I. Gazetarët janë minitoruesit, përgjuesit të përhershëm, qoftë të qeverisë, partive politike, por, edhe të shoqërisë të një vendi, në përgjithësi. Zakonisht, gazetarët edhe për qeverinë më të mirë, duhet të jenë oponentët e saj, për ta mbajtur në tension, të mobilizuar qeverisjen e mirë, larg korrupsionit, nepotizmit dhe të shkeljeve të tjera. Gazetarët, përgjatë profesionit të tyre, hulumtojnë gjithçka që bie ndesh me ligjet shtetërore e njerëzore dhe denoncojnë para opinionit publik. Shkeljet mund të jenë edhe penale, ligji duhet të veprojë. Pikërisht, këtu fillon shenjëstrimi i gazetarëve, nga bandat dhe kriminelët, që janë në mbrojtje të shefave korruptivë dhe vese tjera kriminale.
“Komandantët” humbës, donin pushtetin me dhunë
Vrasja e një gazetari përçon mesazhin e qartë të kërcënimit, përkatësisht, frikësimit, jo vetëm të kolegëve të tij, por, edhe të kujtdo tjetër, që merr guximin, për të denoncuar krimin dhe kriminelët. Gazetari i parë viktimë, ishte Ali Ukaj, njëherësh, edhe zëdhënës i parë i UÇK-së, i cili u vra në prag-lufte, në Shqipëri, për të vazhduar gjatë luftës, me vrasjen e gazetarit Shefki Popova.
Zgjedhjet e para të pas luftës, ishin zhgënjim i madh, për të majtën ekstreme enveriste-staliniste, LPK-në e djeshme, PAN-in e sotëm të Kosovës. Ata, me propagandën e tyre lehaqene, kishin agjituar rrejshëm e mashtrushëm, se, gjoja, ata dhe vetëm ata “e bënë luftën, çliruan Kosovën, e sollën lirinë!” Prandaj, sipas tyre, ata duhet ta zotëronin pushtetin, qeverisjen.
Ndërkohë, ndodhi e kundërta. Populli nuk u besoi gënjeshtrave, shpifjeve për kundërshtarët politikë dhe votat ia dhënë partisë rivale, LDK-së. Kjo parti e themeluar dhe e udhëhequr, mençurisht dhe dinjitetshëm, nga Dr. Ibrahim Rugova, ishte përballur, përtej një dekade, me pushtuesin, duke krijuar edhe institucionet paralele, deri edhe resorët ministrorë. Qeverisja e LDK-së, në kushtet e një pushtimi të egër, kishte siguruar mbijetesën e popullit të Kosovës; funksionimin e shkollave, qoftë edhe jashtë objkteve shkollore, duke përdorur shtëpitë private; shërbimin shëndetësor; ndihmën modeste sociale për popullin, tashmë, kolektivisht, i larguar nga puna.
Mbështetja popullore për partinë e Presidentit Rugova, i tërboi anarshistët komunistë, të cilët vinin nga organizata e LPK-së, e instruktuar nga Sigurimsat e diktatorit Enver Hoxha, por, edhe me shumë agjentë të UDB, të infiltëruar, shumë vite më parë, në radhët e saj. Janë këta, pikërisht, krerët e LPK-së, të cilët përçanë shqiptarët para luftës, ndërsa i vranë gjatë dhe pas luftës, duke ua ngrirë shqiptarëve buzqeshjen e lirisë.
Qëllimi i kësaj dhune, deri në plumbosje, ishte mospajtimi me të qenurit në opozitë. Donin patjetër pushtetin, e pa fituar me votën e lirë, ta kompensonin me grabitjen e përdhunshme, të përgjakshme.
Ekzekutime listore: gazetarë, ushtarakë, veprimtarë të LDK-së…
Në pasditën e 11 janarit 1999, ishte ekzekutuar, në oborrin e pallatit, në Breg të Diellit, para syve të familjes, Enver Maloku, shefi i Qendres Informative të Kosovës (QIK); në maj 2000, u ekzekutua Ekrem Rexha, alias – Komandant Drini, pranë shtëpisë së tij; në korrik 2000 ndodhi tentim-vrasja e kuadrit të LDK-së, Fetah Rudi, në kthim nga takimi me kryetarin Rugova, në Arllat të Drenasit, pikërisht, ke Ura e Bytyçëve, duke e plagosur rëndë dhe të lënë, përjetësisht, në karrikën invalidore.
