Duke parë se në Tiranë opozita është duke e kthyer në “kauzë” Votimin Elektronik, ndërsa pas tre muajsh Shqipëria hyn zyrtarisht në fushatë zgjedhore, Voal po ju sjell një reportazh të shkruar 4 vjet më parë, në qershor të vitit 2013, kur bashkë me kolegë të organizatës të gazetarëve ku bëjmë pjesë, ishim ftuar nga Kancelarja Federale Znj. Corine Casanova e cila na shpalosi temën Votimi Elektronik në Zvicër. Ju ftojmë që ta lexoni dhe pastaj të reflektoni. Sipas të dhënave të vitit 2015, me votim elektronik në Zvicër mund të votonin vetëm në Kantonet e Gjenevës dhe Neuchâtel. Dhe këtë të drejtë e kishin 90 000 persona, kur në gjithë Konfederatën Helvetike me të drejtë vote janë rreth 3 milionë e 500 mijë ! Këshilli Federal po ashtu ka krijuar mundësi logjistike për votim elektronik edhe për 34 000 zviceranë që jetojnë jashtë Zvicrës dhe janë banues në kantonet e Gjenevës, Luzernës, Bazelit dhe Neuchâtel. Një numër i vogël ky në krahasim me 746 885 zviceranë që sipas statistikave jetojnë jashtë Konfederatës Helvetike. Lexim të këndëshëm. Ju përshëndesim Elida dhe Skënder Buçpapaj
ZVICRA PIONIERE E DEMOKRACISË DIREKTE
KANCELERIA FEDERALE, SHTATMADHORIA E KËSHILLIT FEDERAL – NË SHËRBIM TË SË DREJTËS POLITIKE – E-VOTING
Voal- Në ditën e tij të pestë, qershori i ka marrë plotësisht frenat jo vetëm për të pritur stinën aq dëshpërimisht të vonuar të pranverës, por edhe për ta bërë ndërrimin e saj me stinën e verës. Dhe ditët e bukura janë një nga privilegjet që fati ua rezervon shpesh udhëtimeve të gazetarëve të APES. Trenat nga dy drejtimet kryesore, ai nga Bazeli dhe ai nga Gjeneva, kanë mbërritur gati njëkohësisht në Bernë, kështu që ne takohemi dhe së bashku, në grupe që improvizohen përgjatë rrugës që nga stacioni qendror, ne mbërrijmë tek Qendra e Mediave. Atje na pret, tejet ngrohtësisht, tashmë miku ynë Claude Gerbex, përgjegjës i informacionit në gjuhën frënge pranë Kancelerisë Federale të Zvicrës.
Dekori i Qendrës të Shtypit, ku në mure janë pikturuar veshët
USHTRIMI I MIRË I SË DREJTËS POLITIKE – NJË MISION I KANCELERISË FEDERALE
Veprimtarinë e sotme e organizon Kanceleria Federale e Zvicrës. Ndonëse një vit më vonë nga ajo e vjetshme, ditët ngjajnë aq shumë me njëratjetrën, pothuaj njëlloj mikpritëse, sa mund ta quash ndoshta një nga rastet e pakta e gati të pamundura kur, sado nga larg, ditët e kopjojnë vetveten. Natyrisht, itinerari nuk është i njëjtë dhe tema është krejt tjetër.
Jemi katër ditë para referendumit të së dielës, 9 qershor 2013, ku njëra nga dy çështjet për të cilat, nëpërmjet një iniciative popullore, qytetarët do të japin verdiktin e tyre,është nëse tash e tutje Këshilli Federal do të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli apo do të vazhdojë të zgjidhet nga Parlamenti i dalë prej votës së popullit. Kështu demokracia zvicerane, në rrugën e saj të përkryerjes së pandërprerë, po përgatitet drejt një faze më të lartë të saj si demokraci sa më direkte.
Pasi pijmë kafen e mëngjesit, gjatë së cilës kemi praninë dhe biseda nga afër me Kancelieren Federale zonjën Corine Casanova, fillon Konferenca për Shtyp. Duke drejtuar vështrimin tek dekori i sallës së konferencave, zonja Casanova, na thotë “Ju gazetarët jeni veshët e hapur të shoqërisë, për të kapur gjithçka që përbën realitetin.”
