Sivjet Kurban Bajrami po festohet në kushtet e kundërthënieve në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar, si dhe të krizave të shumta që e karakterizojnë botën e sotme.
VOAL iu uron nga zemra të gjithë besimtarëve: Gëzuar Kurban Bajramin! Me fat Kurban Bajrami!
Në këtë ditë feste, le të lutim së bashku Zotin që të sjellë më shumë paqe, më shumë dashuri, më shumë mirëkuptim shpirtëror tek çdo besimtar mysliman, tek çdo besimtar i Zotit, tek çdo njeri në këtë botë! Le të lutim Zotin së bashku në këtë ditë gëzimi të sjellë më shumë marrëveshje vëllazërore për të gjithë shqiptarët kudo që janë dhe për mbarë njerëzimin anembanë globit!
Sepse, vetëm duke qenë në dialog, në paqe, në dashuri, në mirëkuptim me vetveten, me qenien e tij, me shpirtin e tij njeriu mund të jetë në dialog, në paqe, në dashuri, në mirëkuptim dhe në marrëveshje me individët e tjerë. Dialogu shpirtëror i individit është domosdoshmëri themelore për dialogun vëllazëror në mbarë shoqërinë tonë kombëtare dhe në mbarë planetin tonë. Dialogu vëllazëror çon në marrëveshjen tonë të përbashkët dhe të përhershme për ta lartësuar veten tonë dhe, së bashku, për ta lartësuar, për ta përparuar kombin tonë, çështjen tonë kombëtare dhe për të dhënë ndihmesën tonë në lartësimin e në përparimin e shoqërisë globale.
Prandaj, me gjithë forcën e shpirtit tonë, të dashur lexues, të dashur besimtarë myslimanë, të dashur besimtarë të Zotit, sot, në këtë ditë feste të madhërueshme, le të lutim së bashku Zotin që çdo festë që vjen të na gjejë në harmoni më të madhe me veten tonë, në harmoni më të madhe me njëri tjetrin, për të mirën e kombit tonë shqiptar, për miqësinë dhe vëllazërinë njerëzore kudo në botë!
Urojmë dhe shpresojmë te i Madhi Zot që, sa më shpejt, shqiptarët dhe gjithë njerëzimi të festojnë të lumtur dhe në harmoni ndërnjerëzore.