Për vrasjen e tij dhe masakrën ndaj civilëve nga forcat serbe patën raportuar mediumet më të mëdha botërore.
BBC, më 7 mars 1998, raporti për vrasjen e Adem Jasharit, duke thënë se brenga ndërkombëtare po shtohet në lidhje me luftimet e ashpra në Kosovë ku forcat ushtarake dhe policore serbe po luftojnë kundër “separatistëve shqiptarë”, transmeton Koha.net.
Autoritetet serbe thonë të kenë goditur zemrën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kanë vrarë liderin e saj, Adem Jasharin, shkruan BBC në shkrimin e 7 marsit të vitit ‘98.
Por, gazetari i BBC-së, Paul Wood, në një raport ekskluziv nga Kosova, ka parë për së afërmi shtëpitë e pjesëtarëve të dyshuar të UÇK-së duke u djegur apo duke u rrënuar nga automjete ushtarake. Ishte edhe ndëshkim por edhe paralajmërim për pjesën tjetër të fshatit.
Serbët thonë se po e luftojnë terrorizmin, por Paul Wood thotë se nuk ka nevojë për operacione ushtarake të kësaj shkalle.
Shumë familje po ikin nga shtëpitë e tyre, po i kalojnë netët nëpër male, ndërsa partia kryesore politike shqiptare ka akuzuar serbët se kanë ndërmarrë një fushatë të re të spastrimit etnik.
“Duket të ikim”, thotë një fshatare. “Këtu ka luftë. njerëzit po vriten, madje dhe fëmijët. Dhe askush s’po bën asgjë”.
Ndërkaq më vonë, korrespodenti i BBC-së, Allan Little, më 12 mars të vitit 2000, pati shkruar se si marsin e vitit 1998, forcat serbe ishin futur në Prekaz dhe, me tanke e automjete tjera të armatosura, rrafshuan shtëpinë e familjes Jashari. Beogradi, siç citon BBC, Adem Jesharin e quante “terrorist famëkeq”, transmeton Koha.net.
“Ishte një aksion normal policor kundër një krimineli të njohur”, citon BBC gjeneralin serb Nebojsha Pavkoviq. “Ishte i suksesshëm. Detajet tjera s’më kujtohen”.
Por, BBC thotë se detajet që Pavkoviq kishte vendosur të mos i kujtonte ishin brengosëse. Pesëdhjetepesë anëtarë të familjes Jashari janë vrarë. Sipas BBC-së, “në Serbinë Milosheviqiane, natyrisht se ky është krejt një aksion normal policor”.
Por, sipas fjalëve të një gazetari të spikatur shqiptar, ishte gjithashtu një “favor i pamëshirshëm ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Masakra e Prekazit ishte një thirrje e mprehtë për ata mijëra burra shqiptarë që i ishin bashkëngjitur radhëve të, deri më tani, një grupi të vogël e nën hije të luftëtarëve të njohur si UÇK.
Por, më qenësore ishte se Prekazi do të ndryshonte edhe opinionin publik ndërkombëtar. “Sapo t’i marrim fotografitë e Prekazit, do t’i vendosim në internet”, citon BBC Veton Surroin, një lider i respektuar opozitar dhe botues gazete.
Veç BBC-së, ndër mediumet tjera të fuqishme në botë që raporti për vrasjen e komandantit legjendar Adem Jashari, ishte edhe “The New York Times”. Më 9 mars të vitit 1998, NYT pati raportuar për sulmin brutal të forcave serbe ndaj familjes Jashari, ku mbetën të vrarë 51 persona, në mesin e të cilëve edhe komandanti legjendar Adem Jashari.
Mediumi amerikan pati përshkruar në detaje skenat e tmerrshme pas sulmit të forcave serbe ndaj Jasharajve, ku thoshte se trupat e 51 shqiptarëve, pjesët e poshtme të së cilëve ishin mbështjellë me çarçafë të bardhë, qëndronin të shtrirë në dy radhë në dyshemenë e çimentuar të një garazhi të vjetër.
Trupat, disa prej të cilëve të djegur aq shumë sa nuk mund të identifikohen, përfshijnë 25 gra dhe fëmijë të vegjël. Në trupat e shumicës prej tyre shiheshin vrimat e errëta të kuqe nga plumbat. Kafkat e disa prej tyre ishin shtypur ndërsa njëri prej tyre ishte pa kokë.
