– Naimi preu shkurret, shkuli ferrat,
Pastaj qilizmë truallin punoi;
Fidanët mbollën me durim të tjerët
Dhe vreshti i bukur shpatin gjëlbëroi.
Kur vajta unë atje, – më tha Lasgushi,
Një mbrëmje buzë gjolit tek shëtisnim,–
Hardhitë kishin lidhur vile rrushi,
Por “kemi etje ” dukej sikur flisnin.
Ahere ç’ bëra? Nëpër shkëmb të malit,
Një brazdë hapa deri te burimet
Dhe më së fundi, ujërat si kristali.
U derdhën nëpër të me mermërimë.–
Si tha këto, mbështeti të dy duart
Përmbi bastum e shtoi si nëpër lot:
—E keni rradhën ju për ta punuar
Këtë të bukur vresht, pa shok në botë.
Ta rritni të shëndetshëm, ta selitni,
Ta doni si thesarin më me vlerë;
Dhe neve, që aty e lamë shpirtin,
Na sillni nëpër mend ngandonjëherë !…
Komentet