Rrëfimi i Nikolaut të Damaskut për momentin e vrasjes së Perandorit
Në janar të vitit 49 para Krishtit, Jul Qezari udhëhoqi ushtrinë e tij përtej Lumit Rubikon në veri të Italisë dhe e zhyti Republikën Romake në luftë civile. Rivali i Qezarit, Pompei, u arratis për në Greqi. Brenda tre muajve, Qezari kontrollonte të gjithë Gadishullin italian dhe në Spanjë kishte mposhtur legjionet besnikë të Pompeit. Tani, Qezari po ndiqte Pompein në Greqi. Qezari arriti të mundë forcat e armikut, ndonëse më të shumta në numër, por jo përpara se Pompei të arratisej për në Egjipt.
Duke ndjekur Pompein për në Egjipt, Qezarit iu ofrua koka e prerë e rivalit të tij, si shenjë miqësie. Përpara se të largohej nga rajoni, Qezari caktoi Kleopatrën si sundimtare të Egjiptit në këmbë të tij. Qezari mposhti rivalët e mbetur në Afrikën e Veriut në 47 para Krishtit dhe u rikthye në Romë, tashmë me autoritet të vendosur përfundimisht.
Qezari vijoi të konsolidojë pushtetin dhe në shkurt të vitit 4 para Krishtit, ai u vetëshpall diktator i përjetshëm. Ky akt, bashkë me përpjekjet e tij të vazhdueshme për t’u vetëstolisur me kostumin e pushtetit, ktheu kundër tij shumë prej pjesëtarëve të Senatit. Gjashtëdhjetë prej tyre konkluduan se e vetmja zgjidhje e problemit ishte vrasja e Qezarit.
VDEKJA E NJË DIKTATORI
Nikolau i Damaskut e shkroi rrëfimin e tij për vrasjen e Qezarit disa vite pas ngjarjes. Ai nuk ishte në fakt i pranishëm kur ndodhi vrasja, por kish patur mundësinë të fliste me ata që kishin qenë aty. Ai ishte mik i Herodit të Madh dhe mblodhi informacione gjatë një vizite në Romë. Mendohet që rrëfimi i tij të jetë i besueshëm.
PLANI: “Komplotuesit nuk u takuan asnjëherë haptas, por ata u mblodhën disa herë në shtëpitë e njëri-tjetrit. Pati shumë diskutime dhe propozime, siç mund të mendohet, ndërkohë që ata shyqrtonin se si dhe ku ta ekzekutonin planin e tyre. Disa sugjeruan që ta bënin atentatin ndërkohë që ai shëtiste përgjatë Rrugës së Shenjtë, që ishte një prej shëtitjeve të tij të preferuara. Një tjetër ide ishte që të kryhej gjatë zgjedhjeve, në një rast ku do të kalonte një urë për të shkuar dhe emëruar magjistratët në Kampus Martius; ata duhej të caktonin shuma për disa që do ta shtynin nga ura, dhe të tjerë që do të shkonin ta vrisnin. Një plan i tretë ishte që të pritej për një shfaqje gladiatorësh. Avantazhi i kësaj do të ishte se, për shkak të shfaqjes, nuk do të kishte dyshime nëse do të vërehej prania e armëve para atentatit. Por, shumica ishte që ai të vritej ndërkohë që qëndronte ulur në Senat, aty ku do të ishte i vetëm, pasi josenatorët nuk do të pranoheshin, dhe ku komplotuesit e shumtë do të fshihnin kamat poshtë veshjeve. Ishte ky plani që fitoi”.
BRUTI BIND QEZARIN: “…miqtë e tij ishin të alarmuar nga disa zëra që kishin dëgjuar dhe u përpoqën ta ndalojnë që të shkojë në Senat, ashtu si bënë edhe doktorët, pasi ai vuante nga një prej marramendjeve të herëpashershme. E shoqja, Kalpurnia, e cila ishte e trembur për shkak të disa ëndrrave që kish parë, iu qep pas dhe i tha se nuk do ta lejonte të dilte atë ditë. Por Bruti, një prej komplotuesve që atëherë mendohej se ishte një mik i tij i ngushtë, erdhi dhe i tha: ‘Ç’është kjo, Qezar? A mos je burrë që i kushton vëmendje ëndrrave të një gruaje, si dhe thashethemeve të budallenjve, e të fyesh Senatin duke mos dalë, megjithëse ai të ka nderuar dhe është mbledhur posaçërisht për ty? Më dëgjo mua, lëri mënjanë parandjenjat e të gjithë këtyre njerëzve dhe eja. Senati ka që në mëngjes në seancë, duke të pritur’. Kjo e bindi Qezarin dhe ai u nis”.
