Dy vëllezër që kanë studiuar në një nga universitetet më prestigjioze në SHBA janë akuzuar për vjedhjen e 25 milionë dollarëve në kriptovaluta në 12 sekonda.
Anton Peraire-Bueno, 24 vjeç dhe James Peraire-Bueno, 28 vjeç, akuzohen për mashtrim dhe pastrim parash.
Departamenti Amerikan i Drejtësisë tha se grabitja është e para e këtij lloji.
Prokurorët thonë gjithashtu se të dy janë arsimuar në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts (MIT) dhe e kanë përfunduar në prill 2023.
“Vëllezërit Peraire-Bueno vodhën 25 milionë dollarë në kriptomonedhën Ethereum përmes një skeme teknologjikisht të sofistikuar, që ata e thurën për muaj të tërë dhe e ekzekutuan në sekonda”, tha zëvendësprokurorja e Përgjithshme Lisa Monaco.
Ajo shtoi se agjentët nga Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme (IRS) luajtën një rol kyç në zbulimin e “skemës së parë të këtij lloji të mashtrimit dhe pastrimit të parave”.
Prokurorët pretendojnë se të dy përdorën aftësi shumë të specializuara që i mësuan në “një nga universitetet më prestigjioze në botë” për të shfrytëzuar procesin e Ethereum për vërtetimin e transaksioneve.
Vëllezërit studiuan matematikë dhe shkenca kompjuterike, sipas aktakuzave, dhe të dy ndoqën MIT, sipas raporteve të lajmeve.
“Skema e të pandehurve vë në pikëpyetje vetë integritetin e blockchain,” tha në një deklaratë të mërkurën avokati amerikan Damian Ëilliams, duke iu referuar librit publik që regjistron pagesat me kripto.
Vëllezërit dyshohet se vodhën nga tregtarët e Ethereum duke fituar me mashtrim akses në transaksionet private në pritje dhe më pas duke ndryshuar transaksionet për t’u marrë kriptomonedhën e viktimave të tyre.
Procesi, të cilin hetuesit thonë që ata i referoheshin si “akt heroik”, deshii vetëm disa sekonda për t’u ekzekutuar.
Kur u përballën me një përfaqësues të Ethereum, zyrtarët thonë se vëllezërit nuk pranuan të kthenin fondet dhe morën masa për t’i pastruar dhe fshehur fitimet e tyre të vjedhura.
Prokurorët vënë në dukje se kjo është hera e parë që një formë e tillë “risi” e mashtrimit është objekt i akuzave penale.
Secili prej tyre përballet me mbi 20 vjet burg nëse shpallen fajtorë. sn