Policia e Kosovës bëri të ditur se dy persona kanë humbur jetën në një incident me armë zjarri në qytetin e Pejës, rreth 85 kilometra në perëndim të Prishtinës.
Policia tha se si pasojë e të shtënave tre persona janë plagosur dhe janë dërguar në spitalin Rajonal në Pejë. “Nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e dy viktimave të këtij rasti. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet kompetente të Policisë së Kosovës, gjithashtu edhe prokurori i shtetit, të cilët po kryejnë ekzaminimet në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë por pa dhënë më shumë hollësi për ngjarjen.
Policia nuk bëri të ditur identitetin e viktimave por Partia Demokratike e Kosovës përmes një njoftimi tha se personat e vrarë janë kandidati i këtij subjekti për kryetar të komunës së Pejës, Astrit Ademaj dhe Blerand Kadrijaj, ish kandidat për kryetar të Komunës së Deçanit në zgjedhjet e vitit 2017.
Kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri u tha mediave lokale se sipas informacioneve se vrasja e dyfishtë ishte pasojë e një konflikti të çastit ndërmjet dy viktimave.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha përmes rrjeteve sociale se policia e Kosovës tashmë ka arrestuar personin e plagosur në ngjarjen në qytetin e Pejës. Ai tha se ndriçimi i kësaj ngjarjeje do të jetë përparësi e punës së institucioneve të sigurisë.
Ngjarja ka ngjallur reagime të shumta të udhëheqësve te institucioneve të cilët bën thirrje për ndriçimin e saj.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se “me trishtim e mora lajmin për ngjarjen e sontme tragjike në Pejë, në të cilën humbi jetën një kandidat i PDK-së për kryetar të Pejës dhe ish-kandidat për kryetar të Deçanit. Ftoj organet e rendit për zbardhje të rastit të kësaj vrasje të dyfishtë!”, thuhet në reagimin e presidentes Osmani.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ngjarja e rëndë në qytetin e Pejës është tronditëse . “U shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave, miqve dhe bashkëpunëtorëve nga Partia Demokratike e Kosovës. Në këto momente të vështira bashkëndjejmë me dhimbjen e tyre për këtë humbje kaq tragjike”, thuhet në reagimin e kryeministrit Kurti.
Vrasja ndodhi pak ditë para fillimit të fushatës zgjedhore për pushtetin komunal që pritet të mbahen më 17 tetor të këtij viti.
Komentet