Politologu kosovar, Naim Rashiti komenton përplasjet e Ramiz Lladrovcit dhe deputetit të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi. I bën thirrje Ministrisë së Jashtme që ta shkarkojë
Njohësi i çështjeve politike në vend, Naim Rashiti përmes një postimi në rrjetin e tij social “Facebook”, ka komentuar përplasjet e Ambasadorit të Kosovës në Shqipëri, Ramiz Lladrovcit dhe deputetit të VV-së Rexhep Selimit. Rashiti në postimin e tij thotë se Lladrovci duhet të tërhiqet nga pozita e ambasadorit, pasi që sipas tij nuk u lejohet diplomatëve të bëjnë deklarata të tilla. Rashiti gjithashtu ka kërkuar nga ministria e jashtme që ta kthej prapa Lladrovcin nga pozita e ambasadorit. Ndër të tjera Rashiti thotë se të tjerët duhet të kenë kujdes që të mos futen në debatin e krijuar. “Pavarësisht se kush ka të drejtë në këtë debat. Ata të cilët janë brenda vendit dhe pjesë e politikës apo e shoqërisë kanë të drejtë të vazhdojnë debatin. Por kjo nuk mund t’u lejohet diplomatëve dhe të ngarkuarve në detyrë. Miqësisht do t’i kërkoja Ministrisë së Jashtme ta kthejë Ramiz Lladrovcin mbrapa. Kjo i bën mirë shërbimit të jashtem dhe shtetit. Të tjerët duhet të kenë kujdes, mos të futen në debatin aktual të luftëtarëve. Ata mund ta bëjnë këtë debat, janë në të drejtën e tyre, kanë hequr shumë në ato kohë e tani dhe askush nga të tjeret nuk e di çka ka ndodhur në ato kohë. Prandaj të tjerët, ne e çdo kush tjetër që nuk ishte pjesë e asaj kohe duhet të kenë kujdes sepse mund të gabojë në gjykimin e tij.
Akuza e Ladrovcit
Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Ramiz Lladrovci e ka akuzuar zyrtarin e Policisë së Kosovës, Fadil Syleviqin se në prillin e vitit 1998 e ka vrarë atdhetarin Hafir Shala. Po ashtu, Ladrovci ka thënë se rasti Hafir Shala nuk u hetua asnjëherë deri tani, për t’u zbardhur e vërteta e kidnapimit dhe mbytjes me dhunë nga hetuesit e pushtetit të Sllobodan Millosheviq. “Dje, (më 12 mars) ndërroi jete znj. Shehide Shala, nëna e patriotit, atedhetarit, ish-te burgosurit politik, dhe humanistit të madh, Dr. Hafir Shalës, si dhe gjyshe e luftëtares së UÇK-së, dëshmores së kombit, Luljeta Jahir Shalës. Ajo, për së gjalli nuk i gjeti kurrë eshtrat e të birit, Dr. Hafir Shala, i kindapuar në prillin e vitit 1998 nga UDB-shi Fadil Syleviqi, dhe i mbytur me dhunë në zyrat e hetuesisë serbe, në Prishtinë. Dr. Hafirit, më pas, ia zhdukën edhe trupin e tij, eshtrat e të cilit nuk u gjetën kurrë deri më sot. Megjithëse rasti i tij nuk u hetua asnjëherë deri më tani, për t’u zbardhur e vërteta e kindapimit dhe mbytjes me dhune nga hetuesit e pushtetit të satrapit Sllobodan Millosheviq. Rasti nuk u hetua kurrë, as nga drejtësia vendore e as nga ajo ndërkombëtare.
E, dje Nëna Shehide, sikur vite me parë edhe babai i Dr. Hafir Shalës, shkoi në amshim me mallin për t’i gjetur eshtrat e tij. Por, ajo tanimë ka gjetur shpirtin e të birit. I përjetshëm qoftë kujtimi për Nënën Shehide! Kurse, neve, të gjallëve, shokëve dhe bashkëluftëtarëve të Dr. Hafir Shalës, na mbetet amanet moral, njerëzor dhe punë patriotike, që ta ndriçojmë rastin e bashkëluftëtarit tonë.
Aq më shumë, kur e dimë se UDB-ashi që e kindapoi dhe nga duart e të cilit vdiq, e më pas u zhduk Dr. Hafir Shala, është i gjallë dhe bartë përgjegjësi të larta në njërin ndër institucionet më të rëndësishme të vendit tonë, në Policinë e Kosovës”- shkroi Lladrovci në “Facebook”.
Selimi: S’ka luftë në mes komandantëve por kundër të vërtetës së UÇK-së
Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi ka kërkuar nga udhëheqësit e PDK-së të mos fshihen në debatin për luftën, duke i nxjerrë zyrtarët tjerë të kësaj partie. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka mohuar se po bëhet luftë në mes komandantëve, duke shkruar se këtu ka luftë kundër të vërtetës së UÇK-së, e sponsorizuar nga ata që gjuajnë gurin dhe e fshehin dorën dhe për këtë temë nuk përgjigjen vetë por nxjerrin të tjerë që t’ia ulin nivelin e temës. Ai në rrjetin social ka shkruar se një fjali e vetme në Kuvend i alarmoi të “parët” e PDK-së, duke shtuar sepo sikur të flitet më shumë, ku do ta fusni kokën?
Pas datës 26 Shkurt, kur kandidatit për President iu adresova me një fjali të vetme , si zakonisht ai heshti.
Por në “mbrojtje” të tij i aktivizoi (sipas kronologjisë): 1.Ganimete Musliun, 2. Ramiz Lladrovcin, 3. Gani Gecin dhe 4. Gani Kocin. E, ku është lufta në mes Komandantëve këtu? Prej kur Ganimete Musliu Komandante? Prej kur Ramiz Lladrovci Komandant? Prej kur Gani Geci Komandant? Prej kur Gani Koci Komandant? (Bile ky i fundit se paku ka qenë një ushtar i UÇK-së e përherë i PDK-së)
Këtu nuk ka luftë në mes komandantëve! Këtu ka luftë kundër të vërtetës së UÇK-së e sponsorizuar nga ata që gjuajnë gurin dhe e fshehin dorën dhe për këtë temë nuk përgjigjen vetë por nxjerrin të tjerë që t’ia ulin nivelin e temës. O ju të “parët” e PDK-së, bëhuni trima e nxjerreni kokën, së paku një herë ne jetë!
Një fjali e vetme në Kuvend iu alarmoi. Po sikur të flasim më shumë? Ku do ta fusni kokën?”-shkroi Selimi.
Komentet