Civilizimi Perëndimor po përjeton krizën morale më të madhe prej pragut të shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, kur Hitleri dhe Stalini nënshkruan së bashku Paktin Molotov–Ribbentrop, atëher kur të dy të këqijat u lidhën kundër vlerave të lirisë dhe të drejtave të njeriut.
Kriza morale ka përfshirë institucionet e Europës dhe Bashkimit Europian; kriza morale ka përfshirë lidërshipin e shteteve që përbëjnë thelbin e Perëndimit, e shteteve që përbëjnë unionin; kriza institucionale ka përfshirë SHBA pas heqjes dorë nga roli që kanë patur prej kohës së Franklin D. Roosevelt, presidentit që përballoi krizën ekonomike dhe luftën.
I vetmi person që nuk ka pranuar të konformohet me këtë gjellë djalli është Papa Françesku.
Prandaj Voal e ka zgjedhur Person të Vitit 2016.
Konsumizmi, luksi, egoizmi nuk është dobësi vetëm e shoqërisë Perëndimore, por së pari e lidërshipit Perëndimor, që ndërsa gëzon privilegjet më të larta, nuk ka kryer asnjë detyrë dhe nuk ka marrë përgjegjësitë që i kanë takuar.
Papa Françesku bën përjashtim, sepse nuk ka ditë që ai të mos denoncojë plagët e sistemit duke kërkuar ndërhyrje sa më të shpejtë për të ndalur katastrofën.
Ballkani është i kallur në krim dhe korrupsion nën hundët e Perëndimit; kriza në Siri rrjedh vetëm gjak prej gjashtë vitesh nën hundët e Perëndimit; e keqja zmadhohet duke u kthyer një rrezik të përditshëm për Francën, Turqinë, Gjermaninë dhe Europën, nën hundët e Institucionit të Perëndimit.
Elita Perëndimore si atavizëm e lidërshipit politik mban qëndrim indiferent ndaj tmerrit të përditshëm të refugjatëve, ndaj frikës dhe rrezikut për jetën që përjetojnë fëmijët e Alepos dhe fotografia e Aylanit të vogël as nuk e ka prekur fare ndërgjegjen e tyre, kurse Papa Françesku në antitezë të plotë me ta, bën gjithçka që nga zemra e gurosur e Perëndimit të zgjojë mëshirën dhe vlerat e dikurshme.
Kur rryma e partive populiste është kthyer një rrezik për vetë Perëndimin, sepse e kamuflon dhe manipulon krizën e moralit dhe vlerave si krizë dhe konflikt fetar, Papa Françesku është i pari që ka dhënë alarmin e luftës, duke deklaruar hapur dhe qartë se “kjo që po ndodh është luftë, por nuk është luftë fetare, është luftë interesash për pasuri, për resurse natyrore, për sundimin e popujve, për para, luftë e mafies, sepse të gjitha besimet fetare, ka thënë Papa Françesku, duan të njëjtën gjë: paqen”.
Koha e liderëve, që i kushtoheshin kauzave, duke sakrifikuar dhe marrë para syve rrezikun, në emër të lirisë dhe vlerave të përbashkëta të Perëndimit, është fshirë nga kujtesa dhe është zëvendësuar me pangopësinë për pasuri dhe luks të shfernuar. I gjithë Civilizmi Perëndimor dhe vetë demokracia janë vënë në shënjestër nga e keqja që e ka emrin ISIS, fondamentalizëm i të gjitha ngjyrave, korrupsion, keqqeverisje, krim i organizuar, mafie që tolerohet nga ky Lidërship Perëndimor përmes indiferencës, konsumizmit, pamëshirës, cinizmit, arrogancës.
E vetmja Figurë që ka mbetur e pastër, duke shqiptuar të vërtetat dhe duke dhënë shembullin e tij është Papa Françesku, i cili është trim, paçka se ka mbetur i vetëm në këtë Tokë me Zotin në Qiell.
Le të kujtojmë Papa Vojtilën që ishte në sintoni të plotë me Lidërshipin Perëndimor në angazhimin për rrëzimin e Murit të Berlinit me qëllim shtrirjen e ëndërrës të lirisë edhe në vendet e Europës Lindore që vuanin nën diktatura!
Ku janë sot ata politikanë! Cilin prej tyre do ta krahasoja me Ronald Reagan, Helmut Kohl, George H.W.Bush, Margaret Thatcher, bile edhe Gorbaçov, apo me Bill Clinton, Tony Blair, Madeleine Albright! Vajza e Kohl, Angela Merkel, Mutter Merkel po, por edhe ajo është e vetme dhe në shenjestër të populistëve.