Xhemail Mustafa ishte intelektual i kompletuar, njeri i letrave, gazetar, publicist, shkrimtar, këshilltar politik i Presidentit Rugova dhe zëdhënës në media. Më parë ishte gazetar në “Rilindja” dhe redaktor i kulturës. Ishte i survejuar nga UDB-a, më vonë edhe nga BIA.
Krijuesi Xhemail Mustafa, shpirt i ndjeshëm e njerëzor, duke i parë vrasjet e shokëve, pjesë e luftës për liri, madje, duke e ditur autorësinë e tyre, në faqen e tij të së martës, në “Bota sot”, -Të mallkuarit e Zotit -, do t`i anatemonte për krimet e tyre makabre, të cilët vazhdonin krimet e Millosheviçit, duke ia shtuar jetimët Kosovës, edhe pas përzënies të soldateskës serbo-sllave, nga Nato-pakti!
Reagimi i “komandantëve”, të cilët kishin mallkuar popullin e Kosovës, “haram lirinë”, pse nuk ua dha votën, tani, “ia bënë benë” Xhemës tonë artist dhe urtak i pa shoq. Dhe, në pritën e zënë, në hyrje të banesës, në lagjën “Dardania”, u qëllua për vdekje, nga dy atentatorë.
A vritet engjëlli – Xhemail Mustafa?!
A vritet engjëlli?! Kjo ishte pyetja ofshamë e shqiptarëve, si sot, 21 vjetë më parë, për t`u përsëritur, përjetësisht, në mënyrën habitore! Vrasja e njeriut të mirë, Xhemail Mustafa, i bindi edhe skëptikët më fanatikë, se, – krimi ka emër -. Vrasjet politike janë faktike dhe nuk janë as 100 dhe as 200, por, disa qindra. Vetëm horrakët e maskarenjtë, të tipit Behxhet Pacolli e Nait Hasani, me shokë, ende shtirën sikur nuk ka ndodhur asgjë, në këto troje të përgjakura, nga shqip-folësit bastardë. I pari, e ka hallin ke bizneset e pista me shefin Hashim; i dyti, pjesë e krimit, që, dashur apo pa dashur, i shpuri në plumb, në Pestovë të Vushtërisë, guerilën heroike: Zahir Pajazitin, Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën, në natën e kobshme, errëtake të 31 janarit 1997.
Ekzekutimi zyrtar i Xhemail Mustafës, ishte tronditje enorme e opinionit shqiptar, të kudondodhur në botë. Ai këshillonte, pazëshëm e urtësisht, Presidentin historik, Dr. Ibrahim Rugova. Dhe, kemi mësuar nga njerëzit e Dr. Rugovës se Ai e dëgjonte vëmendshëm dhe kishte besim të plotë ke Xhema i Tij. Nga mbamendja e kuadrove të LDK-së, mësojmë se këshilltari Xhemail Mustafa, këshlloi, madje, prerazi, shefin e tij Rugovë: “Në asnjë rrethanë, LDK-ja të mos hyjë në Qeverinë e Përkohshme të Hashimit, të kompozuar nga “komandantët e “Rogner-it” dhe zyrtarët banditër social-komunistë të Tiranës”.
Krejt ndryshe, nga disa përkthyes, të cilët e kanë shoqëruar në disa udhëtime, flasin në vetën e parë, “unë e bëra këtë apo ate”, “ne merrshim vendime, jo Rugova”!? Dhe, disa, në gjallje të Dr. Rugovës, u hodhën në prehrin e Hashimit, përlavdëronin për “vizionin” e tij dhe ndoca të tjerë, pas shuarjes të Presidentit Rugova, bënë nëshkrime fatale në dëm të Kosovës, duke e ndotur edhe LDK-në, sipas skenarit të shefit Hashim!