Në Shqipëri, mjerisht gazetarët janë veshët e politikanëve dhe pronarëve.
Fillon referimi i zonjave Casanova dhe Barbara Perriard, drejtuese e Seksionit të të Drejtës Politike, të cilat pastaj iu përgjigjen pyetjeve që nuk kanë të mbaruar. Me zonjën Perriard, lindur dhe rritur në Bazel Land, në kantonin tonë, patëm edhe një bisedë të veçantë para fillimit të konferencës. Ajo i ka mbaruar studimet për drejtësi në Universitetin e Bazelit dhe vjen në detyrën e saj, ku punon prej tri vitesh, pas një përvoje në marrëdhëniet publike në sektorë privatë, politikë dhe shtetërorë.
Kanceleria Federale, ia kujtojmë lexuesit, është një agjenci e nivelit të departamentit, pra të ministrisë, në administratën federale të Zvicrës. Ajo është organizuese e stafit të qeverisë federale, Këshillit Federal. Prej vitit 2008 drejtohet nga Kancelarja Federale Corina Casanova e Partisë Kristiane Popullore Demokratike të Zvicrës. Zonja Casanova takohet çdo javë me Qeverinë Federale. Qytetarët po ashtu, kanë të drejtë të jenë të informuar sa më shpejt dhe saktë. Kanceleria Federale siguron bashkërendimin e komunikimit të Konfederatës dhe respektimin e pluralizmit gjuhësor nga ana e Administratës Federale ndaj opinionit publik. Zëdhënësi Këshillit Federal dhe nënkancelar André Simonazzi i informon mediat dhe qytetarët në mbarim të mbledhjes javore të Qeverisë Federale. Kanceleria Federale është përgjegjëse për publikimin e Përmbledhjes Federale, e Fletores Federale dhe e Përmbledhjes sistematike të të Drejtës Federale. Botime si “Konfederata me pak fjalë” ia ilustrojnë popullit zviceran Shtetin zviceran dhe funksionimin e tij. Kanceleria Federale ka prani të madhe në internet, ajo administron faqet elektronike të Konfederatës: www.admin.ch, www.bundesrat.admin.ch, www.bk.admin.ch, www.news.admin.ch e portalin zviceran www.ch.ch. Ajo promovon ndër të tjera Qeverinë elektronike (E-Government) dhe i bashkërendon veprimtaritë e webmasterve të departementeve (ministrive).
Zonjat Corine Casanova, Barbara Perriard dhe z.Gerbex
ZVICRA VENDI I REFERENDUMEVE
Ushtrimi i mirë i së drejtës politike është një nga misionet kryesore të Kancelerisë Federale. Në Zvicër, në shkallë vendi, çdo vit zhvillohen 3-4 votime popullore. Të drejtat politike ushtrohen nëpërmjet iniciativave popullore. Mjaftojnë 100 000 nënshkrime të mbledhura, në një periudhë 18 mujore, për të mbajtur votime për një temë të caktuar, e cila rezulton me ndryshime kushtetuese. Për një referendum popullor mjaftojnë 50 000 nënshkrime, të mbledhura brenda gjashtë muajsh, për të shkuar në votime popullore. Referendumet popullore janë fakultative dhe kanë të bëjnë me ndryshime ligjesh, ose janë detyruese dhe kanë të bëjnë me ndryshimin e neneve të Kushtetutës.
Ushtrimi i demokracisë direkte në Zvicër është më i vjetri në botën moderne. Daton më 1891, ku u mbajt iniciativa e parë popullore, nga të cilat deri tash janë zhvilluar 183. Numri i referendumeve të zhvilluara në botë nga vendet sovrane që nga Revolucioni Francez deri më 25.11. 2012, është 1622, nga këto 577 janë zhvilluar në Zvicër, pjesa tjetër – në Amerikë 172, në Afrikë 156, në Azi 106, në Australi e Oqeani 113, në Lindjen e Mesme 101, në Evropë 397. Pra, në Zvicër janë zhvilluar më shumë se një e treta e referendumeve në shkallë botërore, çka e bën Zvicrën pionere të demokracisë direkte në botë.
