Fushata për zgjedhjet vendore të 14 majit në Shqipëri po merr formë të plotë. Tashmë dihen formacionet politike që do të marrin pjesë dhe kandidatët për kryetarë të bashkive e për anëtarë të këshillave bashkiakë, për të cilët qytetarët me të drejtë vote janë të thirrur për ta dhënë verdiktin e tyre.
Që nga viti 2015, Shqipëria zhvillon zgjedhje në kushte krejtësisht të pabarabarta, shumica në pushtet përdor gjithë makinerinë shtetërore, të gjitha mjetet dhe rrugët e paligjshme për të shtrembëruar vullnetin e popullit në të vetmen ditë kur ai thirret për të ushtruar sovranitetin e tij, në të vetmen ditë kur ai ndihet dhe duhet të jetë sovran.
Por zgjedhjet e sivjetme, të 14 majit, zhvillohen në kushtet më të pabarabarta të këtyre viteve, kur pushteti ka në duart e veta gjithçka dhe kur faktori i jashtëm është më i rreshtuar se kurrë që edhe këto zgjedhje të jenë “më të mira se zgjedhjet e shkuara”, domethënë të jenë më të vjedhura, më të manipuluara, më të shitblera, më të frikësuara nga regjimi i këtyre 10 viteve, domethënë do të jenë më pak të pajtueshme e më pak të përputhshme me vullnetin e sovranit.
E shohim të domosdoshme që popullit në Shqipëri më 14 maj t’i kthehet sovraniteti, pra që ai të vendosë lirshëm, pa tundime, pa frikësime, në një proces sa më të drejtë dhe sa më transparent nga minuta e parë deri në atë të fundit.
E shohim të domosdoshme që më 14 maj populli në Shqipëri të votojë për t’ia kthyer vetes pluralizmin, i cili në këtë vend nuk ekziston më. Kthimi i pluralizmit në Shqipëri është sot zgjidhja e vetme që vendi ynë të hedhë hapin e parë drejt demokracisë, drejt ndërtimit të institucioneve të vërteta të demokracisë dhe drejt shtetit ligjor: ku ekzekutivi, legjislativi, drejtësia të jenë pushtete të pavarura nga njëri-tjetri dhe kontrolluese nga njëri-tjetri; ku mediat të jenë të lira e të pavarura dhe t’iu bëjnë opozitë të gjitha padrejtësive të kujtdoqofshin ato.
Me kthimin e pluralizmit, pra, kthehen edhe shpresat që Shqipëria të ketë demokracinë e saj, të ketë ekonominë e saj, të ketë shpresat e saj për t’u bërë vend i jetueshëm për të gjithë dhe që të jetë përparues për të rinjtë e të rejat e saj, ku ata të përmbushin veten e tyre, ëndrrat dhe karrierat e tyre në mënyrë të krahasueshme me vendet e Evropës. Vetëm kështu Shqipëria do të jetë simbol frymëzues edhe për shqiptarët në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Luginën e Preshevës, në gjithë hapësirën kombëtare dhe në Diasporë.
Mbi 90 për qind e mediave në shqip, përfshirë këtu portalet, të gjithë të nënshtruar nëpërmjet financimeve dhe formave të tjera korruptuese inkriminuese, e mbështetin- edhe në këtë fushatë- tërësisht shumicën që është në pushtet këto 10 vite dhe e denigrojnë tërësisht opozitën.
VOAL, pra, larg çdo konflikti interesi, vetëm për hir të demokracisë, për hir Atdheut e të kombit, do të pasqyrojë me ndershmëri dhe profesionalizëm fushatën. Linja botuese e VOAL.CH kërkon një Shqipëri me shtet të së drejtës, por në këto kushte ku ndodhet Shqipëria, imperativ bëhet largimi një orë e më parë nga pushteti i Edvin Ramës dhe Erion Velisë, i cili është vetëm një gur shahu në duart e uzurpuesit të të gjitha pushteteve.
Megjithatë VOAL.CH nënvizon faktin se pa një sistem zgjedhur të reformuar, ku vota e Sovranit të shkojë tek kandidati më i mirë, Shqipëria është duke rrëshqitur drejt një monizmi mafioz, ku shans kanë vetëm enturazhet klienteliste.
Në Shqipëri mungon elita kombëtare, që ve në planin e parë interesin kombëtar dhe atë publik, po ashtu gazetaria e politizuar nuk e vendos kurrë klasën politike në bankën e llogaridhënies, pra situata s’ka qenë kurrë më keq se sot.
Duke mos e parë si zgjidhje abstenimin, e vetmja rrugë mbetet pasqyrimi profesional dhe vendosja në të njëjtën balancë e karikaturave politike të grupit të Bashës, Alibeajt, Veliajt dhe Ramës.