Tri gra u vranë dhe tri të tjera u plagosën, brenda një harku kohor prej 35 minutash, në tre zona të ndryshme të mërkurën në Tiranë, nga dora e një njeriu të vetëm, Dan Hutrës, i cili u arrestua në mbrëmje, duke pranuar më pas dhe autorësinë e vrasjeve.
Gjithshka nisi pak pas mesditës, kur fillimisht ka shkuar në dyqanin e Marjana Gurakuqit, me të cilën kishte njohje të mëparshme. Pasi kjo e fundit ka refuzuar t’i japë para borxh, ai e ka plagosur atë me thikë. Gruaja nuk ka bërë denoncim në polici, por kanë qenë mjekët e spitalit që bënë njoftimin pasi ajo shkoi të merrte mjekim për plagët.
Rreth 20 minuta më vonë, Hutra ka shkuar në Kodër Kamzë në banesën e ish bashkëjetueses së tij, Elena Hysa, me të cilën ndarja kishte qenë problematike. Ai ka qëlluar me breshëri automatiku duke vrarë Mevlute Hysën 30 vjeçe, motra e Elenës, dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, e fejuara e vëllait të Elenës. Vetë Elena, ish bashkëjetuesja, dhe e ëma e saj Kujtimja, mbetën të plagosura.
Rreth 10 minuta më pas, duke udhëtuar më makinë, ai ka shkuar në zonën e Bathores në banesën e familjes Kurti, ku ka qëlluar dhe vrarë Etleva Kurtin 31 vjeçe. Vrasja e saj dyshohet të jetë bërë për qëllime hakmarrje, për shkak të konflikteve që mendohet se ka patur në burg me vëllanë e saj, një i dënuar përjetë.
Dan Hutra rezulton të ketë një të shkuar kriminale të pasur me vrasje, dhunë dhe vjedhje. Sipas policisë ai “është dënuar në vitin 2003, me 2 vjet burgim, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”; i dënuar në vitin 2009, me 16 vjet burgim për vrasje me paramendim të ish bashkëshortes; në vitin 2021 është arrestuar nga policia në Durrës, për vjedhje banesash dhe po në Durrës, është arrestuar në vitin 2022 për tentativë vjedhje banesash. Ndërsa në qershor të po këtij viti është arrestuar nga strukturat e Policisë së Tiranës, për dhunë në familje ushtruar ndaj ish-bashkëjetueses Elena Hysa, dhe ka dalë nga burgu më 16 shkurt 2023”.
Për ngjarjen reagoi presidenti Bajram Begaj, i cili i konsideroi vrasjet e tre grave dhe plagosjen e tre të tjerave si “lajme makabre”. Ai u shpreh se “fenomene të tilla të dhunës ekstreme apo të çdo lloj forme dhune ndaj grave nuk kanë vend dhe nuk mund të jenë pjesë e shoqërisë sonë demokratike, ku dinjiteti dhe jeta e njeriut janë vlera të larta dhe të pazëvendësueshme” shkroi zoti Begaj në një postim në Facebook duke dënuar “ashpër të gjitha ngjarjet e dhunës në familje” dhe duke “kërkuar që organet ligjzbatuese të veprojnë me forcën e ligjit. Një shoqëri ku gruaja vritet, dhunohet, keqtrajtohet, nënshtrohet, është një shoqëri që nuk duhet të pushojë së vepruari deri sa ky realitet të ndryshojë totalisht”.
Nga ana e tij ministri i Brendshëm Bledi Çuçi përgëzoi policinë “për arrestimin e një krimineli të regjur, që sot mori jetë të pafajshme në Kamëz”, ndërsa drejtoi gishtin e përgjegjësisë të drejtësia. “Një ngjarje e rëndë, që mund të ishte shmangur nëse autori do të ishte në burg nga sistemi i drejtësisë në të shkuarën për skendën e tij kriminale”, u shpreh zoti Çuci në një deklaratë.
Pas dënimit për vrasjen e kryer në vitin 2007, Hutra rezulton të ketë dalë nga burgu në maj të vitit 2021. Në harkun kohor të një viti, ai është përballur tre herë të tjera me organet e ligjit. Mbetet e paqartë se përse ai nuk është dënuar, ndonëse është arrestuar dy herë për vjedhje apo tentativë vjedhjeje banesash, aq më tepër nisur nga precedentët e tij të rrezikshëm. Në 8 shkurt të këtij viti ai u lirua pasi ishte arrestuar në qershor të 2022, pas denoncimeve për dhunë nga ish bashkëjetuesja. Duket se ai mund të jetë dënuar me jo më shumë se vit burg, apo të ketë përfituar dhe nga gjykimi i shkurtuar, por nuk janë bërë ende të qarta motivet dhe vepra penale për të cilën Gjykata e Tiranës mori vendim ndaj tij. E po ashtu i paqartë është dhe fakti, nëse gjykatësi i rastit ka mbajtur në konsideratë të shkuarën e tij, ku në qendër të krimeve kanë qenë po gra.
Nga ana e tij, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani, bëri të ditur, se ka urdhëruar “nisjen e verifikimit të rastit për të identifikuar, nëse ka, përgjegjësi disiplinore nga ana e magjistratëve”.