Krime kundër njerëzimit nuk janë vetëm vrasjet barbare të fëmijëve dhe të civilëve nga avionët bombardues të Asadit në Siri. Krim kundër njerëzimit është edhe indiferenca. Mungesa e dhimbjes ndaj vuajtjes, mungesa e mëshirës ndaj shtresës vulnerabël, mungesa e solidaritetit dhe përbuzja ndaj refugjatëve, që nga njëra anë nuk kanë shans të jetojnë në shtëpitë e tyre të rrënuara nga bombat, ndërsa nga ana tjetër përballen me zemrat e ftohta akull dhe kallkan të Perëndimit që i le ose të mbyten në Mesdhe, ose të mbeten të margjinalizuar dhe të paintegruar kur denjon t’u japë strehë dhe një copë bukë.
Joan Smith në një shkrim për The Guardian shkruan se “Europa ka dështuar të ndihmojë gjeneratën e fëmijëve refugjatë të traumatizuar”, ku sipas të dhënave të UNICEF-it në Europë janë 8 milionë fëmijë refugjatë pothuaj të injoruar nga diktati i rregullave strikte dhe egoiste të Perëndimit.
Papa Françesku si vëllai binjak i Papa Vojtilës është zemra e ngrohtë për të gjithë ata që vuajnë, zemra e ngrohtë për shtresat vulnerabël, për njerëzit e varfër, zemra e ngrohtë për seicilin prej nesh.
Papa Françeku posa erdhi në krye të Selisë të Shenjtë apeloi që të mos krijohen margjinalizime brenda shoqërisë Perëndimore, se e drejta e punës është një e drejtë njeriut dhe puna e bën njeriun të lirë e me dinjitet, ndërsa papunësia dhe margjinalizmi e kthen në viktimë të traumave psikologjike apo çakejve përbindësha.
I vetmi që nuk hesht, që e ngre zërin çdo ditë, që e vë gishtin në plagë çdo ditë është Papa Françesku, prandaj i ka bërë për vete njerëzit, qofshin të krishterë, myslimanë apo ateistë, sepse ai është ndryshe nga hipokrizia e lidërshipit Perëndimor, që i lë në lëngatë fëmijët dhe e lë lëngatën të kthehet në një katastrofë.
Liria, demokracia dhe shoqëria e lirë nuk është privilegj për disa njerëz apo disa shtete, për disa raca apo për një fe, por është e drejtë për të gjithë. Ky është objektivi sipas vlerave të civilizimit Perëndimor, vlera dhe përgjegjshmëri të shpërfilluara nga Lidërshipi Perëndimor, prej të cilave nuk ndahet asnjë çast të jetës së tij vetëm Papa Françesku, që për ne shqiptarët ka bërë shumë, ka bërë atë që shqiptarëve nuk ua ka bërë asnjë shtetar.
Sikur Papa Vojtila, edhe Papa Françesku vizitoi Shqipërinë, pa marrë parasysh se shumica e këtij vendi nuk është e krishterë, duke i treguar botës, se toleranca dhe harmonia fetare është e mundshme e duke marrë si shembull një vend të vogël në një rajon të egër si Ballkani i njohur me konotacionin e vjetër “fuçi baruti”.
Papa Françesku e shpalli Shenjtore Nënë Terezën, Nënën e gjithë shqiptarëve dhe Nënën e gjithë Njerëzimit duke përmbyllur veprën e nisur nga Papa Vojtila dhe duke e ngritur në apoeteozë Mëshirën, sepse Shenjtorja Terezë është Nëna e Mëshirës.
Papa Françesku duke sfiduar amoralitetin e klasës politike shqiptare lumturoi 38 martirët e ekzekutuar gjatë diktaturës komuniste, kur klasa politike në Shqipëri për çerek shekulli nuk i ka dënuar krimet e diktaturës dhe nuk i ka identifikuar ende as persekutorët dhe as viktimat.
Shqiptarët i janë mirënjohës dhe mbështeten tek ky Njeri i Zotit.
Që ka sfiduar me thjeshtësi dhe modesti Antinjeriun konformist dhe indiferent me të cilin është populluar, ajme, mjerisht Civilizimi Perëndimor.
Prandaj, Voal e shpall Papa Françeskun, Person i Vitit:
Për meritën e të qenit drita e Zotit dhe dora e ngrohtë njerëzore në tunelin e errësirës krijuar prej indiferencës;
Papa Françesku si një Kalorës i shpresës së mirë lufton të ringjallë vlerat e humbura me të cilat Perëndimi identifikohet, që janë dashuria universale për njeriun, pa dallim race apo feje; Papa Françesku zgjon për çdo ditë ndërgjegjet e fjetura duke treguar se nuk është luksi dhe paraja pasuria më e madhe, por sakrificat, mëshira dhe solidariteti janë armët më të fuqishme për të ndihmuar më të dobtin dhe për të shtrirë kauzën universale të lirisë dhe civilizimin e vlerave në çdo vend të botës e globit.