Policia e Vlorës tha se Administratori i Njësisë Administrative Kotë, në Vlorë, Argjil Gjoka u vra me armë zjarri, ndërsa një person tjetër mbeti i plagosur.
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje zyrtari vendor ndërhyri për të shuar një konflikt mes të paktën tre personave gjatë punimeve të një rruge në një zonë rurale, por u qëllua me armë zjarri nga një prej personave të përfshirë në konflikt dhe humbi jetën në spitalin civil.
Policia e Vlorës njoftoi për incidentin me një të vrarë dhe një të plagosur, por nuk dha hollësi për motivet e konfliktit dhe autorin e krimit. Disa muaj më parë po në këtë njësi administrative ishte vrarë me armë zjarri administratori i mëparshëm.
Vlora vazhdon të mbetet zona me kriminalitetin më të lartë në Shqipëri, i cili lidhet jo vetëm me përplasjet që lidhen me trafikun e drogës por edhe konfliktet e pronësisë.
Në raportimin e saj të fundit në Parlamentin shqiptar mbi kriminaliteti në vend gjatë vitit 2018 Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku pohoi pak ditë më parë se Vlora ishte zona me kriminalitetin më të lartë në vend. Zonja Marku apeloi për një bashkëpunim mes organeve ligjzbatuese për goditjen e krimit në qytetin bregdetar.
Komentet