Haxhi Hajdari
Para pak kohësh në RTSH u shfaq dokumentari “Shpella e Lirisë” kushtuar ish Deputetit të Kuvendit Popullor, Kolonel i Ministrisë Brendshme, Haxhi Hajdari, vrarë në mënyrë barbare në prill të vitit 1963.
Kur më kërkuan të jepja një intervistë të shkurtër për figurën e tij, për shumë arsye e prita me kënaqësi, e në radhë të parë sepse mendova se do të bëhej një dokumentar realist ku do të dilte e vërteta e fshehur prej 55 vjetësh dhe do të nxirreshin edhe disa të vërteta që janë mbuluar e “harruar”, që lidhen jo vetëm me “arratisjen” e tij, por edhe pasojat që mund të kishin edhe disa shokë e miq të tij… Prej shumë vitesh jam përpjekur të mësoj të vërtetën, nga biseda me shumë miq e të njohur të Haxhi Hajdarit, duke pyetur e kërkuar nëpër arkiva, por shfaqja e dokumetarit më nxiti të thellohem në shumë në materiale arkivore.
Dëshirën për një dokumentar realist ma përforconte fakti se ai do të xhirohej dhe do të shfaqej nga TVSH, një institucion publik, sipas mendimit tim, që duhet të flasë e të tregojë me figurë për ngjarje të vërteta, me fakte e dokumente e jo me broçkulla, shtrembërime e gënjeshtra siç ka ndodhur me shumë televizione këtë çerek shekulli, përfshi edhe RTSH. Vetë fjala dokumentar do të thotë i bazuar mbi dokumente.
Sigurisht që fola me rezerva, pavarësisht se unë mund të di shumë më tepër se sa thashë në atë intervistë, por i rekomandova intervistuesit, Dashnor Kaloçit se, duke qenë se është një rast tepër i koklavitur dhe i pa sqaruar asnjëherë deri më sot, në mënyrë që dokumentari të paraqesë sa më afër të vërtetën, të kërkohen dokumentet e asaj kohe, që janë me shumicë në arkivin e Ministrisë së Brendshme, të Komitetit Qendror të Partisë Punës dhe të Kuvendit Popullor, ku gjenden gjëra tepër interesante, që lidhen jo vetëm me Haxhi Hajdarin e vrasjen e tij, por edhe me ato që ndodhën më vonë.
E ndjej si detyrë morale e njerëzore, madje edhe familjare të shkruaj për disa të vërteta, të bazuara në dokumente nga Arkivat e Komitetit Qendror të Partisë Punës, të Kuvendit Popullor dhe Ministrisë Brendshme (disa tepër sekret) si dhe në dëshmitë e shumë dëshmitarëve e miqve të Haxhi Hajdarit si dhe të disa oficerëve të asaj kohe të Ministrisë Punëve të Brendshme. Gjithmonë me qëllimin e mirë për të pasqyruar sa më afër të vërtetën e ngjarjes së ndodhur 55 vjet më parë.
***
Janë botuar shumë shkrime, libra e janë organizuar emisione televizive kushtuar viktimave të komunizmit, me argumente, referenca, e dokumente që faktojnë shumë prej të vërtetave të dhimbshme të asaj kohe.
Por krahas tyre janë botuar edhe shumë të pavërteta, zhgarravina, broçkulla e gënjeshtra si disa nga ato që pamë e dëgjuam edhe në dokumentarin “Shpella e Lirisë”, që RTSH-ja e transmetoi me aq pompozitet, madje duke e reklamuar disa ditë me radhë.
Para shumë viteve është botuar një dossier i gjatë për figurën e Haxhi Hajdarit e dënimin e tij, shkruar nga Dashnor Kaloçi, një material plot fantazi, i pabazuar në asnjë dokument apo referencë. Shkurt, një material me tendencën që ka dominuar vitet e fundit mediet tona, sikur të gjithë ata që janë dënuar në atë kohë, kanë qenë të persekutuar, disidentë apo kundërshtarë të regjimit. Por e keqja është se edhe skenari i dokumentarit të shfaqur me autorë Monika Shoshori- Stafa e drejtor Dashnor Kaloçi ishte shkruar mbi bazën e këtij materiali, pavarësisht se me disa plotësime dhe intervista, ku Haxhi Hajdari na paraqitej si disident e kundërshtar i ashpër i sistemit.
