TIRANË – Julian Sinanaj paralajmëron se nuk do të flasë më nëse nuk arrestohen personat që ai ka denoncuar deri më tani. Kështu “kërcënoi” sot vrasësi më pagesë në gjyqin e 34-t të Bandës së Tritolit. “Arrestoni ata që kam denoncuar për vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, ose nuk flas më”, tha ai në seancën e marrjes në pyetje.
Ashtu si edhe disa herë më parë, Sinanaj nuk ka kursyer akuzat në adresë të prokurorëve, të cilët i ka akuzuar si të korruptuar. Sipas tij, drejtësia nuk ka interes të zbardhet vrasja e ish gjyqtarit të Vlorës, Konomi.
Julian Sinanaj gjatë seancave gjyqësore ka konfirmuar motivin e vrasjes së gjyqtarit Konomi dhe ka deklaruar se i njeh autorët. Gjyqtari Skerdilajd Konomi u vra gjatë gjë atentati me eksploziv paraditen e 9 shtatorit 2011. Megjithëse ngjarja është ende e pazbardhur, pista kryesore e hetimit është ajo e vrasjes për motive pronësie, e kryer me pagesë.
Sipas prokurorisë, Julian Sinanaj akuzohet për vrasjen e Sokol Veizit dhe Agron Çelës, si dhe tentativen e vrasjes së J. M, ku dyshohet të jetë ndihmuar nga Ndriçim Gjokona. Porositësit akuzohen të kenë qenë Andon e Genis Mëhillaj. Po sipas akuzës, ai dyshohet të jetë autori i shpërthimit të eksplozivit në banesën e Ardian Kollozit, si dhe ndërtues i një mine që u gjet në automjetin e ish-prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi. Prokuroria pretendon se montimi është bërë nga i pandehuri Marjon Mitro. Ndërsa biznesmeni Karçini akuzohet të jetë porositës i vrasjes së P. Bares, ekzekutim i pakryer.
Komentet