“Liria e votës është një e drejtë e çmuar për të cilën, për pothuaj dy shekuj, Amerikanët kanë luftuar dhe kanë vdekur për ta mbrojtur atë të drejtë. Të gjithë ne le të nderojmë sakrificën e tyre në ditën e zgjedhjeve. Ashtuqë më 4 Nëntor, (1986) qofshi republikanë, demokratë ose të pavarur me votën tuaj tregoni se jeni të interesuar në të ardhmen e vendit tuaj, Amerikës…Zoti u bekoftë”.
Ronald Reagan, 18 Tetor, 1986
“Zgjedhjet i përkasin popullit”,- ka thënë (Abraham Lincoln). Jo politikanëve, partive, gjykatave dhe ndërkombëtarëve të korruptuar! Gjendje aktuale e krijuar në Shqipëri dy muaj para zgjedhjeve vendore të 14 Majit, është thellësisht e rrezikshme ër të gjithë shqiptarët, por mbi të gjitha rrezik i madh për liritë bazë dhe për demokracinë shqiptare, sot dhe në të ardhmen”
Për Shqipërinë e këtyre 30-viteve “post-komunizëm”, nuk është asgjë e re. Vota e lirë dhe zgjedhjet e lira në Shqipëri kanë lënë shumë për t’u dëshiruar gjatë tre dekadave të fundit. Ndryshimi me të kaluarën e zgjedhjeve në atë vend me zgjedhjet që do të mbahen në Maj, është se kësaj radhe duket sikur shteti, qeveria, partitë politike, madje edhe gjykatat në Shqipëri si dhe përfaqësues diplomatikë të caktuar ndërkombëtarë në Tiranë janë lidhur besa-besë për t’i mohuar votën e lirë rreth 50 për qind të shqiptarëve në zgjedhjet vendore të 14 Majit, 2023.
Nëqoftëse dikush e ka paramenduar krijimin e kësaj gjëndjeje politike elektorale si një eksperiment djallëzor për të minuar lirinë, demokracinë dhe opozitarizmin politik në Shqipëri bravo u qoftë, ia kini dalë!
Në vend që faktorët e lartpërmendur, që janë të përzier me gishtat e tyre të ndyrë në këtë lëmsh politik të mirëllogaritur, në përgatitje e sipër për disa vite tani, por të cilit tani nuk i dihet filli : të luftonin kundër diskriminimit në pjesëmarrjen e të gjithë shqiptarëve pa dallim në votime të lira. Entet qeveritare, gjykatat, partitë politike shqiptare dhe përfaqësues të lartë ndërkombëtarë, duket se kanë rënë dakort në heshtje që për qëllimet e tyre antishqiptare t’i mohojnë votën e lirë gjysmës së shqiptarëve në zgjedhjet vendore të 14 Majit. Dhe në këtë proces të minojnë, njëkohësisht dhe në përgjithësi, edhe lirinë e demokracinë, në një vend ish-komunist dhe tani anëtar i NATO-s. Asnjë përparim nuk është bërë në këtë fushë ndër vite në Shqipëri, sipas raportit të posa botuar te Freddom House.
Sot për sot, fatkeqësisht, në Shqipëri nuk ekziston e drejta e barabartë për të gjithë dhe pa dallime politike për të hedhur votën e lirë në zgjedhjet e Majit që vjen.
Kujt t’i drejtohet votuesi shqiptar për sigurimin e votës së lirë për veten dhe për familjen? Kush e mbron këtë të drejtë për shqiptarin sot kur të gjitha entet politike e juridike dhe diplomatët ndërkombëtarë ,të cilët me mbështetjen e tyre të hapur ose me heshtjen e tyre për gjendjen anti demokratike të krijuar në vend, kanë shkelur dhe po shkelin çdo normë ligjore vendore dhe standardet ndërkombëtare për mbajtjen e zgjedhjeve të lira, të drejta e demokratike në Shqipëri, ashtu si i ka hije një shteti anëtar të NATO-s?