Siç thashë më sipër, ndjej si detyrim familjar të shkruaj disa të verteta rreth jetës dhe eliminimit të tij, sepse babai im, Bejto Faslia (Vukaj), jo vetëm ka qenë mik me Haxhi Hajdarin, por deri në vrasjen e tij, të dy kanë jetuar dhe punuar afërsisht në të njëjtat kushte dhe të dy janë trajtuar pak a shumë njëlloj, prandaj dhe krahasimet do t’i bëj midis tyre. Të dy vinin nga fshati, të dy ndër partizanët e parë të rrethit të Shkodrës, afërsisht të dy njëlloj të arsimuar me kurse e shkolla nate, të dy oficerë mbas çlirimit të vendit e të dy të nxjerrë në lirim afërsisht në të njëjtën kohë (më vonë Haxhiun e kthyen përsëri), të dy deputetë të Kuvendit Popullor në disa legjislatura etj.
Duke qenë se shumë ngjarje i kam përjetuar, sepse kur është vrarë Haxhiu unë kam qenë në moshë madhore, dhe shumë të tjera i kam dëgjuar nga babai im vite më vonë, sepse vrasja e Haxhiut dhe damkosja që iu bë atij lidhej edhe me familjen time. Përveç këtyre, kam biseduar me shumë njerëz, miq e shokë të Haxhiut, apo edhe dëshmitarë të veprimtarisë dhe jetës së tij dhe kryesorja, gjithçka që do them për të e kam të bazuar në dokumentet e asaj kohe, shumë prej tyre “Tepër sekret”.
Lidhur me dokumentarin, që në fillim dua të them se nuk kam vërejtje për intervistat dhe ato që thanë të intervistuarit, sidomos fëmijët e tij që e kanë vuajtur më shumë se kushdo tragjedinë e babait të tyre. Të intervistuarit thanë aq sa dinin…
Vërejtjet i kam për ata që kanë shkruar skenarin dhe mënyrën si u trajtua figura e Haxhi Hajdarit dhe veçanërisht për TVSH, që, me paratë e taksapaguesve shqiptarë përgatit dokumentarë të tillë ku shtrembërohet e vërteta, me tendencë të theksuar për ta paraqitur Haxhiun si kundërshtar të regjimit dhe se gjoja ai regjim, e paska persekutuar, madje gjatë gjithë kohës, që nga çlirimi i vendit e deri ditën e vrasjes së tij dhe se kjo paska qenë aryeja e “arratisjes” dhe eliminimit të tij.
Jemi mësuar gjithë këto vite të shohim e të dëgjojmë lloj lloj zvarranikësh e njerëzish pa karakter që duan të dalin me doemos si disidentë e kundërshtarë të atij sistemi. Kemi parë ish punonjës të Komitetit Qendror të Partisë Punës e të Komiteteve të Partisë nëpër rrethe, Sekretarë të Byrove të Partisë, ish deputetë, ushtarakë të Ministrive të Mbrojtjes dhe të Brendshme, shefa hetuesish, prokurorë, shkrimtarë, bij bllokmenësh etj. etj. që duke dashur ta paraqesin veten si disidentë, nuk lënë gënjeshtër e shpifje pa përdorur.
***
Që në fillim të Luftës Nacional Çlirimtare, Haxhi Hajdari është lidhur ngushtë me ata që i dolën zot Atdheut dhe me gjithë familjen u vu në shërbim të luftës për çlirimin e Atdheut për çka pushtuesit dhe shërbëtorët e tyre i dogjën shtëpinë, i grabitën pasurinë dhe i arrestuan pjesëtarët e familjes.
