Voal – Pashka (ose pashkët) është kremtimi më i madh i kalendarit liturgjik të Kishës Katolike dhe të kishave të tjera të krishtera që kremtojnë Ringjalljen e Jezusit të Nazaretit ndodhur, sipas Besëlidhjes së Re, tri ditë pas vdekjes së tij në kryq.
Dita e Pashkëve, Dita e Ringjalljes së Krishtit. Në një ditë të tillë, pothuaj dymijë vjet më parë, ka themelet e veta Krishterimi.
Kryqëzimi për mëkatet tona e Ringjallja për shpresat tona – për paqë e dashuri mbi Tokë, – janë për besimtarët rruga e vetme udhërrëfyese në jetën mbitokësore.
Pashkët janë festë kryesore e Krishterimit, sepse tek Ringjallja mbështetet e gjithë doktrina e tyre.
Jezusi u ringjall ditën e tretë mbas Kryqzimit. Shembulll i tij është thirrje për t’u ringjallur shpirtërisht sa e sa herë mbas “vdekjeve” tona shpirtërore. Të ringjallemi prej vdekjes shpirtnore që na sjell urrejtja, smira, shpifja, dëshprimi, pabesia, veçanarisht në këto kohë kur kemi pushtuar qiejt si zogjtë, por po harrojmë të ecim pranë njeri tjetrit mbi tokë si vëllezër, siç ka thënë Martin Luther King.
Në Shkrimet e Shenjta Pashkët janë simboli i flijimit të Jezusit për njeriun, që vinte prej natyrës sonë të korruptuar. Në lashtësi koncepti “i korruptuar” shprehte grryerjen e mbrendëshme, shpirtërore, nga vese, mëkate, tej atij koncepti që mbart fjala sot. Me këte flijim i hapej rruga njerëzimit të kalonte nga vesi në virtyt. Me ringjalljen shprehet fitorja mbi vdekjen vetë e mbi botën e përçudnuar.
Për ne shqiptarët Pashkët kanë një domethënie edhe më të veçantë: Ringjallja jonë shpirtnore vazhon; ajo nuk u përsos asnjëherë në kaq shekuj, pse ndëshkime të rënda na ranë mbi krye: prej pushtimeve barbare, tek ideologji poaq barbare. Prej tyre kemi dalë me shumë gjymtime, mbi të gjitha shpirtërore.
Pashkët na ftojnë me gjetë paqë në radhë të parë në vetvete. Pa ekuiliber shpirtëror e moral nga secili në vetvete, nuk mund të gjendet paqja as në familje, në shoqëri e në mbarë Atdheun tonë.
Me shëndet e prap më me zemër të mirë Pashkët, motra e vëllezër Shqiptarë, të cilitdo besimi qofshi, pse në ditë feste e gëzimi na bashkë kemi udhëtuar e bashkë do të udhëtojmë në shekuj. Për shumë mot!