Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, arriti në Kiev për bisedime me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
“Sa mirë të jem sërish në Kiev. Aty ku vlerat që i mbajmë afër, mbrohen çdo ditë”, shkroi von der Leyen në Twitter.
“Unë e mirëpres vendimin e presidentit Zelensky për ta shënuar 9 Majin – Ditën e Evropës – edhe këtu në Ukrainë”, shtoi ajo.
Vizita e von der Leyenit – e pesta që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës nga Rusia, në shkurt të vitit 2022 – zhvillohet në ditën kur Bashkimi Evropian feston Ditën e Evropës.
Kjo ditë nderon Deklaratën e Schumanit, të paraqitur nga ministri i Jashtëm francez, Robert Schuman, më 9 maj të vitit 1950.
Deklarata shihet si gur themeli i asaj që do të bëhej BE-ja e sotme, me 27 vende anëtare.
Von der Leyen do të “riafirmojë mbështetjen e palëkundur të BE-së ndaj Ukrainës”, tha zëdhënësi i saj.
Zyrtarja e lartë evropiane arriti në Kiev disa orë pasi Rusia lëshoi 25 raketa në Ukrainë – 15 prej të cilave kishin në shënjestër kryeqytetin.
“Gjatë dy valëve të sulmeve në Ukrainë natën e 9 majit, pushtuesit rusë lëshuan 25 raketa – 23 prej tyre u shkatërruan nga mbrojtja ajrore e Ukrainës”, tha përmes një deklarate Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Ukrainës.
Më herët, kreu i administratës ushtarake të kryeqytetit, Serhiy Popko, tha se mbrojtja ajrore e Kievit zbuloi dhe shkatërroi rreth 15 raketa mbi qytet.
Popko tha se nuk ka raporte për dëme apo viktima.
Sulmi në Kiev ishte i dyti brenda disa orësh, pasi një ditë më herët Rusia lëshoi 35 dronë vetëshkatërrues dhe 16 raketa.
Sulmet me raketa kishin në shënjestër rajonet e Harkivit, Hersonit, Mikollajivit dhe Odesës dhe shkaktuan viktima në njerëz.
“Për fat të keq, ka civilë të vdekur dhe të plagosur, dhe ndërtesa të larta të dëmtuara, ashtu si edhe shtëpi private dhe infrastruktura të tjera”, tha Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Ukrainës.
Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, tha më herët se pesë persona u plagosën gjatë natës më 8 maj, si rezultat i një sulmi me dron, që dëmtoi ndërtesat dhe infrastrukturën.
Në të njëjtën ditë, Zelensky shënoi përvjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në Evropë, duke thënë se vendi i tij do të dalë fitimtar përballë Rusisë.
Zelensky paraqiti një projektligj në Parlament, që shënon zyrtarisht 9 Majin si Dita e Evropës në Ukrainë, ndërsa Dita e Fitores, 8 Maji, do të festohet si “ditë kujtimi dhe fitoreje mbi nazizmin”.
Rusia dhe ish-republikat e tjera sovjetike e festojnë fundin e Luftës së Dytë Botërore më 9 maj, ndërsa Evropa e feston atë një ditë më herët.
Zelensky tha përmes një video-mesazhi se forcat ruse që pushtuan vendin e tij, do të mposhten me ndihmën e aleatëve perëndimorë, ashtu sikurse Gjermania naziste që u mund në Luftën e Dytë Botërore.