Mbas çlirimit Haxhiu ka shërbyer në rrethin e Shkodrës, për ndjekjen dhe eliminimin e atyre pak bashkëpunëtorëve të pushtuesit e kriminelëve që kishin mbetur e silleshin përreth Shkodrës. Por, krahas luftës së rreptë kundër tyre, si njeri human e që njihte kushtet e mentalitetin e fashatarëve të Shkodrës, ka ndërhyrë dhe ka ndihmuar shumë njerës për t’i shpëtuar, qoftë duke i bindur që të mos bashkëpunonin me të arratisurit, qoftë edhe duke ndërhyrë për t’i shpëtuar nga persekutimet, që vitet e para kanë qenë tepër të rënda në rrethin e Shkodrës.
Edhe babai im ka shërbyer në zonat e Malësisë së Madhe, si komandant vendi dhe krahas tjerave edhe për eliminimin e disa bashkëpuntorëve të pushtuesit dhe që kishin kryer krime, por duke njohur e zakonet e traditat e malësorëve, ka ndihmuar shumë familje për t’i shpëtuar persekutimit. Aq e vërtetë është kjo, sa gjithë këto vite, megjithëse është shkruar e folur për persekutorë të asaj periudhe me emra e mbiemra, për Haxhi Hajdarin e Bejto Faslinë askush nuk ka shkruar qoftë edhe një fjalë të vetme kundër tyre, përfshirë të dënuar që kanë vuajtur shumë vite burgjeve, përkundrazi kanë folur e kanë shkruar mirë. Madje për ndihmën që u ka dhënë malësorëve Bejto Faslia ka shkruar edhe shkrimtari e studiuesi shqiptar nga Mali i Zi, Lulash Palushaj…
Dua ta ilustroj me një shembull konkret. Në zgjedhjet e para pluraliste të vitit 1991, unë kam qenë kandidat për deputet në Malësi të Madhe, në disa fshatra të persekutuar rëndë, sidomos vitet e para mbas çlirimit të vendit (Shkrel, Goraj-Budishtë, Katundi i Kastratit etj.), zona ku babai im kishte ndihmuar disa familje dhe kishte ndërhyrë për të shpëtuar njerëz nga persekutimi, madje ndonjë prej tyre ma ka treguar me hollësi ngjarjen… Në ato zgjedhje unë kam fituar bindshëm, jo se më njihnin mua si person, sepse unë nuk kisha punuar dhe as kisha pasur lidhje me ato zona, por më shumë si i biri i Bejto Faslisë. Jam i bindur se e njëjta gjë do të kishte ndodhur edhe me djalin e Haxhi Hajdarit, sikur ai të kishte qenë kandidat për deputet në ato zona, ku babai i tij kishte punuar e ndihmuar njerëzit e thjeshtë në ato kohëra të vështira.
***
Por në dokumentar kjo ndihmë e qëndrim i drejtë që ata kanë mbajtur për të ndihmuar njerëzit, për Haxhiun thuhet se, nëpërmjet këtyre veprimeve ai i “qenka kundërvënë regjimit”. Kështu në dokumetar thuhet se “Haxhi Hajdari ishte legjendë, personalitet dhe figurë që kurrë nuk u pajtua dhe nuk u bind me qëllimet, me luftën dhe egërsinë me të cilën e zhvilluan këtë luftë komunistët shqiptarë”.
Për Haxhi Hajdarin këto veprime, në dokumentar cilësohen si veprime kundër pushtetit, prandaj, sipas autorëve të skenarit, kanë filluar dënimet për të. Kështu thuhet se Haxhiun, e paskan larguar nga Shkodra si dënim dhe e kanë dërguar në një kurs oficerësh në Tiranë. Më vonë, po si dënim e paskan transferuar në Bozhigrad. Për krahasim, babain tim në atë kohë, njëlloj si Haxhiun e kanë çuar në një kurs oficerësh në Tiranë dhe mbas kursit e kanë emëruar në Përmet, por askush nuk ka thënë që atë e kanë çuar për dënim. Më vonë, sipas dokumentarit, Haxhiun e paskan çmobilizuar përsëri si formë dënimi. Edhe babain tim e kanë çmobilizuar afërsisht në të njëjtën kohë, por askush nuk ka thënë se e kanë çmobilizuar si dënim…
Për Haxhiun e vërteta eshtë krejtesisht ndryshe nga ç’thuhet në dokumentar. Siç del nga dokumentet e Ministrisë Brendshme dhe të Kuvendit Popullor, në vitin 1947, ai është sëmurur dhe është dërguar për mjekim jashtë shteti dhe për arsye shëndetësore ka qëndruar disa kohë në shtëpi, dhe më vonë është kthyer përsëri në radhët e Ushtrisë, madje në një sektor tepër delikat, ku punonin njerëz tepër të besuar, në Zbulimin e Ushtrisë, ku ka punuar deri sa është nxjerrë në lirim në periudhën e çmobilizimit të 9000 ushtarakëve. Por mbas disa kohësh persëri Partia e ka kthyer në Ministrinë e Punëve të Brendshme, madje në një detyrë të rendësishme për atë kohë, Komandant i Forcave Vullnetare për Rrethin e Shkodrës, me gradën nënkolonel.