Xhemail Mustafa dhe Sali Çekaj, ngjasonin më urtësinë e tyre, sikur të ishin vëllezër lindakë më Presidentin Rugova. Shoqëruesit e Tij, lajmëtarë të vrasjes së Enver Malokut, më parë, dhe të Xhemës, më vonë, se në të vetmet raste, kemi parë lotët në sytë e Dr. Rugovës. Nga Monte Karlo, në Konferencën në Krans Montana, Ai do të shkonte për homazhe, ke varri i mikut dhe bashkëpunëtorit të tij të ngushtë, Xhemës, në Gllamnik të Llapit.
Xhemail Mustafa ishte trim i urtë, njësoj si shefi i Tij Rugovë, përgjatë luftës qendroi në Prishtinë. Dëshmi e këtij qendrimi është libri-ditar unik, “Një lutje për Prishtinën”, si një kujtesë i një kohe zezonë, vlerë e veçantë e publicistikës shqiptare kombëtare.
Vrasja e trishtë e Xhemail Mustafës, homazhi familjar pranë ark-mortit, shënon dhimbjen skajore e kulmore, sidomos të vajzës së tij të shumëdashur, Beriane. Shpërthim vaji e gjëmë, të fiksuara në foto-kamerë të zëshme, të papërmbajtëshme, bëri xhiron e botës, në mediet e shkruara dhe vizive, anekënd botës. Motër e vëlla, Beriana dhe Basiani, që janë “na bëjë baba të të ngjajmë”, janë ngushëllim i madh për shqiptarët. Dhe, ky është mallkimi më domëthënës, për SHTAB-istët banditër e rrugaçë.
UNMIK-u “sihirxhi” – pjesë e krimit!
Ekzekutimi i Xhemail Mustafës është bërë, në kohën kur UNMIK-u kishte përgjegjësinë kryesore për sigurinë. Dosjet i ka të gatshme, edhe për shumë vrasje tjera. Shefja ime, për Logjistikën Emergjente të Luftës, Sabahate Tolaj, në Hetuesinë Speciale të Pejës, në prillin e 2003, në Koshare, më ka thënë: “Gadi në përfundim të një dosje, e bollshme me fakte për arrestim të kriminelëve, UNMIK-u na e merr nga dora, duke thënë vazhdoni me dosjen tjetër të re. Dhe, megjithatë, akush nuk arrestohet!?”
Porositësit, jo vetëm që nuk janë prangosur, por vazhdojnë të jenë të fortë, në shtet e pushtet dhe parti politike. Në këto krime janë përfshirë komandantë të UÇK-së, të cilët me bërrylime u bënë personalitete shtetërore e pushtetare. Dhe, kjo përbën atë “Thembrën e Akilit”, që kriminelët livadhisin të lirë, “me krime nëpër këmbë!”
Megjithatë, Gjykata Speciale është një shpresë, për një hetim e zbulim të vrasjes zyrtare të Xhemail Mustafës dhe të viktimave të tjera politike. Sepse ajo do të ishte zgjidhje zinxhirore, edhe për serinë e vrasjeve tjera, përfshirë edhe gazetarët brilantë dhe të guximshëm, të gazetës kombëtare “Bota sot”, Bekim Kastrati dhe Bardhyl Ajeti, me shokë. Dihet, koka e krimit janë krerët politikë të LPK-së, të futur në ingranazhin e Sigurimit Shqiptar, përmes tij, të lidhur me Sherbimet Informative, të shteteve armike të Kosovës.
Porosia e Hashimit për heshtje,
i pranon dhe zyrtarizon vrasjet poltike!
Në mesin e spekulimeve, për vrasjen e Xhemajl Mustafës, ka edhe të vërteta të mjaftueshme, që do të shërbënin për hetim, deri në zbulim të krimit në fjalë dhe të krimeve tjera numerike. Asnjë krim, qoftë vrastar politik, ordinier apo ekonomik, nuk është bërë, pa qenë pjesë e krimit edhe pjesëtarë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) dhe të Policisë të Kosovës (PK). Kjo është dëshmuar në të gjitha gjyqet, përgjatë këtyre dy dekadave të pas luftës. Disa “komandantë” banditër, të zhytur në krime, nxituan për t`i punësuar bandat e tyre në TMK dhe PK, për t`i përdorur, edhe zyrtarisht, në krimet e ndryshme!
