Dy ukrainas të akuzuar për bashkëpunim me autoritetet ruse janë vrarë, njëri nga të shtënat në afërsi të Moskës dhe tjetri nga një bombë në makinë në Luhansk të Ukrainës-pjesë e pushtuar nga Rusia.
Burime ukrainase të zbatimit të ligjit i thanë Radios Evropa e Lirë se Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) “likuidoi” ish-deputetin ukrainas Illya Kyva duke e qëlluar për vdekje në një operacion special më 6 dhjetor.
Raportet e mediave në Rusi thanë më herët se Kyva u gjet i vdekur pranë Moskës.
Kyva ishte i njohur për qëndrimin e tij pro-rus. Në muajin nëntor, një gjykatë në qytetin perëndimor të Ukrainës, Lviv, e dënoi atë në mungesë me 14 vjet burg, pasi e shpalli fajtor për tradhti të lartë.
Pasi Rusia nisi pushtimin e saj, të vazhdueshëm, të paprovokuar të Ukrainës në shkurt 2022, Kyva u transferua në Rusi ku mori pjesë në shfaqje televizive pro-Kremlinit dhe në tryeza të rrumbullakëta.
Vdekja e Oleh Popov, një ish-deputet de facto në një pjesë të rajonit të Luhanskut të Ukrainës të pushtuar nga Rusia, u raportua gjithashtu më 6 dhjetor. Popov u vra nga një mjet që shpërtheu në makinën e tij në qytetin e Luhansk.
Komiteti Hetimor tha në një deklaratë se filloi një hetim për vdekjen e Popov.
Popov kryesoi komitetin qeveritar të instaluar nga Rusia për sigurinë dhe mbrojtjen e shtetit, agjencitë e zbatimit të ligjit, sistemin gjyqësor dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Yury Yorov, një anëtar i parlamentit de fakto në Luhansk, u citua nga Interfax të ketë thënë se në shtator të vitit 2022 u bë një tentativë për vrasjen e Popovit që ai tha se ishte organizuar nga SBU.
Disa shtetas ukrainas, të akuzuar për bashkëpunim me autoritetet okupuese ruse, janë vënë në shënjestër vitet e fundit dhe disa prej tyre janë vrarë.
Së fundmi, një ligjvënës de fakto i asamblesë rajonale të instaluar nga Rusia në Luhansk, Mykhaylo Filiponenko, u vra muajin e kaluar në një bombë me makinë. Përgjegjësinë për atë vrasje e mori drejtoria kryesore e Inteligjencës e Ukrainës.
Rusia ka akuzuar shërbimet speciale ukrainase për organizimin e atentateve. Kievi rrallë merr përgjegjësinë për sulmet.
Disa ditë përpara se Rusia të fillonte pushtimin e saj të vazhdueshëm, udhëheqësit separatistë të disa pjesëve të mbështetura nga Kremlini, të rajoneve të Luhanskut dhe Donetskut të Ukrainës i kërkuan presidentit rus Vladimir Putin të njohë pavarësinë e dy rajoneve nga Ukraina.
Ligjvënësit rusë në mesin e shkurtit 2022 gjithashtu i bënë thirrje Putinit të njohë Luhanskun dhe Donetskun- pjesët e kontrolluara nga separatistët, si shtete të pavarura dhe ratifikuan dokumentet përkatëse pasi Putini i nënshkroi ato.
Moska përdori dokumentet për të justifikuar pushtimin e saj të paprovokuar të Ukrainës, i nisur më 24 shkurt 2022.