Voal – Vehbi Kajtazi, autor i portalit INSAJDER, gazetar investigativ nga të paktit që kanë mbetur në Kosovë për të kryer misionin që ka çdo gazetar, pasi gazetaria në Kosovë është gati mision i pamundur. Gazetarët janë ose të shitur tek politika, ose të friksuar nga kërcënimet ose autocensuruar se humbin vendin e punës.
Kërcënimet nuk u ndahen atyre pak gazetarëve që arrijnë në Kosovë të shqiptojnë të vërtetën.
Kundër Vehbi Kajtazit, që disa ditë më parë botoi shkrimin se i vëllai i kryeministrit kishte kërkuar azil në Gjermani, që u botua në gazetat dhe agjensitë më prestigjioze të botës, ka nisur një fushatë barbarike që kryesohet nga kërcënimi i kryeministri dhe vijohet nga linçimet e sejmenëve të tij në LDK.
Dhe LDK është kthyer një parti tribale që prej 2006, kur vdiq Rugova.
Vehbi Kajtazi është shembull se si duhet të jetë gazetari.
Në vitin 2014 ai u dallua për shkrimet e tij investigative që ndriçonin korrupsion në EULEX. Zyrtarë të EULEX i bënë presion Vehbi Kajtazit që të ndalonin botimin e këtyre shkrimeve, por ai nuk u ndal.
Dhe për punën e tij të shkëlqyer në raportimin e së vërtetës, Vehbi Kajtazi në vitin 2015 shpallet gazetar i vitit nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. Ai është shpërblyer edhe me çmimin “Rexhai Surroi” që ndan gazeta Koha Ditore.
Në qershor të 2015 Vehbi Kajtazit iu akordua Çmimi i parë i BE-së për gazetari hulumtuese gjatë 2014 pikërisht për serinë e shkrimeve për skandalet e EULEX-it.
Vehbi Kajtazi meriton nderim dhe vlerësim edhe nga opinioni publik.
Prandaj le të bëhemi të gjithë me gazetarin Vehbi Kajtazi!
Komentet