Tej jurisprudencës së ngushtë, sjellja votuese e deputetëve, veçanërisht të LDK-së në rastin e zgjedhjes së presidentit të Kosovës, është ndesh frymës kushtetuese të Kosovës. Nuk ka rëndësi nëse është votuar sipas vullnetit të tyre të lirë, për të mirën e popullit apo nën presion. Cilado qoftë arsyeja, secila bie ndesh Kushtetutës dhe idesë së demokracisë.
Nga përcaktimi kushtetues i deputetit, Kosova është demokraci përfaqësuese: Neni 2, pika 1 dhe Neni 70, pika 1 përcaktojnë se deputeti në Kuvendin e Kosovës është “përfaqësues i popullit”. Veç këtij, deputetët “nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues” tjetër, asnjë urdhërimi, autorizimi apo përfaqësimi të dikujt tjetër, as ndërgjegjes së tyre të lirë, siç mund ta përcaktojnë kushtetutat e disa vendeve.
Sipas Kushtetutës së RK-së, deputetët e Kuvendit të Kosovës janë të mandatuar. Vetë kuptimi i fjalëve deputet, mandat, përfaqësim, etj., e thotë detyrën e tyre kushtetuese: “mandat” nga latinishtja “mandatum” = manus (dorë) dhe “dore” (i jepet, i vihet) = i jepet në dorë të bëjë një punë, është i ngarkuar, urdhëruar, komandë, etj. Po ashtu emri “deputet”, nga latinishtja “deputatus”, i emëruar si zëvendës për dikë tjetër dhe i autorizuar të veprojë për të, në emër të tij, ta përfaqësojë atë në mungesë të autorizuesit; zëvendësues në një post.
Demokracia përfaqësuese bazohet në argumentin se në shoqëritë e mëdha është e pamundur që në miratimin e ligjeve dhe të vendimeve, të detyrueshme për të gjithë, të marrë pjesë i gjithë populli. Në këtë pamundësi populli i merr vendimet dhe i jep ligjet vetes nëpërmjet përfaqësuesve që i zgjedh vetë. Pra, përfaqësuesit e popullit, deputetët, siç e thotë kuptimi i fjalës, e zëvendësojnë popullin në Kuvend si të urdhëruar, të ngarkuar, të komanduar, të autorizuar, etj., të tij. Nga ana tjetër, përfaqësuesi (deputeti, zëvendësi) e humb autorizimin nëse nuk vepron sipas autorizuesit, sepse nuk është më përfaqësues i tij = zëvendës në vend të atij që duhej të kishte shkuar vetë në legjislativ.
Praktikisht, individë, me nismën e tyre ose të propozuar nga partitë politike, gjatë fushatës zgjedhore shkojnë dhe i propozojnë popullsisë (votuese) vendimet që duhet të merren në Kuvend dhe të kthehen në ligje. Nëse sovrani, populli, i konsideron si vullnet të tij marrjen e atyre vendimeve i zgjedh ata, domethënë i autorizon që në emër të tij, si përfaqësues të tij të marrin ato vendime. Ne rastin e LDK-së, si parti dhe si individë të propozuar prej saj, gjatë fushatës zgjedhore i kanë thënë popullit se do të marrin vendime për largimin e PDK-së dhe të Hashim Thaçit nga pushteti. Që të veprojnë kështu janë zgjedhur si të dërguar, të mandatuar, të autorizuar, etj., në Kuvendin e Kosovës.