Gjithmonë duke iu referuar dokumentarit, si dënim, Haxhiun e paskan emëruar për pak kohë si Kryetar Lokaliteti në Postribë (para se ta kthenin përsëri më ushtri). Afërsisht në të njëjtën kohë, babain tim e kanë çuar shumë më larg se Postriba, që ishte krejt afër Shkodrës, në Dukagjin, por askush e asnjëherë nuk ka thënë se e kanë çuar për dënim, për më tepër që Dukagjini në atë kohë ishte një krahinë me shumë probleme.
***
Tani të vijmë tek konkretja. Haxhi Hajdari është zgjedhur Deputet i Kuvendit Popullor që në vitin 1950 dhe ka qenë deputet deri ditën që është eliminuar.
A mund ta besojë kush se mund të zgjidhej deputet i Kuvendit Popullor në atë kohë, kur sipas dokumentarit të shfaqur, ai i qenka kundërvënë shumë herë atij sistemi, Partisë Punës dhe Enver Hoxhës?
Sipas dokumentarit, del se Haxhi Hajdari paska qenë kundër, madje edhe qenka shprehur hapur kundër kolektivizimit të fshatit.
E vërteta është se Haxhi Hajdari ka qenë ndër më aktivët gjatë gjithë fushatave të kolektivizimit për të bindur fshatarët, për t’u bashkuar në kooperativa bujqësore. Dhe kjo është e kuptueshme. Kë do të dërgonte Partia në atë kohë në fshat për të bindur fshatarët për të hyrë në kooperativë? Kuptohet Haxhi Hajdarin, Bejto Faslinë, e të tjerë si puna e tyre, që ishin me origjinë nga fshati, kishin lidhje me fshatin etj. Për më tepër që këta ishin deputetë të Kuvendit Popullor në zona fshatare. Këta dhe shokët e tyre kishin shkuar me dhjetëra herë nëpër Malësi për pajtimin e gjaqeve, për aksionet e mëdha që ndërmerreshin në ato kohëra për kurset kundër analfabetizmit, dërgimin e fëmijëve në shkolla, për dërgimin e të rinjve për hapjen e rrugëve e ndërtimin e hekurudhave etj. etj. Kështu edhe për kolektivizimin, që ka qenë një proces tepër i vështirë e për të cilin ka pas shumë kundërshtime e hezitime nga fshatarët.
Mbaj mend që babai im në atë periudhë të kolektivizimit masiv, me javë të tëra nuk vinte në shtëpi, ashtu si Haxhiu dhe shokët e tyre. Dhe këtë punë e bënin me ndërgjegje, sepse ata mendonin se Partia ishte në rrugë të drejtë dhe po veprohej mirë për fshatin. Pavarësisht se ata si fshatarë, që kishin qenë të lidhur me tokën dhe ia dinin vlerën edhe mund të kishin mendimet e verejtjet e tyre për kolektivizimin, por ata ishin idealistë dhe ishin të bindur në atë që bënin. Ndoshta shfaqnin edhe ndonjë rezervë me njëri tjetrin, por kurrë kundërshtime, për më tepër publikisht. Po, është e vërtetë se ndonjëri prej tyre ishte shprehur kundër ashpërsisë dhe egërsisë së ndonjë të deleguare të Komitetit Qendror që kërkonte masa të rrepta kundër atyre fshatarëve që kundërshtonin ose hezitonin të hynin në kooperativë (Arkivi i Komitetit Qendror të Partisë Punës)
Si çdo ngjarje e madhe edhe kolektivizimi shoqërohej me tregime e shpesh herë me humor e me anekdota, që indirekt shprehte opinionin popullor për atë që po ndodhte, karakteristikë për Shkodrën. Tregonin ngjarje për persona të ndryshëm në formë anekdotash, por që krahas humorit kishin edhe të vërtetën brenda. Tregonin në atë kohë këtë ngjarje dhe kuptohet qëllimi.
