Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen deklaroi në Tiranë se sytë dhe mendimet e gjithë botës janë tani mbi Izraelin dhe palestinezët, si dhe tek ndihmat humanitare që nevojiten atje.
“Nuk ka asnjë justifikim për aktet terroriste të Hamasit kundër Izraelit, të cilit përballë këtij terrori i lind e drejta të mbrojë veten sipas të drejtave ndërkombëtare humanitare. Po ashtu edhe palestinezët kanë nevojë për ndihma humanitare. Ata nuk mund të paguajnë për barbarizmin e Hamasit”, tha presidentja Von der Leyen, në konferencën e përbashkët të shtypit me kancelarin Olaf Scholz dhe kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, në fund të Samitit të Udhëheqësve të Procesit të Berlinit, që u mbjat sot në Shqipëri.
Ajo njoftoi ndihma humanitare trefishe për civilët në Gaza prej 27 milionë euro, si dhe për ngritjen e një ure humanitare nga Gaza në Egjipt, me fluturime që do të nisin këtë javë.
Ndërsa për planin e zhvillimit për Ballkanin Perëndimor zonja Von der Leyen, tha se kjo është një mundësi e re thelbësore nga Bashkimi Europian për këtë rajon.
“Sa i takon Procesit të Berlinit mbetet ende shumë për të bërë. Ne duhet të afrojmë ekonomitë më afër, si dhe duhet të shpejtojmë reformat. Ky është thelbi i planit të zhvillimit. Plani i zhvillimit, nëse zbatohet ka mundësitë që të dyfishojë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor brenda një dekade”, tha zonja Von der Leyen.
Ajo theksoi se plani ka katër shtylla; afrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në një treg të vetëm; shndërrimi i tij në një treg rajonal; reforma që të afrojnë anëtarësimin, si dhe investimet.
“Shtylla e katërt, është që nëse reformat kryhen, BE do të ngrejë fondet për investime. Ne kemi propozuar një paketë me 6 miliardë euro investime, 4 nga të cilat në formë kredie. Thelbi është: reformat në fillim dhe më pas investimet. Janë të lidhura dhe të kushtëzuara me njëra me tjetrën”, tha presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se kjo e sotmja është një kohë e vështirë plot me sfida.
“Ajo që po tregon Bashkimi Europian na bën të shohim përpara me besim më të fortë. Samiti u mbyll me diskutime të frytshme, me shkëmbime të hapura dhe ndjenjë të vërtetë miqësie”, tha zoti Rama.
Në pyetjet nga shtypi për zhvillimet në Kosovë, presidentja Von der Leyen tha se sulmi i 24 shtatorit në Banjskë ishte i tmerrshëm dhe ne e kemi dënuar atë.
“Tani jemi në fazën që të qartësohen faktet lidhur me atë sulm. Po presim hetimet dhe bazuar në to, ne do të vendosim për hapa të tjerë në bashkëpunim të ngushtë me vendët e tjerë anëtarë të Unionit”, tha zonja Von der Leyen.
Kancelari Olaf Scholz tha se Gjermania dhe BE-ja e kanë dënuar si të papranueshëm sulmin ndaj policit në Kosovë dhe veprimtaritë e tjera në goditje të institucioneve dhe njerëzve.
“Ne presim hetime intensive në Kosovë për të mësuar si mundi të ndodhte ky sulm atje. Dua të shtoj se zhvillimet paqësore në rajon ndikohen nga e ardhmja dhe nuk duhet të mbeten nën ndikimin e të shkuarës. Kjo është arsyeja pse po ndihmojmë në raportet e Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë dhe reformat në Bosnje dhe Hercegovinë. Duhet të lehtësojmë jetën njerëzve. Dëshira jonë si BE, Gjermania, Italia, Franca, SHBA-ja është që të zgjidhet konflikti mes Serbisë dhe Kosovës dhe të dy shtetet të punojnë për një të ardhme të mirë dhe të dy të bëhen anëtarë në BE ”, tha kancelari Scholz.
Takimi vjetor i Procesit të Berlinit u mbajt sot në Tiranë me pjesëmarrjen e udhëheqësve të vendeve të Ballkanit perëndimor, përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Europian dhe të disa prej vendeve anëtare, që janë përfshirë në këtë proces.
Mbështetja e Brukselit për këtë rajon u shpreh sërish përmes një Plani të ri rritje për Ballkanin, që u paraqit nga presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen.
Në fjalimet e hapjes së takimit zunë vend edhe tensionet e fundit në veri të Kosovës, për të cilat u theksua nevoja e vijimit të dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura mes palëve.