Të dashur miq!
Shumë lexues nga anë të ndryshme të botës janë të shqetësuar nga ndërprerjet dhe vështirësitë për të vizituar faqet e VOAL që ata ndeshin këto ditë.
Të shtunën VOAL u përball me sulmin më të vrazhdë e më të përqëndruar hakerues.
Sulmet hakeruese janë shtuar pikërisht në këtë periudhë kur, një nga kritikat më të mprehta të pasqyruara në faqet e portalit tonë, janë ato ndaj censuruesve sistematikë të fjalës së lirë, të mendimit të lirë, ndaj shkelësve të amandamentit të parë të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Hakeruesit janë ata që zgjedhin frikësimet, kërcënimet me padi gjyqësore, fyerjet e rënda e të shëmtuara kundër gazetarëve dhe kundër mediave, ata që nuk pajtohen me gazetarinë si pushtet i katërt e i pazëvendësueshëm në botën demokratike.
Këto sulme janë forma më e vrazhdë e përpjekjeve të tyre për t’ia mbyllur gojën së vërtetës, pasi kanë dështuar të sjellin argumente në përgjigje të kritikave të drejta, pasi nuk kanë arritur të përballen me dëshmitë e qarta dhe të provuara se ata kanë vënë mbi gjithçka interesat e veta të ngushta në dëm të interesave të larta të demokracisë dhe të çështjes kombëtare.
VOAL, si deri tani, do të vazhdojë të shqiptojë dhe të mbrojë të vërtetën, do të vazhdojë të jetë në shërbim të përkushtuar të së vërtetës, do të vazhdojë të jetë në vijën e parë të frontit të fjalës së lirë, mendimit të lirë, të gazetarisë profesioniste, në frymën e demokracisë perëndimore dhe vizioneve kombëtare.
Ata që qëndrojnë prapa këtyre sulmeve hakeruese, të heqin dorë sa më shpejt nga një praktikë e tillë armiqësore ndaj medias sonë të lirë, demokratike, të pavarur, të paanshme, që është e do të jetë vetëm në shërbim të mirëfilltë të publikut nëpërmjet së vërtetës e vetëm së vërtetës, të cilën do të vazhdojmë ta shqiptojmë e ta mbrojmë.
Lexuesit tanë anembanë botës të jenë të bindur e të sigurtë që ne do ta vazhdojmë misionin tonë si gazetarë dhe botues, pa iu shmangur asnjë çast përkushtimit tonë të njohur e të dëshmuar prej dekadash.
Këto sulme vetëm na bëjnë edhe më tepër të përgjegjshëm në kauzën tonë për të mos u ndalur asnjëherë në rrugën tonë të drejtë, për t’i përcjellë publikut të vërtetën.
Në foto Voal.ch i sulmuar nga hakerat