Ja një tregim i asaj kohe:
Gjatë Luftës Nacional Çlirimtare, babai i dy partizanëve pyet një ditë një fshatar, si i kanë punët partizanët në mal. Fshatari i përgjigjet: i ruajt zoti. Gjithë ditën kanë qëndruar nën hijen e qershisë dhe nuk kanë prekur një kokërr qershi. Në kohën e kolektivizimit takohen përsëri fshatari me babain e dy ish partizanëve dhe ky, mbasi e pyet për hallet e problemet e fshatit dhe si po shkonte kolektivizimi, fshatari i përgjigjet: e mban mend punën e qershive gjatë luftës? Atëherë, ata nuk preken një kokërr, sepse paskan dashur ti marrin më gjithë rrënjë…
Mbaj mend gjithashtu një ngjarje të jetuar, që e tregonte babain im.
Në një fshat, kur dikush firmoste për të hyrë në kooperativë, qëllohej me pushkë përpjetë. Kur po bëheshin gati të bindnin një grua të ve të vinte gishtin (sepse ishte analfabete) dhe një bashkëfshatar i saj, ia kishte lyer gishtin me bojë dhe po ia afronte tek blloku i firmave, dëgjohet një krismë pushke, dhe ajo, pa ngritur kokën thotë: e vranë edhe një …
Shkodra njihet për humorin e hollë që shpesh herë shpreh shumë.
***
Autorët e dokumentarit, pa asnjë dokument, fakt e referencë thonë se Haxhi Hajdari paska diskutuar në një Plenum Partie në Shkodër ku paska qenë Mehmet Shehu dhe ku ndërmjet tjerave, paska folur për gjendjen e keqe që mbizotëronte në Malësinë e Madhe si dhe ka kundërshtuar kolektivizimin. Madje, mbas kësaj, sipas autorëve të skenarit të dokumentarit, e paska thirrur Enver Hoxha në zyrën e tij, ku Haxhiu paska mbajtur të njëjtin qëndrim. Që nga kjo kohë, sipas autorëve të dokumentarit, ai qenka futur në listën e “njerëzve tepër të dyshimtë”.
Mirëpo ai, jo vetëm që ka vazhduar të jetë deputet i Kuvendit Popullor, por edhe mbas rreth disa vitesh, në vitin 1962 është zgjedhur përsëri deputet i Kuvendit Popullor.
E beson kush se një person i futur në listat e “njerëzve tepër te dyshimtë” mund të zgjidhej deputet?
Sipas autorëve të dokumentarit ai “pati shumë herë perplasje me Enver Hoxhën, Mehmet Shehun dhe Feçor Shehun”. (Po të gjykojmë përrallat që tregohen në këtë dokumetar rezulton se ne që atëherë paskemi pasur pluralizëm sepse edhe në Kuvend njerëzit paskan folur lirisht…)
Tani vijmë tek diskutimi i Haxhiut në Kuvendin Popullor, që sipas autorëve të dokumentarit paska “tronditur sallën e Kuvendit mes të gjithë deputetëve, të cilët u trembën prej shqetësimeve të mëdha që shtroi deputeti i malësië”. Ky paska qenë edhe fundi i tij, sepse mbas kësaj, ai qenka njoftuar nga Mit’hat Zaçe (ish nënkryetar i Degës Punëve të Brendshme të Rrethit Shkodër) se do të arrestohej, prandaj duhej të largohej sa më parë nga Tirana dhe të fshihej! Dhe Haxhiu, duke ndërruar disa makina, i qenka fshehur Sigurimit të Shtetit dhe paska shkuar në shtëpinë e tij, prej ku është “arratisur”…
Këtu përfundon përralla e dokumentarit për disidencën e Haxhi Hajdarit dhe kundërshtimet e tij ndaj politikës së Partisë Punës dhe Enver Hoxhës.