E-VOTING – VOTA ELEKTRONIKE
E veçanta e referendumit të 9 qershorit 2013 është edhe shtrirja më e madhe e votës elektronike. Krahas votimeve elektronike në përqindje të caktuara në kantonet e ndryshme, votën e tyre do ta japin në mënyrë elektronike, pra nëpërmjet Internetit, 70 000 zviceranë që ndodhen jashtë vendit, si dhe 90 000 zviceranë të kantoneve Gjenevë e Nojshatel. Vota elektronike ka disa përparësi, krahasuar me hedhjen e fletës së votimit në kutinë përkatëse dhe me votën e dërguar me korespondencë. Kjo mënyrë e lehtëson votimin e qytetarëve jashtë vendit, po ashtu të qytetarëve invalidë. E bën të pamundur ndikimin e votuesit në dhënien e verdiktit të tij. E krijon mundësinë për një numërim të shpejtë të votave dhe për një nxjerrje sa më të shpejtë të rezultateve përfundimtare të votimeve. Zvicra është vendi që i nxjerr më shpejt rezultatet përfundimtare të votimeve, prenda pak orëve.
E-voting, votimi elektronik, ka edhe mangësitë e tij. Dhe këto përbënin edhe objektin e pyetjeve të shumta nga ana e kolegëve pjesëmarrës në Konferencën e Shtypit. Bëjnë, madje edhe nga dy-tre pyetje secili: Robert (Bob) Evans, Jean-Paul Hoearau, Freddy Mulongo, Rui Martins, Yury, Emilia, Julia e tjerë. Krahas vështirësive teknolgjike, vështirësive për t’u shkëputur nga mënyrat tradicionale, ekzistojnë edhe probleme të natyrës së fshehtësisë së votës, çka konsiderohet e cënueshme për shkak se dihet adresa e votuesit. Prandaj kjo mënyrë është shtrirë nëpërmjet projekteve fillestare në terrene më të gatshme e më të përshtatshme për t’u përqafuar me dëshirën e vetë qytetarëve nga njëra periudhë kohore në tjetrën. Përveç Zvicrës (prej 2004), deri tash në Evropë, janë vetëm Estonia (2005), Norvegjia (20011) dhe Franca (2011) që e praktikojnë votën elektronike.
Pikërisht për shkak të mangësive, sado të kufizueshme, votimi nëpërmjet postës elektronike ka shtrirje graduale, ndonëse gjithnjë e më të sigurt. Në përgjigjet e pyetjeve, zyrtarët e Kancelerisë Federale e krahasojnë procesin e shtrirjes së votës online me procesin e formimit të vetë Zvicrës. Më 2000, kantonet e Gjenevës, Nojshatelit dhe Zyrihut, themeluan votimin elektronik, ashtu si kantonet Uri, Shvic dhe Untervalden më 1291 themeluan bërthamën e Zvicrës së sotme. Prej vitit 2011 tashmë 11 kantone janë përfshirë në këtë mënyrë të pjesëmarrjes politike.
Projekti i është besuar pikërisht Kancelerisë Federale, si ndërlidhës e bashkërendues i përpiktë i bashkëpunimit mes kantoneve. Ndryshe nga vendet e tjera, të cilat i organizojnë votimet elektronike në qendrat e votimit, Zvicra, ku 90% e votave dërgohen me postë, ka parë Internetin si rrugën më natyrale të zgjerimit të mundësive të votuesve për të marrë pjesë në votime. Zvicra ka organizuar një mënyrë të hyrjes në sistemin E-voting në atë formë që sekreti i votës gjatë numërimit të jetë i respektuar.
