpo ata i kishin filmuar dhe regjistruar të gjitha. Ngrihet dhe thotë para 3 mijë vetëve: Me pushkatu të gjithë klerin, të gjitha kishat, s’kemi frikë asnjëri.
Për pushkatim isha unë edhe 12 djem katolik. Sikur kanë bashkëpunuar, por unë as nuk i njihja. S’kisha besim, sepse mund t’i shpëtonte goja nga dhuna, e detyrohej se s’kishte shpëtim”.
Në dhjetor të vitit 1981 fiton lirinë. Shqipërinë dhe Shkodrën e kishte harruar. Sytë i panë vetëm mjerim dhe njerëz që jetonin me frikën e vdekjes.
“Me 20 dhjetor të ’81 më liruan. Kam bërë 12 orë rrugë. Nga ora 10 e mëngjesit deri në 10 të darkës. Po vdisja nga të ftohtët. Më shpëtoi Zoti, se isha duke mbaruar rrugëve, i pa veshur, me pantallona doku. Shkodra ishte e rrënuar. Ishte natë kur mbërrita, nuk dija të gjeja as shtëpinë.
Isha i dënuar për të punuar vetëm kanalet e banjove. Ashtu duhej të punoje. Të mbyllje gojën, të merrje kazmën dhe të ecje përpara. Kur e bënim kanalin 10 metra të gjatë, 1 metër të lartë, 1 metër të gjerë, as ne nuk e kuptonim. Si të çmendur. Mbaro normën, dhe ik” .
Liria e vërtetë për Priftin që u shndërrua në punëtor komunaleje, është kur shqiptoi meshën e parë në Famullinë e tij, në qershor të vitit 1990.
“Të kemi thirrë për të njoftuar se feja do të hapet, kisha do të hapet. Pastaj shkova në Velipojë , bëra meshën me tërë popullin.
U realizua mesha e parë me 30 qershor të ’90, pastaj më ka ndihmuar Zoti në 110 katunde. Pajtime gjaqesh nja 60 e ca gjaqe me kryq të Krishtit, me besën e Krishtit të gjithë, këto shërime janë të përditshme”.
Dom Troshani nuk pranon të përmendë asnjë emër në këtë intervistë të rrallë televizive. Pohon se i ka faluar ata që dëshmuan kundër tij, ata që e torturuan, ata që i ngritën akuza.
I ka falur të gjithë, edhe pse askush nuk ka trokitur në këtë shtëpi të rrënuar në fshatin Trush, për t’i kërkuar falje për vitet që i morën. Por komunizmi nuk ja preku dot zemrën dhe besimin.
Komentet