Dua të bëj një sqarim.
Sipas dokumenteve të Kuvendit Popullor që gjenden në Arkivin e Shtetit, sesioni i fundit për vitin 1962, është zhvilluar në fund të dhjetorit 1962 (ka filluar më 25 dhjetor) ku është diskutuar dhe aprovuar Buxheti i Shtetit për vitin 1963. Aty kanë diskutuar me radhë deputetët Shefqet Peçi, Tonin Jakova, Myftar Grabocka, Bilal Parruca, Petrit Dume etj. gjithsej 20 deputetë. Sipas proces verbaleve, ku jepen të plota edhe diskutimet e tyre, nuk rezulton që të ketë diskutuar Haxhi Hajdari. Theksojmë se kjo ishte seanca e fundit ku ka marrë pjesë Haxhiu. Nuk kuptohet nga e kanë gjetur autorët e dokumentarit që Haxhi Hajdari paska diskutuar në një seancë të Kuvendit Popullor dhe mbas kësaj qenka paralajmëruar për arrestimin, dhe menjeherë qenka “arratisur”. Autorët e dokumetarit nuk kanë bërë as gjënë më elementare, të karahasonin datat e Sesionit të Kuvendit Popullor (25-27 dhjetor 1962) dhe datën e “arratisjes” së tij, më 17 mars 1963. Sigurisht një krahasim i tillë nxjerrr lakuriq gënjeshtrat e autorëve të dokumentarit.
E vërteta është se deri ditën e “arratisjes”, Haxhi Hajdari ka pas vlerësimin dhe trajtimin më të mirë nga Partia, Qeveria dhe Ministria e Brendshme.
Vetë fakti që u zgjodh për të katërten herë deputet i Kuvendit Popullor nuk ka nevojë për komente. Dokumenti që po botojmë më poshtë vërteton më së miri vlerësimin e udhëheqjes së Partisë për Haxhi Hajdarin kur e propozonte për deputet të Kuvendit Popullor në fushatën e zgjedhjeve të vitit 1962, pra vetëm pak muaj para “arratisjes” dhe eliminimit të tij.
(Vijon)
Fakt asht se Haxhi Hajdari ka kenë terrorist gjatë luftës ,,nac-çlirimtare,, , por dihet se ky u rreshtua ndër ata kamunista të zhgenjyem nga masakrat e komunizmit ndaj Veriut! Ma me detaje du me u shpreh mbasi të na napi pjesën tjetër Zotni Vukaj i Reçit të Koplikut të Sirmë(Sipërm)!
Eshte fakt per periudhen qe flet se babai juaj ishte i vlersuar si nje burre malesie. se ne kushtet e atij terrori ai ka shpetua njerez. duke ju shmang direktivave. Por femija bejto Faslise. e femija e. Haxhi Hajdarit u rriten ne ambjente te ndryshme ti jau njef kontributin e luftes te dyve kontributin e punes. a meritonin femijet e ketyre dy burrave. te
Trajtim te ndryshem. Nuk ka malsor qe e beson se babai yt ka qene dakort me puskatimet ne kelmen ne Rec ne bajze kur dihet se se reci ka kene nacionalist. Nuk di asnjehere qe per. per dashuri karrshi partise te jete pushkatu e inerrnu kush Duke ruajt respekt te thelle per ju dhe familjen tuaj duhet te hapni ndonje dokument se i keni burimet pse u vra frati Recit. E kush e vrau pse u pushktoi e kush dha urdher per per malsor te vrare. Sa per sqari Mehmet shehu ka kene ma shum deputet dhe eshte shpadh armik