Votimi për zgjedhjen e kryebashkiakëve shqiptarë, i bojkotuar nga partitë e opozitës, shkoi përgjithësisht i qetë dhe me pjesëmarrje të ulët të dielën, ndërsa vendet perëndimore paralajmëruan kundër akteve të dhunës, shkruan agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në artikull thuhet se disa prej atyre që abstenuan tallën votuesit me këngë dhe slogane nga e kaluara komuniste.
“Reuters” shkruan se Kryeministri Edi Rama i quajti votimet “një fitore për një Shqipëri Evropiane”, ndërsa kreu i Partisë Demokratike të opozitës Lulzim Basha tha se pjesëmarrja shumë e ulët do të thoshte se “farsa u refuzua me një tallje epike”. Kandidatët socialistë thuhet më tej, nuk kishin kundërshtarë në 31 bashki.
Edhe kanali tjetër i njohur ndërkombëtar, Euronews, thekson pjesëmarrjen e ulët në votime.
Televizioni shkruan se për shkak të bojkotit, gjysma e kandidatëve në garë nga Partia Socialiste në pushtet e kryeministrit Edi Rama, nuk patën kundërshtarë.
Të dielën, disa mbështetës të Partisë Demokratike luajtën muzikë në rrugë dhe në qendrat e votimit, madje duke kënduar me ironi emrin e diktatorit të ndjerë Enver Hoxha.
Komentet