OGURË TË KËQINJ: “Përpara se të hynte në sallë, priftërinjtë i sollën viktimat për të bërë atë që do të ishte flija e tij e fundit. Ogurët ishin qartësisht të pafavorshëm. Pas kësaj flije të pasuksesshme, priftërinjtë bënë të tjera për të parë në do të dilte diçka më e përshtatshme, nga ata që ishin zbuluar tashmë para tyre. Në fund, ata thanë se nuk ishin në gjendje të dallonin me qartësi qëllimet hyjnore, pasi kishte ndonjë shpirt transparent, të keq që fshihej tek viktimat. Çezari, i mërzitur e braktisi parashikimin e të ardhmes për në perëndim, ndonëse priftërinjtë vazhduan me përpjekjet e tyre.
Vrasësit e pranishëm u kënaqën nga kjo, ndonëse miqtë i kërkuan Çezarit ta shtynte takimin e Senatit për atë ditë, për shkak të asaj që kishin thënë priftërinjtë, dhe ai ra dakord. Por, disa shërbëtorë erdhën dhe i thanë se Senati ishte mbushur plot. Ai u hodhi një sy miqve, por Bruti iu afrua sërish dhe i tha: ‘Eja, zotëri i mirë, mos u kushto rëndësi dërdëllitjeve të këtyre burrave, dhe mos shty atë që Çezari dhe pushteti i tij kanë paracaktuar. Zgjidh kurajën tënde si ogurin e preferuar”. Ai e bindi Çezarin me këto fjalë, e kapi nga dora e djathtë, dhe i priu drejt Senatit, që ishte shumë pranë. Çezari e ndoqi pas në heshtje”.
SULMI: “Senati u ngrit në këmbë në respekt të postit të tij kur e panë të hyjë. Ata që kishin pjesë në komplot qëndruan pranë tij. Ngjitur me të shkoi Tiliu Cimber, vëllai i të cilit ishte dëbuar nga Çezari. Nën pretekstin e një kërkese modeste nga vëllai, Cimberi u afrua dhe e kapi nga manteli, me sa duket për të treguar një gjest edhe më pozitiv. Çezari donte të ngrihej dhe të përdorte duart, por nuk u lejua nga Cimberi dhe nisi të shfaqë irritim. Ky ishte momenti që të tjerët të ndërhynin. Të gjithë nxorrën me shpejtësi kamat dhe nxituan drejt tij. I pari, Servilius Kaska e goditi me majën e kamës në shpatullën e majtë, pak mbi klavikul. Ai kish shënjestruar pikërisht klavikulën, por në nxitim e sipër nuk ia doli. Cezari u ngrit për t’u vetëmbrojtur, dhe nëpër poteren e krijuar Casca i thirri në greqisht vëllait. Ky e dëgjoi dhe nguli kamën e tij në brinjë. Pas një momenti, Kasiusi e preu në fytyrë dhe Decimus Bruti e goditi në ijë. Ndërkohë që Kasius Longinus përpiqej t’i jepte një tjetër goditje, i shkau dora dhe goditi Markus Brutin në dorë. Minuci gjithashtu nuk qëlloi dot në trupin e Cezarit dhe goditi Rubriusin në kofshë. Ishin disa burra që bënin betejë kundër tij.
Pas gjithë plagëve të marra, ai u shemb në këmbët e statujës së Pompeit. Të gjithë dukej se donin që të kishin kontributin e tyre në vrasje, dhe nuk mbeti asnjëri pa i dhënë nga një goditje në trup, ndërkohë që ai rrinte aty shtrirë deri kur, i plagosur tridhjetë e pesë herë, mori frymë për herë të fundit”. Përkthimi: Bota.al
Komentet