Organizata e Zviceranëve që jetojnë jashtë vendit është më e kënaqura për mënyrën elektronike të votimit: “Është vërtetë e rëndësishme që të gjithë zviceranët që jetojnë jashtë saj, pavarësisht se ku ndodhen, mund të marrin pjesë në proceset politike dhe demokratike falë E-votimit.” E-votimi është i mundur në vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe në shtetet të cilat kanë firmosur Wassenaar Arrengement, si dhe disa shtete të tjera më të vogla të Evropës. Rreth 90% e zviceranëve jashtë atdheut që marrin pjesë në këto votime jetojnë pikërisht në këto vende.
INTERNETI E AFRON SHTETIN PRANË POPULLIT, KU ÇDO VOTË PËRKTHEHET NË DEMOKRACI
Interneti e afron shtetin më pranë popullit. Dhe çdo votë përkthehet në demokraci. Për këtë Konfederata dhe kantonet janë duke bërë gjithçka që vota elektronike të ketë siguri sa më të lartë që të jetë e mundur. Përparësi kryesore ka pikërisht zhvillimi i sigurisë sa më të lartë të sekretit të votës. Kjo është arsyeja pse vota elektronike po shtrihet gradualisht, nën moton: ngadalë, por sigurt. Mbahet lidhje konstante me Universitetet politikenike të vendit, me qëllim përsosjen.
Kështu, që nga viti 2000, kur fillloi eksperimentimi, vota elektronike ka pasur këtë shtrirje: 2004 – Gjeneva, projekti i parë pilot i votës federale; 2005, Nojshateli; 2008, Gjeneva, Nojshateli dhe Zyrihu projekte paralele pilot. Po atë vit Nojshateli ekeperimentoi për herë të parë votën elektronike të votuesve jashtë vendit. 2011, marrëveshja e Gjenevës, Bazelit Qytet, Lucernës dhe Bernës për zviceranët jashtë vendit. 2009 krijimi i konsorciumit të votës elektronike që përfshin kantonet Argau, Friburg, Graubynden, Shafhauzen, Sent Galen, Soloturn e Turgau. 2011 projekti i parë pilot për zgjedhjen e Këshillit Nacional në kantonet Bazel Qytet, Argau, Graubynden dhe Sent Galen, ku u përfshinë edhe zviceranët jashtë vendit. Më 2015 synohet që të gjithë zviceranët jashtë vendit të përdorin E-votimin për zgjedhjet e Këshillit Nacional.
Zonja Casanova u thotë mirëseardhjen gazetarëve në Maison Wattevile
NË LARTËSINË E MYSAFIRËVE TË MAISON WATTEVILE
Nëpër Sheshin Federal, pranë shatërvanëve lozonjarë, përskaj ahave dekorativë lotues, pastaj nëpër sheshin e Mynsterit dhe hollësive të tjera, të fiksuara për të kushedisatën herë në shkrepjet tona fotografike dhe filmimet tona, zhvendosemi në këmbë në Maison Wattevile, kështjellën e famshme ku priten mysafirët më të lartë të Bernës zyrtare, një mjedis që të ofron gjithnjë risi kureshtare të pazbuluara më herët, ku çdo objekt, çdo hollësi përveç funksionit utilitar (dobiprurës) ngërthen në vete arte të zbukurimit dekorues si dhe shpalos në kënde të ndryshme dhe në kthina e salla të ndryshme nëpër mure gjithandej piktura të paktën që nga Rilindja Evropiane e këndej. Ne kishim qënë edhe herë të tjera në Maison Wattevile në konferenca për shtyp, duke shoqëruar të ftuarit e lartë të qeverisë zvicerane. Ndërsa kësaj here ishim ne vetë gazetarët miqtë e saj ekskluzivë. Një nder i madh ky që na bënte Madame Corine Casanova, si shefe e Kancelarisë të shtetit.
E ndodhur në Junkergasse Nr. 59, në Qytetin e Vjetër të Bernës, pak hapa larg ndërtesës tjetër të famshme karakeristike benreze Erlacherhof, Maison Watteville është nga ato kështjella, të cilat prej zanafillës, nëpër të gjitha metamorfozat e saj iu ka ofruar mysafirëve befasi nga më romantiket. Në kohën kur u ndërtua ajo iu paraprinte disa ndërtimeve të tilla mesjetare rreth e rrotull.
