Bashkimi europian mund të hapë kapitujt apo grup kapitujt e parë të bisedimeve me Shqipërinë brenda fundit të këtij viti: kjo u bë e ditur të dielën pasdite nga Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, e cila mbërriti në Tiranë, ku nesër do të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të Procesit të Berlinit, nisma e ish kancelares gjermane Angela Merkel që prej vitit 2014, e cila ka si synim, përshpejtimin e procesit të integrimit europian. Hapja e grup kapitujve të parë, përfaqëson hapin e tjetër të rëndësishëm, pas vendimit të vendeve anëtare vitin e kaluar për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë. Gjatë kësaj periudhe palët kanë vijuar më të ashtuquajturin proces i “screening”, një ballafaqim analitik i përputhshmërisë së legjislacionit vendas me atë europian.
“Procesi i ‘’screening’’, pra procesi i analizimit të legjislacionit po ecën pa problem. Objektivi i ynë i përbashkët është që ne të çelim negociatat për ato që ne i quamë grup-kapitujt e pjesëve themelore sa më shpejt që të jetë e mundur deri në fund të vitit”, deklaroi zonja Von der Leyen, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin shqiptar Edi Rama. Por nëse raporti që Komisioni do të duhet të paraqesë, duket se do të jetë pozitiv, vendimi përfundimtar i takon vendeve anëtare, të cilat duhet të shprehen në unanimitet.
Agresioni rus në Ukrainë ka rizgjuar interesin e BE-së për zgjerimin, i cili tanimë “është në krye të të gjithë përparësive tona dhe aty duhet të jetë”, tha presidentja e Komisionit europian. Nesër, gjatë takimit në kuadër të Procesit të Berlinit ku marrin pjesë udhëheqësit e vendeve të rajonit, si dhe përfaqësuesë të lartë të vendeve të tjera europiane që i janë bashkuar nismës gjermane, zonja Von der Leyen, pritet të paraqesë Planin e ri për Ballkanin, i paralajmëruar disa muaj më parë prej saj.
“Ky Plan, ka potencialin, në rast se vihet në zbatim, ashtu siç duhet, që të dyfishojë madhësinë e ekonomisë tuaj brenda këtij 10-vjeçari, që të inkurajojë rritjen, konvergjencën. Pra, parimi është që në disa fusha të caktuara, ju do të keni qasje në tregun e vetëm të BE”, shpjegoi Presidntja e KOmisionit europian, duke saktësuar se “për këtë janë të nevojshme reformat dhe reformat do të shoqërohen me investime, pra kështu hapet dera për tregun tonë, për tregun e përbashkët rajonal të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe natyrisht që kjo do të shoqërohet edhe nga investime financiare, por plus siç e thashë edhe nga reformat, të cilat janë të domosdoshme”. Sipas zonjës Von der Leyen “gjithësesi këto reforma do duhet të kryheshin për t’u bërë shtet anëtar i Bashkimit Europian, por është thjesht, që këto reforma duhen bërë më parë në mënyrë që përfitimet që ato sjellin, pra këto dyer të hapura të shtatë fushave të ekonomisë, të vijnë sa më parë, më herët dhe që të japim stimuj për këto reforma. Dhe bashkë me reformat vijnë dhe investimet. Pra do të ketë korridore të reja tregtie, mundësi për biznes më shumë nga njëra anë. Natyrisht kërkesat për reforma në vende të caktuara të Ballkanit perëndimor sigurisht. Dhe e treta ka të bëjë me investime që do të vijnë në mënyrë specifike për të mbështetur këto reforma dhe ky është thelbi i planit të rritjes”.
Kryeministri Edi Rama, vlerësoi me tone optimiste Planin e rritjes për Ballkanin, “i cili i jep mundësi vendeve, përkundër natyrisht reformave që vazhdojnë të bëjnë, nga njëra anë që të aksesojë një fond ekstra të Bashkimit Europian dhe nga ana tjetër që të ketë hapësira të reja në tregun e përbashkët europian, çka është një nxitje shumë e fortë e ekonomive tona”.
Takimi i Procesit të Berlinit do të mbahet në ndërtesën e transformuar të “Piramidës”, godina në qendër të kryeqytetit, e cila pas vdekjes së ish diktatorit komunist Enver Hoxha, në vitin 1985, ishte destinuar për të mbajtur gjallë figurën e tij, por që tani e tutje, do të shërbejë si qendra më e madhe e teknologjisë së informacionit në Ballkan.