Edhe “vdekja” e befasishme, në Badovc, vitin e shkuar, të një eksponenti të policisë, i cili ndihmoi në logjistikën përgjuese, deri sa u realizua ekzekutimi i Xhemail Mustafës, është tejet domëthënëse! Edhe ish-kuadri i dikurshëm qeveritar, më vonë deputet, është përfolje e hershme, madje, e përsëritur, nga më shumë se një burim. Porosia e Hashimit, e dhënë shokëve që “të mbrohen në heshtje”, është një pranim faktik dhe zyrtar i fajësisë. Rumunët kanë një urtësi: “Ai që gënjen, duhet të këtë memorje të fortë, përndryshe gënjeshtra të tradhton, të zbulon!”
Vërtet, kanë kaluar tej dy dekadave dhe krimi, edhe nëse është hetuar e zbuluar, ende nuk është ndëshkuar! Vëllezërit tanë jugorë, e kanë një shprehje: “Ku ka zë, nuk është pa gjë!” Realisht, janë përfolur njerëz e armë të njëjta, të përdorura edhe në vrasjet e plagosjet tjera, si: Enver Malokun, Ekrem Rexhën, Fetah Rudin, që vërteton konstatimin e Prokurorit amerikan, të Gjykatës Speciale, Jack Smith, se prapa vrasjeve politike, qëndron detashmenti i kuq, me brthamë LPK-në, të organizuar në një – Ndërmarrje Kriminale të Përbashkët -, tipike e modelit të diktatorit terrorist shqiptar, Enver Hoxha, i cili, duke shkelur mbi kufomat e atdhetarëve nacionalistë shqiptarë, grabiti pushtetin dhe sundoi Shqipërinë, me dajak e plumb, për afro pesë dekada radhazi.
Krimet politike, instruktim i Sigurimsave të Enverit
Sigurimsat e Enverit, të instaluar në hotelet e Kosovës, instruktonin bandat e SHIK-ut, sipas listave të zeza emërore të SHTAB-it, për atentatimin e ushtarakëve luftëbërës të FARK-ut; bashkëpunëtorët e Presidentit Rugova; aktivistët e LDK-së; si dhe kuadrot e hershme të LPK-së, që i konsideronin si rivalë potencialë, në të ardhmen e afërt!
Vrasjet zinxhir, tipike mafioze, për të humbur gjurmët e krimit, ata që i porosisnin vrasjet politike, i kanë vrarë edhe ekzekutorët. Rasti ekstrem është vrasja e trefishtë, e atyre që e plagosën kuadrin e LDK-së, mikun e Dr. Rugovës, Fetah Rudin. Dhe, ndonëse u fiksua makina e kuqe e atentatorëve, në ikje e sipër, shefi i tyre porositës, kishte menduar edhe vdekjen e tyre. Dhe, në itenerarin ikës, i priste një makinë vetë-shkarkuese, “kiper”, e cila i aksidentoi për vdekje. Për çudë, jo vetëm që u zhdukë shoferi, por as kamioni mbytës, i treshës kriminale, nuk është gjendur më! Krejt, si në filmat horror!
Kapja e shtetit nga “komandantët” dhe SHIK,
pamundëson luftimin e krimit
Çuditërisht, edhe pse çështja e Xhemail Mustafës, është hetuar nga UNMIK-u, disa të dhëna kanë rrjedhur, qëllimshëm, apo pa dashje, megjithatë ende nuk ka arrestime! Padyshim, vrasjet politike, në Kosovë, janë “një e fshehtë publike”, sepse ato janë masive, me pjesëmarrjen e shumë atentatorëve, por, kanë pasur një komandë, me një qëllim të caktuar. Sa herë që është rrezikuar zbulimi, porositësit, i kanë eliminuar fizikisht ekzekutorët, madje, me lidhje zinxhirore të dytë dhe të tretë.