Sipas “NYT”, ky sulm ka çuar në 77 numrin e shqiptarëve të vrarë vetëm gjatë një jave, ndërsa edhe mbi 10 të tjerë janë të zhdukur. Viktimat, shumica prej të cilëve nga fshati Prekaz, një bastion i fuqishëm UÇK-së, përfshinin edhe komandantin rebel, Adem Jashari – kokën e kishte të varur nga mbrapa dhe një fyt kishte një të çarë, transmeton Koha.net.
Familja Jashari, sipas NYT, dominon fshatin, ndërsa më shumë se 20 pjesëtarë të kësaj familjeje janë vrarë në ditët e fundit të dhunës. Forca serbe të armatosura deri në dhëmbë dhe njësi paramilitare, të mbështetur nga automjete të fuqishme ushtarake e helikopterë ushtarakë, marshuan nëpër këtë rajon për t’i larguar të tjerët, dhe më pas sulmuan “separatistët shqiptarë me plumba e artileri”.
Mediumi amerikan në atë kohë pati biseduar edhe me zyrtarin serb për informim, Boshko Drobnjak, i cili pati thënë se “Adem Jashari ka vrarë gruan dhe nipin e tij”. Kjo gjithmonë duke dashur të mohojnë krimin e rëndë të kryer ndaj familjes Jashari, pasi aty u vranë shumë gra e fëmijë.
NYT thotë se, edhe pse familja Jashari ishte e armatosur dhe kishin qëlluar ndaj policisë, ka dëshmi të bollshme se civilë të paarmatosur, e me gjasë edhe të gjithë meshkujt e ndaluar nga policia, janë ekzekutuar, shpesh edhe para fëmijëve dhe grave të tyre.
Ata që janë detyruar të largohen nga fshati, përfshi edhe 20 anëtarë të familjes Jashari, kanë thënë se policia i ka detyruar burrat të shtrihen për toke para familjeve të tyre dhe më pas kanë shtënë me armë automatike në trupat e tyre.
Nazmi Jashari ishte duke e ndihmuar nënën e tij për të ikur nga pjesa e prapme e shtëpisë së tyre kur ai u kap nga disa policë me fytyra të ngjyrosura, thonë familjarë të tij.
“E detyruan Nazmiun të shtrihet për toke dhe thanë, ‘shikoni se si do ta ekzekutojmë djalin tuaj’”, thotë motra e tij, Syleme Jashari, derisa nëna e saj, Nailja, rënkoi lehtësisht në duart e saj. “E qëlluan në qafë dhe në shpinë. Më pas policia më morën babanë tim dhe e rrahën me kondakë të armëve”.
Më tej, në shkrimin e NYT, janë përfshirë edhe të mbijetuarit e familjes Jashari, të cilët pasi ikën nga fshati i tyre, Prekaz, shkuan në Mitrovicë. Ata i rrëfyen në detaje mediumit amerikan momentet e fundit të shumë prej atyre që i shtrinë për toke në garazh.
Gratë mohuan raportet policore se u kanë ofruar mundësinë e ikjes para se të nisnin luftimet. Për më tepër, ato thonë se pak para agimit, persona dhe automjete të armatosura pushtuan fshatin, rrethuan disa shtëpi dhe sulmuan ata që flinin brenda.
“U zgjuam nga të shtënat e fuqishme”, thotë Naile Jashari, 64 vjeçe, dy djemtë e së cilës u vranë në luftime. “Të gjithë vrapuam për t’u strehuar”.
Gratë thonë t’i kenë fshehur fëmijët e frikësuar nga luftimet nëpër shtëpi derisa forcat serbe, të cilat po shkëmbenin të shtëna me separatistët në ndërtesa të tjera, nisën të qëllonin përmes dritareve.
“I detyruam fëmijët të shtriheshin në dysheme dhe deshëm t’i mbronim”, thotë Sala Jashari, 38 vjeçe, bashkëshorti i së cilës, Beqiri, 43-vjeç, është vrarë. “Pasdite, serbët nisën të hidhnin granata në drejtim të shtëpisë, edhe pse nga kjo shtëpi nuk po gjuante askush. Ata hodhën edhe gaz lotsjellës përmes dritareve. U detyruam të largoheshim”.
“Bashkëshorti im u plagos në fushën pranë shtëpisë sonë derisa po iknim me pesë fëmijët tanë. Na tha të vraponim, dhe se krejt çfarë ka rëndësi tani janë fëmijët. Djali im 10 vjeç provoi të ndihmonte babanë e tij, por i tha të ikte me mua”.
Komentet