Në rastin më të mirë për ta, se paskan votuar “nga ndërgjegjja e tyre e lirë”, siç e kanë gjykuar si “më e mira për vendin dhe popullin”, prapëseprapë votimi i tyre është ndesh përcaktimit kushtetues dhe të natyrës së demokracisë përfaqësuese, sepse e zëvendëson sovranitetin e popullit me sovranitetin e (ndërgjegjes) së tyre. Sipas Kushtetutës deputeti është i zgjedhur si përfaqësues i popullit, ndërsa sovraniteti i vullnetit dhe i pushtetit “i takon popullit dhe ushtrohet… nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur” (Neni 2, pika 1). Vetëm duke i vënë ligjet vetes populli është autonom (autonomos = që i vë ligjet vetes), është sovran, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës se nuk urdhërohet (ligjërisht) nga askush tjetër veç vetes së tij. Përkundrazi, çdo vendimmarrje tjetër, qoftë në “emër” të tij ose “për të mirën” e tij, etj., i heq popullit sovranitetin dhe autonominë, dhe në vend të tij autonom ose sovran bëhet individi apo grupi i ngushtë që merr vendime nga ndërgjegjja e vet autonome, sovrane, pavarësisht autorizimit nga populli. E gjitha kjo bie në kundërshtim me idenë themelore se demokracia nuk është vetëm për popullin (të mirën e tij, çka e bën edhe “diktatori i iluminuar”), por para së gjithash nga populli.
Prandaj për sa që Kushtetuta e përcakton si përfaqësues, deputeti në Kuvendin e Kosovës nuk është vendimmarrës në lirinë e vullnetit dhe të ndërgjegjes së tij personale. Për rrjedhojë, në rastin e deputetëve të LDK-së që e kanë votuar Hashim Thaçin, sipas “vullnetit të vetë të lirë”, nuk kanë vepruar si përfaqësues të zgjedhur dhe të mandatuar, meqenëse çështja ka qenë diskutuar gjatë fushatës zgjedhore dhe kanë qenë mandatuar të mos mbështesin PDK-në dhe shprehimisht kryetarin e kësaj partie, Hashim Thaçi. Duke mbështetur Hashim Thaçin, deputetët e LDK-së ndonëse mund të kenë votuar sipas vullnetit të tyre të lirë, kanë votuar në kundërshtim me përcaktimin e tyre kushtetues si përfaqësues, të zgjedhur, të përfaqësojnë zgjedhësit dhe jo vullnetin e tyre krejt të lirë.
Në rastin më të keq për ta, votimi nën presion bie ndesh me nenet dhe frymën e Kushtetutës, veçanërisht me Nenin 4, pika 1 dhe 4, Nenin 70, pika 1, dhe Nenin 75, pika 1, po aq sa me idenë e demokracisë. Përkatësisht në ta thuhet: “Kosova është Republikë demokratike e bazuar në parimin e ndarjes së pushteteve dhe kontrollit e balancimit në mes tyre, sikurse është përcaktuar me këtë Kushtetutë”. Dhe se: “Qeveria e Republikës së Kosovës është përgjegjëse për zbatimin e ligjeve e politikave shtetërore dhe i nënshtrohet kontrollit parlamentar”.
Përkundrazi, duke iu nënshtruar presionit të kryeministrit dhe të ministrave të Qeverisë, deputetët kanë shkelur parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve. Për më tepër, duke iu nënshtruar presionit të kryeministrit dhe të ministrave të Qeverisë, deputetët me veprimin e tyre e kanë vënë faktikisht Parlamentin nën kontrollin e ekzekutivit, në kundërshtim të fjalëpërfjalshëm me këtë nen të Kushtetutës. Në Nenin 70, pika 1 thuhet: “deputetët e Kuvendit janë përfaqësues të popullit dhe nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues”. Duke iu nënshtruar presionit të kryetarit të partisë, z. Isa Mustafa, deputetët kanë vepruar në kundërshtim me detyrimin kushtetues që të veprojnë si “përfaqësues të popullit” dhe jo të kryetarit të partisë së tyre. Sipas përcaktimit kushtetues deputetët “nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues” tjetër, duke përfshirë atë partiak, veç përfaqësimit të popullit.
