Në Shqipëri, Gjykata e Vlorës konfirmoi sot masën e sigurisë arrest me burg, për Rei Metën, 33 vjeçarin i cili goditi për vdekje Armando Meshaun, 55 vjeç, pas një konflikti verbal. Meta akuzohet për “vrasje nga pakujdesia”.
Gjithshka ndodhi pak pas mesditës në një zyrë që ofronte shërbime internet dhe kancelarie në qytetin e Vlorës. Të dy personat kishin njohje të mëparshme. Sipas rrëfimit të Metës në polici, në vitin 2020 ata kishin lidhur një kontratë sipërmarrje me komision, sipas së cilës, Meta do të merrte një apartament 60 metra katrorë, në këmbim të gjetjes së një trualli në zonën e Radhimës, ku më pas Meshahu ka realizuar një ndërtim. Meta ka rrëfer gjthashtu se pjesë e kontratës ishte dhe një pagesë prej 7 mijë euro të cilën ai ka thënë se ja ka paguar Meshaut, ndërkohë që ky i fundit, sipas tij, nuk i është përmbajtur detyrimeve të kontratës, për t’i kaluar atij apartamentin. Madje Meta pretendon se prej 7-8 muajsh, Meshau nuk i përgjigjej në telefon.
Kjo çështje ka qenë tema e diskutimit mes të dyve pas një takimi të rastësishëm në qytetin e Vlorës. Konflikti verbal përfundoi më pas në dhunë fizike. Pamjet nga mjediset e zyrës së interenetit, tregojnë se ka qenë Meshau ai që e ka qëlluar i pari, ndërsa Meta i është përgjigjur menjëherë me një breshëri të shpejtë grushtash në pjesën e majtë të fytyrës së ndërtuesit, i cili brenda pak sekondave është lëshuar mbi karrige, duke gjetur më pas vdekjen.
Rasti mori përmasa tej të zakonshmes, pasi u mësua se Rei Meta është i biri i Nurihan Seitit, anëtares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, (KLP) e zgjedhur në vitin 2018, nga radhët e avokatisë. Opozita kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të saj, ndërsa në shtyp qarkulluan njoftime se Meta, përveç punës pranë Drejtorisë së Doganave, merrej dhe me ndërmjetësim pronash duke shfrytëzuar, sipas shtypit, emrin e të jëmës. Zonja Seiti, mandati i së cilës, si anëtare e KLP-së përfundon në fund të këtij viti, ka shmangur deri më tani çdo koment mbi ngjarjen.