Herr Urs Staub e bëri aq interesante për gazetarët historinë e Maison Watteville
Pas një fjale të shkurtër paraqitëse nga zonja Casanova, fillon një aperitiv, gjatë të cilit zotëri Urs Staub, shef i seksionit të Muzeve, Zyra Federale e Kulturës, na jep në mënyrë të shkëlqyer përshkrime historike dhe zbërthime artistike të përbërësve të kështjellës.
E njohur si Shtëpia e Beatrice von Wattenwyl, ajo ishte strehë e shumë familjeve të cilat u rritën së bashku nëpër rrjedhën e më shumë se pesë shekujve. Arkitektura e kështjellës, pavarësisht ndërhyrjeve të mëhershme apo të mëvonshme, mban vulën e arkitektit të famshëm Joseph Abeille, i cili midis viteve 1695-1710 e ristrukturoi thellësisht arkitekturën e brendshme të saj dhe ia shtoi fasadën elegante të silit të Luigjit XIV. Ai harmonizoi mes tyre arkitektura dhe shije të të gjitha arkitekturave të jashtme dhe të brendshme nga kishte kaluar edhe vetë qyteti i Bernës. Prej vitit 1934, pra prej 99 vitesh, Qeveria Federale e Zvicrës i ka pritur miqtë e saj këtu. Kështjella është e hapur për publikun 4 herë në vit, çdo të shtunë të parë të janarit, prillit, korrikut dhe tetorit. Termat e trashëgimisë, të vitit 1929, sigurojnë jo vetëm që ndërtesa të jetë në përdorim për qëllimet aktuale, por edhe që do të ruajë karakterin e saj të një mjedisi shtëpiak bernez.
Historia e kësaj shtëpie fillon në vitin 1529, si pronë e familjes Frisching. Dhe thirrej shtëpia e Frischingëve. Nga viti 1838, kur Sophie Frisching martohet me Friedrich von Wattenwyl, shtëpia kalon në pronësinë e Watenwylëve dhe thirret përfundimisht shtëpia e Wattenwylëve.
Aventura e rreth katërmbëdhjetë breznive të kësaj kështjelle zë fill nga Hans Frisching. Mercenar i kapur rob më 1513, ai dëbohet nga Berna dhe i konfiskohet e gjithë pasuria. Në vitin 1528 ai lejohet të kthehet në qytetin e lindjes. Zgjidhet më 1535 anëtar i Këshillit të Madh (Këshillit të Qytetit) dhe më 1542 në Këshillin e Vogël (Këshillin Ekzekutiv). Brez pas brezi, bijtë më të shquar të kësaj shtëpie ishin të lidhur ngusht sa me pushtetin ekzekutiv e legjislativ aq edhe me karrierën ushtarake dhe me qarqet protestante. Personaliteti më i shquar i familjes ishte Franz Rudolf Frisching (1733 – 1807) një patricien, oficer i lartë, politikan dhe industrialist. Ai themeloi Manifaturën e Prodhimit të Fajancave në Bernë. Periudha e ngritjes së tij është edhe periudha e zgjerimit të pronave të familjes.
Më 1838 kështjella, nëpërmjet martesës, kaloi, pra, tek familja Wattenwyl. I fundit i sagës ishte Jacob Emanuel von Wattenwyl. Pronarët e fundit privatë, patricët Béatrice and Jakob Emanuel von Wattenwyl, nuk patën fëmijë. Në cilësinë e trashëgimtarit me të drejta të plota nga e shoqja Beatrice, e larguar nga jeta më 1923, Jacob Emanuel von Wattenwyl ia lë trashëgim Qeverisë Federale shtëpinë kështjellë më 1929, pesë vjet para se edhe ai të largohej nga jeta.