“Ndryshimi në të kaluarën e zgjedhjeve në “post-komunizëm”,me zgjedhjet e 14 Majit, është se kësaj radhe duket sikur shteti, qeveria, partitë politike, madje edhe gjykatat në Shqipëri si dhe përfaqësues diplomatikë të caktuar ndërkombëtarë në Tiranë janë lidhur besa-besë për t’i mohuar votën e lirë rreth 50 për qind të shqiptarëve në zgjedhjet vendore”
Në çdo vend normal demokratik të botës, entet juridike dhe politike si dhe ndërkombëtarët kanë për detyrim moral dhe përgjegjësi politike që të përpiqen e të sigurojnë me çdo kusht të drejtën dhe votën e lirë për çdo votues. Pse kjo nuk po ndodh sot në Shqipëri?
Dhe pse përgjegjësve për gjëndjen e krijuar politike djallëzore dy muaj para zgjedhjeve, nuk u kërkohet llogari nga votuesit dhe nga shoqëria shqiptare për mbytjen e opozitarizmit politik në Shqipëri? Apo të gjithë mendojnë se duhet votuar për një parti dhe kjo tani quhet demokraci?
Në Shqipëri është krjuar vërtet një kaos politik, të cilit në ditën e votimeve nuk do i dihet halli.
Entet politike, partiake si dhe gjykatat – shteti dhe qeveria shqiptare, pra ; para syve të ndërkombëtarëve në Tiranë dhe me miratimin e tyre po sillen me mospërfilljen e votës së lirë të shqiptarëve, si organizata e dikurshme ku-klux-klan në Shtetet e Bashkuara, për t’u mohuar të drejtën e votës afrikano-amerikanëve.
Disa ditë më parë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden vizitoi qytetin Selma në Alabama me rastin e përvjetorit të “Bloody Sunday”, me qëllim për t’u riangazhuar në nivelin më të lartë qeveritar – ndaj votës së lirë në Amerike, si një gurthemel i demokracisë dhe i të gjithë lirive të tjera të njeriut, të dhëna nga i Madhi Zot, për të gjithë amerikanët dhe të gjithë njerëzit kudo në botë dhe pa dallim partie, feje a krahine. “Në këtë urë është derdhur gjak për të shpëtuar shpirtin dhe frymën demokratike të Amerikës”,- është shprehur Presidenti Biden në vizitën e tij këtë javë në Selma të shtetit Alabama, duke folur në mbrojtje të votës së lirë për amerikanët.
Nëqoftëse entet qeveritare, politika dhe gjykatat shqiptare nuk veprojnë në mbështetje të votës së lirë në atë vend, kush do i mbrojë liritë dhe të drejtat themelore të shqiptarëve në zgjedhjet e 14 Majit? Kush do e mbrojë demokracinë dhe lirinë e votës për të gjithë shqiptarët pa dallime partiake dhe jo vetëm të gjysmës së shqiptarëve?!
“Një njeri pa të drejtë vote është një person i pambrojtur”, ka thënë ish presidenti amerikan Lyndon B. Johnson.
“Zgjedhjet i përkasin popullit”,- ka thënë (Abraham Lincoln). Jo politikanëve, partive, gjykatave dhe ndërkombëtarëve të korruptuar! -Kjo gjendje aktuale e krijuar në Shqipëri sot, dy muaj para zgjedhjeve vendore të 14 Majit, është thellësisht e rrezikshme për Shqipërinë dhe për të gjithë shqiptarët, por mbi të gjitha është një rrezik i madh për liritë bazë dhe për demokracinë shqiptare, në përgjithësi, sot dhe në të ardhmen.
Sa më parë që të kuptojnë këtë fakt të rëndë, faktorët e brendshëm politike dhe juridike të vendit, si dhe ndërkombëtarët e përzier në këtë lëmsh politik djallëzor, aq më mirë do të jetë për Shqipërinë, për lirinë dhe demokracinë e atij vendi të vuajtur për pothuaj një shekull tani nga një prej regjimeve më barbare komuniste, që mohonte votën e lirë, demokracinë dhe liritë bazë të njeriut.
Mjaft është mjaft! Shqipëria dhe Kombi shqiptar meritojnë më shumë dhe më mirë nga institucionet shtetërore dhe qeveritare si dhe nga miqtë e vërtetë ndërkombëtarë. Në minimum, shqiptarët dhe Shqipëria si pjesëtare e një vendi anëtar i Nato-s, meritojnë në minimum të drejtën e votës së lirë si një mjet të shprehjes së lirë politike se për kë dëshirojnë të votojnë më 14 Maj.