VOAL – Sot është dita e parë e muajit të bekuar të Ramazanit, njëkohësisht dita e parë e agjërimit për besimtarët myslimanë shqiptarë, ashtu si për të gjithë besimtarët myslimanë në mbarë botën.
Ramazani është muaji i paqes, i solidaritetit dhe i mëshirës hyjnore. Ramazani është muaji ku dalin në pah vlerat universale humane; të bujarisë, të mirësisë, të dashurisë, te respektit ndaj njeri-tjetrit, vlerat që simbolizojne moralin e lartë shoqëror.
Ramazani është një kohë e rëndësishme reflektimi për të gjithë besimtarët për të përmirësuar lidhjet fare-fisnore dhe shoqërore me njëri-tjetrin, për të forcuar ndjenjën e bujarisë dhe solidaritetit me njerëzit në nevojë! Është momenti kur besimtarët rifreskojnë beslidhjen e tyre me Krijuesin e Gjithësisë, duke forcuar raportin me Zotin.
Agjërimi i muajit të Ramazanit mundeson një barazpeshë mes shpirtërores dhe materiales, mes zemrës dhe arsyes, mes vullnetit dhe diturisë. Agjërimi i afron besimtarët më shumë me vlerat e dashurisë, respektit ndaj tjetrit, bamirësisë, sinqeritetit, dhe çdo besimtar ndjehet më afër dhe më mirënjohës ndaj miresive të Zotit të Botërave.
Ramazani është një ftesë hyjnore për të gjithë, për të trokitur në portën e Mëshirës së Pafundme, të të Gjithëmëshirshmit, një rrugëtim drejt edukimit moral e shpirtëror, drejt maturimit te zemrave, drejt fisnikërimit të ndjenjave, drejt njohjes së përgjegjësive tona në raport me Krijuesin, me veten, familjen, të afërmit dhe shoqërinë.
Ky muaj i begatë na sjell në vëmendje kujdesin dhe përkushtimin që duhet të kemi për njerëzit në nevojë, për jetimët, për individët me aftësi të kufizuara, dhe për të gjitha shtresat e tjera të shoqërisë që kërkojnë kujdesin tonë në përmbushjen e nevojave të tyre, në mënyrë që të mbretërojë mirësia, begatia, harmonia dhe paqja në të gjitha familjet shqiptare.
Komentet