Kontrata e trashëgimisë ia ndalon Qeverisë Federale të bëjë ndryshime të mëdha në shtëpi. Brenda kushteve të përcaktuara në kontratë, Zyra Federale e Ndërtimeve dhe Logjistikave e ka restauruar shtëpinë gradualisht: më 1949 rruga përballë, më 1957-1958 hyrja në holl, oborri i pasmë, shkallët spirale, krahu jugor dhe taracat, në këtë fazë u restauruan edhe dritaret e anës jugore dhe taraca kryesore u kthye në formën e dikurshme, më 1983-1986 ishte faze përfundimtare e restaurimit tërësor.
Kështjella është ende e pajisur me objekte kryesisht të Shekullit XVIII dhe XIX, si dhe me shumë portrete të pjesëtarëve të familjeve Frisching dhe von Wattenwyl. Kështjella ka kopshtin-taracë më të madh të ndërtuar në mënyrë private në Qytetin e Vjetër të Bernës.
Sikurse ndërtesa, ashtu edhe objektet, pajisjet, mobiljet, takëmet, portretet e varura nëpër mure, gjithçka këtu kanë historinë e vet të vënies në përdorim për herë të parë, të funksionimit në mjedisin e caktuar, të përkatësisë ndaj anëtarit të caktuar të familjes. Një familje e madhe e përfshirë gjithnjë në sferat e larta të pushtetit, të politikës, të ushtrisë, të religjionit ka lidhje dhe krushqi të shumta, ka miqësi të shumta, mikpritje, marrje e dhënie dhuratash. Të gjitha këto pasqyrojnë risitë, modernitetet e të gjitha etapave që ka përshkuar mënyra e jetesës në Bernë dhe të zhvillimit të saj në të gjithë këta shekuj. Kanë historinë e tyre që nga qilimat e koridoreve, të shkallëve, të antidhomave, të bibiliotekës, të dhomave te ndenjes apo të gjumit, tek tavanët, tek dollapët, komotë, varëset e garderobave, tek kangjelat anësore të shkallëve, tek ornamentet zbukuruese në dru, në gur, metal apo materiale të tjera, tek tavolinat dhe karriget, tek divanët, tek bufetë, tek enët, tek qelqet, terrakotat, majolikat, tek fildishet, qelibaret, tek shandanët, pasqyrat, tek orët, aplikimet e mureve etj. etj.. Histori të veçantë kanë portretet, të cilat përgjithësisht kanë emra të përveçëm të familjes dhe data përgjatë brezave, emrat e piktorëve të cilët i kanë bërë ato portrete. Gjithçka këtu ngjall kureshtje të jashtëzakonshme, por do të ishte e pamundshme t’i ndiqje hollësitë e pafundme nëse, me humorin e tij aq të natyrshëm, duke krijuar situata gazmore të historive intime apo të thashethemnajave të dikurshme rreth personazheve më të famshëm të familjes, zotëri Staub nuk do të bënte që të mos ndihet aspak koha që kalon.
NJË PËRMBYLLJE GAZMORE DHE MIQSORE
I vjen radha pastaj një bufeje tejet të pasur dhe delikatesë e gjitha, me pjata të ftohta të shoqëruara me salca të ftohta, barishtesh e frutash egzotike, ku nuk mungon kurrë dimensioni i djathrave, plotësuar pastaj nga prania e personelit të kameriereve dhe kamarierëvet të shumtë, të cilët na ofronin disa lloje „hot dishes“ nëpër ca taska porcelani shumë elegante, e pastaj vijonin me verëra, shampanjë e deri tek dezertet, që ngjanin si piktura moderniste nga dekoracionet plotngjyra. Ne jemi në tavolinë me Bobin, mikun e vjetër të APES, gazetarin veteran të Reuters. Bisedojmë për familjet tona, për nipat e mbesat e Bob, për djemtë tanë, për krijimtarinë, për botimet, për librat, pastaj bisedojmë për Uellsin e tij, për Shqipërinë tonë, për keltët e tij dhe për pellazgët tanë, vendasit e parë të kontinentit të Evropës, për enigmën etruske dhe për enigma të tjera të historisë evropiane, për ilirët dhe të tjerët, të ardhurit më të hershëm të Evropës, për perënditë greke me emra shqip, për probleme të aktualitetit të sotëm botëror parë nga këndi i profesionit tonë të përbashkët. I gjithë ai ambjent i bukur plus shampanja na kishin frymëzuar të gjithëve, pa përjashtim.