Neni 75, pika 1, mbi imunitetin e deputetit thotë se: “Deputetët e Kuvendit gëzojnë imunitet nga ndjekja penale, paditë civile ose shkarkimi për veprimet dhe vendimet e tyre brenda fushëveprimit të përgjegjësive të tyre si deputetë të Kuvendit. Imuniteti nuk pengon ndjekjen penale të deputetëve të Kuvendit për veprimet e ndërmarra jashtë fushëveprimit të përgjegjësive së tyre si deputetë të Kuvendit”.
Interpretimi më me kuptim i këtij neni, së paku i frymës së tij siç është formuluar, është siguria që i jepet deputetit që të veprojë si përfaqësues i popullit përkundër presionit që mundet të ketë nga partia politike e tij ose nga ekzekutivi. Përndryshe neni nuk e imunizon nga votimi nën presione kriminale që ushtrohen nga të tjerët, individë ose në grup, për sa që e ka detyrën ligjore t’i kallëzojë si të tilla. Po ashtu imuniteti (pjesa e dytë e nenit) nuk e siguron përballë veprimeve të veta të tilla si votimi nëpërmjet mitëmarrjes ose pazareve me privatë apo grupe. Pra duket se fryma e nenit për imunitetin e deputetit është ta sigurojë në veprimtarinë e tij si përfaqësues i popullit përballë presionit politik, ekonomik ose çfarëdo tjetër që mund të ushtrojë ndaj tij pushteti partiak, privat ose ekzekutiv. Çka siguron Kushtetuta është se deputeti duhet t’i qëndrojë besnik mandatimit nga populli: kur partia i kërkon këtë besnikëri, i kërkon të zbatojë programin partiak me të cilin ka fituar mandatimin nga populli dhe deputeti i nënshtrohet “disiplinës partiake” është në përputhje me përcaktimin e tij; kur deputeti nuk i nënshtrohet kësaj “disiplinë partiake”, por vepron sipas “ndërgjegjes së tij” është ndesh përcaktimit të tij. E kundërta: kur deputeti i nënshtrohet “disiplinës partiake” për të vepruar në kundërshtim me autorizimin që ka marrë ai dhe partia e tij nga populli, bie ndesh Kushtetutën dhe demokracinë. Për këso rastesh studimet krahasuese kanë dëshmuar se nënshtrimi i deputetëve ndaj disiplinës partiake e ka dobësuar demokracinë në frymën dhe kuptimin e saj të mirëfilltë, duke e kthyer secilën herë e më shumë nga demokraci prej popullit në regjim partiak dhe në lojërat e kryetarëve të partive për pushtet dhe sovranitet personal.
Këtyre aspekteve mund t’iu shtohen konsiderata të përgjithshme që provojnë se sjellja e deputetëve në procesin e votimit të presidentit të Republikës bie ndesh me frymën e Kushtetutës së Republikës me demokraci përfaqësuese. Siç e thamë, demokracia përfaqësuese e merr legjitimitetin e saj nga fakti se vendosja e ligjeve nëpërmjet përfaqësimit është e barasvlershme me vendosjen e ligjeve nga vetë populli (që sipas Nenit 2, pika 1, është burimi dhe bartësi i sovranitetit). Nga fakti se vetë populli, nëpërmjet përfaqësimit, ia jep vetë ligjet vetes (ruan autonominë, vetëligjësimin) buron detyrimi i popullit t’iu bindet ligjeve që vetë ia ka vënë vetes. Përndryshe, populli nuk ka detyrim legjitim t’iu bindet ligjeve për të cilët nuk ka dhënë asnjë miratim, aq më pak kur ka dërguar përfaqësuesit të votojnë kundër një vendimi të cilin në fakt e miratojnë deputetët duke mos qenë më përfaqësuesit e tij. Prandaj, me votimin e tyre në procesin e zgjedhjes së presidentit të Republikës, një numër i konsiderueshëm i përfaqësuesve të popullit e kanë dëmtuar frymën e Kushtetutës, legjitimitetin e vendimeve të Parlamentit dhe themelin e detyrimit të popullit për t’iu bindur ligjeve të nxjerra nga Parlamenti.
*Profesor i filozofisë politike dhe i së drejtës
Komentet