Partia nacionaliste Radikale Serbe lajmëroi se lideri i saj, ish i pandehuri për krime lufte Vojisllav Shesheli, do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale vitin e ardhshëm.
Komiteti qendror i Partisë Radikale Serbe të dielën zgjodhi Sheshelin si kandidatin e tij për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, edhe pse së shpejti në Gjykatën e Hagës do të ketë seanca gjyqësore për të apeluar ndaj vendimit për pafajësinë e tij.
“Me vendim unanim të të gjithë anëtarëve të komitetit që janë të pranishëm, ne vendosëm njëzëri se kandidati i Partisë Radikale Serbe në zgjedhjet e ardhshme presidenciale duhet të jetë kryetari i partisë, Vojisllav Shesheli,” tha partia në një deklaratë.
Shesheli u lirua përkohësisht nga paraburgimi OKB-së në Hagë për t’u kuruar nga kanceri në vitin 2014 dhe që prej kthimit të tij në Serbi, ai është angazhuar në mënyrë aktive në politikë.
Lirimi i tij nga akuzat më 31 mars rritin profilin dhe popullaritetin e tij para zgjedhjeve parlamentare të Serbisë muajin e kaluar, duke bërë të mundur që Partia Radikale të fitonte më shumë se tetë për qind të votave dhe të riktheje në parlament pasi kishte munduar aty për katër vjet.
Gjatë fushatës zgjedhore parlamentare, Shesheli përkrahu një aleancë me Rusinë, braktisjen e kërkesës së Serbisë për t’iu bashkuar BE-së si edhe dhënien fund të bashkëpunimit me NATO-n.
Prokuroria në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ICTY, i kërkoi Dhomës së Apelit të gjykatës së OKB-së më 2 maj të rrëzojë vendimin për lirimin e Sheshelit nga akuzat, të korrigjojë ato që ajo pretendoi se ishin gabime në vendim dhe të dënojë politikanin nacionalist, ose ta ridërgojë çështjen për rigjykim.
Gjykata e liroi Sheshelin nga të gjitha akuzat, përfshirë krime kundër njerëzimit dhe krime të dyshuara se janë kryer gjatë viteve 1990 në Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kroaci, duke thënë se prokuroria nuk arriti të provonte çështjen e saj.
Lirimi i Sheshelit nga akuzat ka shkaktuar reagime të zemëruara në Kroacinë fqinje dhe shkaktoi një shkëmbim replikash të ashpra midis zyrtarëve nga Zagrebi dhe Beogradi.
Presidentja kroate, Kolinda Grabar Kitaroviç, i bëri gjithashtu thirrje Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon, duke kërkuar rrëzimin e vendimit për lirimin e tij nga akuzat.
Shumë grupe të të drejtave të njeriut dhe ekspertë ligjorë ndërkombëtarë, përfshirë Shoqatën Ndërkombëtare të Avokatëve, e vunë në pikëpyetje vendimin.
Apelimi i Sheshelit do të dëgjohet para Mekanizmit për Gjykatat Ndërkombëtare, MICT, i cili do të plotësojë punën e mbetur të ICTY-së për shkak se kjo gjykatë po mbyllet.
ICTY javën e kaluar përzgjodhi panelin e gjyqtarëve që do të vendosin për apelin, me presidentin e MICT, Theodor Meron, si kryetari të trupit gjykues.
Nuk është ende e qartë se sa kohë do t’u duhet gjyqtarëve që të vendosin për apelin dhe nëse kjo do të ndikojë në kandidimin e Sheshelit për president.
Që prej lirimit të tij për arsye humanitare në vitin 2014, Shesheli ka refuzuar vazhdimisht të kthehet në ICTY, duke sfiduar autoritetet serbe që ta dërgojnë atë përsëri në Hagë me forcë.
Vendimi i tij ishte i pari që u dha në Gjykatën e Hagës pa të akuzuarin të pranishëm në sallën e gjyqit për të dëgjuar vendimin ndaj tij.
BIRN
Komentet