Zonja Casanova vjen nëpër tavolinat e gazetarëve, me respekt, ngre dolli, shkëmben biseda të rastit me grupe të ndryshme. Pastaj zbresim të gjithë bashkë tek kopshti në oborrin e pasmë, aq panoramik në çdo stinë e në çdo lloj moti, po tejet marramendës sidomos në atë ditë magjike qershori. Kopshti është si një ballkon i madh i ngritur mbi anën e pjerrët të lumit Aare, i cili kësaj dite më shumë se kurrë, duket më i gjelbër se i kaltër, është tejet i bukur dhe sfidues, i vrullshëm e i harbuar si det me dallgë, madje pa asnjë mbresë pendese apo ndjesi mëkatfaljeje për ditët të tëra që ka dalë nga shtrati dhe i ka trembur banorët e qyteteve dhe fshatrave nga ka kaluar, i ka kërcënuar urat, i ka sfiduar pritat dhe ledhet. Tani Aare prehet këndellës duke na shplodhur sytë tanë që nuk i shqiten.
Kopështi i Kështjellës Watteville ku serviret kafeja dhe ku gazetarët nuk ia shqisin sytë Lumit Aare
Këtu shërbehet kafeja, bëhen shkrepje të shumta fotografish – më vete, në grupe, në çifte, bëhen filmime. Në qendër është gjithnjë zonja Casanova, duke dhënë intervista apo deklarata për të interesuarit. Jemi duke kundruar Aaren teksa zonja Casanova na afrohet dhe ne vrik i japim përshtypjet dhe mbresat e kësaj dite, prej së cilës kishim marrë informacione pa fund për funksionimin e shtetit ligjor dhe demokracisë, por edhe ishim mahnitur për konstitucionin shpirtëror të vlerave dhe kulturën materiale të Konfederatës Helvetike. Kosova, Shqipëria, shqiptarët e shumtë të Zvicrës, gjithnjë e më shumë janë një dimension i këtij vendi veçanërisht mikpritës. Ne përfitojmë nga rasti dhe i dhurojmë disa nga librat tona, ndërkohë e falenderojmë për mënyrën kaq interesante, profesionale, por edhe fantastike se si e paraqet Zvicrën. Dhe fillojmë ta pyesim me shaka për takimin që do të vijë një vit më pas!
Në program, është paraparë edhe një vizitë tek Bären Graben, Gropa e famshme e Arinjve, një atraksion i përhershëm për turistët, e rinovuar tashmë. Jo më kot Berna, kryeqyteti administrativ i Konfederatës Helvetike ka si simbol Ariun prej nga e ka edhe prejardhjen e emrit, simbol që i shfaqet në stemën dhe flamurin e qytetit dhe që lidhet me një legjendë që daton shekullin XII, dhe prej shumë kohësh besohet se ariu është fatsjellës për bernezët. Po janë me fat edhe bernezët edhe zviceranët, porse që fatin e kanë ndërtuar me duart e tyre. Zvicra është një nga vend, ku shteti i së drejtës funksionin ashtu si duhet! Dhe ne shqiptarët e shquajmë shumë lehtë këtë fakt, sepse pas shpine kemi lënë një diktaturë të egër dhe një tranzicion torturues për popullin.
Ne preferojmë si gjithmonë që rrugën e kthimit për në stacionin e trenit, Bahnhof ta bëjmë në këmbë për të shijuar fillimmbrëmjen e kësaj dite qershori ku pranvera dhe fillimvera janë takuar së bashku. Dhe aty ndahemi, pjesa më e madhe e kolegëve për në Gjenevë, ne me Arletën, kolegen tonë braziliano-zvicerane, në pritje të trenit për në Bazel, patëm kohë për të pirë së bashku nga një gotë të ftohtë birre, duke lënë prapa kujtimin e një ditë të paharrueshme me përshëndetjen tonë tashmë klishe: Tschüss bis bald ! A bientôt ! Till the next time!
ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ
Komentet