Mendoj se janë 4 (katër) arsye, që kanë zvarritur hetimin dhe zbulimin e vrasjeve politike:
1) Guximi i Prokurorisë dhe i Gjykatave ka munguar, sepse drejtësia është kapur me kohë nga komandantët dhe SHIK-u i tyre. Prokurorët dhe gjykatësit drejtues i ka emëruar pushteti, i cili i mbronte me anë të SHIK-ut të tij. Kjo dëshmohet edhe sot, kur Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial, refuzojnë të bashkëpunojnë me Qeverinë Kurti, për Vettingun, me justifikimin se “institucionet e drejtësisë janë të pavarura dhe ndërhyrja e qeverisë, përben shkelje të Kushtetutës”. Atëherë, kush ta bëjë Vettingun? Kush t`i largojë kapësit e drejtësisë, për t`i zëvendësuar me prokurorë dhe gjyqëtarë të pa kapur, të pavarur, të pa shantazhuar, me guximin e duhur dhe me integritet profesional?!
2) Administrata e UNMIK-ut dhe EULEX-it, edhe pse posedojnë fakte të mjaftueshme, për t`i zinxhirosur kriminnelët, nuk provuan ta bëjnë këtë. Disa janë frikësuar për destabilizimin e rendit, duke e njohur forcën ekonomike, nga grabitja e pasurive të Kosovës; haraçit masiv dhe bandat aktive, të ashtuquajtura “krahu i luftës!”
3) Disa kuadro kyç ndërkombëtarë, janë kërcënuar me jetë. Dhe, këtë e kanë dëshmuar vetë ata, kur janë larguar nga Kosova. Njëri syrësh rrëfen: “Isha duke pirë kafe, në një lokal. Një i ri kërkoi të ulej në tavolinën time dhe unë aprovova. Ai filloi bisedën në gjuhën time:
“- Ju keni lëndën time penale në trajtim. Unë jam X.Y. Ose mbylle, ose…”, dhe nxori revolën e mbështjellë me faculetë!
“- Kjo revole është e pazëshme, unë të vras dhe iku pa asnjë problem!”
4) Disa prokurorë dhe gjykatës, SHIK-u i ka korruptuar, natyrisht, me shuma të majmë. Edhe ndonjë dënim që bënë, për shembull, për disa vrasje faktike, banda është dënuar me 2 deri 5 vjetë burg dhe janë liruar në gjysmë të vuajtjes të dënimit!?! Në pritjen ceremoniale të lirimit, ka marrë pjesë e gjithë shpura kriminale qeveritare, të prirë nga kryeministri i Kosovës! Një banana-shtet!
Populli në hall, ikën nga krimi dhe hajnia e komandantëve!
Rrjedhimisht, Kosova, populli i saj janë në hall nga kriminelët. Ata vrasin, vjedhin, grabisin në shtëpira, markete, dyqane, banka, në rrugë, gjatë transportimit të parave … dhe, “hetimet vazhdojnë!” Kriminelët dhe hajnat nuk janë vetëm, ata ndihmohen nga zyrtarë e pushtetarë, informohen edhe kur paratë bartën nga një vend, në tjetrin. Edhe kur kapen, ose dënohen simbolikisht, ose zvarritën hetimet dhe gjyqet, deri në parashkrimin e lëndëve penale!!!
Edhe kryeministri Kurti zhgënjeu: “Do t`i gjykoja për korrupsion, komandantët e Hagës”, pa përmendur krimet vrastare. Ndoca tutorë të tij, kanë aprovuar vrasjet politike. Dhe, kjo përbën problem të madh, nëse kryeministri i sotëm apo ai i nesërmë, i heshtin krimet. Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, qysh në vitin 2015, i kanë shpallur të përmbushura të gjitha kushtet e BE-së, për liberalizimin e vizave! Qoftë edhe krimin e organizuar vrastar, siç janë vrasjet politike dhe korrupsionin, thënë më qartë, hajninë zyrtare. Ndërkohë që mijëra dosje penale janë të stivosura, brenda të cilave gjumon krimi dhe kriminelët të pa shqetësuar, të amnistuar!
Ndryshe mendon Profesor Mazllum Baraliu: “Kriminelë janë edhe ata që heshtin për krimet”. Ndërsa ata që mbrojnë krimin, janë kontigjent i gatshëm, për krimet e radhës!
Komentet