Evropa vazhdon të sfidohet me një të ardhme të paqartë sa i përket furnizimit me gaz. Një pjesë e vendeve anëtare të BE-së po përballen me sasi të reduktuara të gazit që vjen nga Rusia. Pasiguria dhe mundësitë që Moska të ndërpresë furnizimin me gaz në dimër, nxiti thirrjet e Bashkimit Evropian drejtuar vendeve anëtare që të ulin konsumin e gazit me 15 për qind.
Bashkimi Evropian shpalosi sot (e mërkurë) planet që vendet anëtare të bllokut të shkurtojnë konsumin e gazit me 15 për qind deri në mars të vitit të ardhshëm. BE-ja paralajmëroi se pa këto shkurtime të thella që duhen kryer tani, vendet mund të përballen me mungesa gjatë dimrit, nëse Rusia ndërpret furnizimin.
“Rusia po na shantazhon, duke përdorur energjinë si armë. Në çdo rast, qoftë për një ndërprerje të pjesshme, të madhe, apo ndërprerje totale të gazit rus, Evropa duhet të jetë gati”, tha Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në një konferencë për shtyp.
Komentet e saj vijnë ndërsa Evropa po mundohet të sigurojë rezerva të mjaftueshme të gazit para futjes në sezonin e dimrit dhe të krijojë një mburojë në rast se Moska kufizon më tej furnizimet e saj si hakmarrje për mbështetjen që Brukseli i ka dhënë Ukrainës.
Një pjesë e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian tashmë po përballen me furnizime të reduktuara ruse, ndërsa zyrtarët e BE-së paralajmërojnë se ka të ngjarë të ndodhë një ndalim i plotë i furnizimit me gaz nga Rusia.
Komisioni Evropian propozoi sot një objektiv për të gjitha vendet anëtare të BE-së, për uljen e përdorimit të gazit me 15 për qind nga gushti në mars, krahasuar me konsumin mesatar të këtyre vendeve në të njëjtën periudhë, nga viti 2016 e deri më 2021.
Propozimi i mundëson Brukselit ta bëjë këtë objektiv të detyrueshëm, në rast të ndonjë urgjence, nëse BE-ja deklaron rrezikun e konsiderueshëm për mungesë të madhe të gazit.
Rregullorja duhet të miratohet nga një shumicë e cilësuar e vendeve anëtare, të cilat së bashku duhet të përfaqësojë 65 për qind të popullsisë së Bashkimit Evropian.
Diplomatët e vendeve të BE-së pritet të diskutojnë mbi këtë çështje të premten, ndërsa miratimi i rregullores pritet të bëhet në një takim urgjent të ministrative të energjisë më 26 korrik.
Para se ta sulmonte Ukrainën, Moska siguronte 40 për qind të nevojave të BE-së për gaz. Por pas fillimit të luftës, sasia e gazit rus që transportohet në Evropë kanë rënë nën 30 për qind të mesatares së viteve 2016-2021.
Komentet