Në Tiranë, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shtyu për nesër në mëngjes seancën e zgjatur deri në mbrëmjen e të mërkurës për masat e sigurisë (detyrim paraqitje dhe ndalim të udhëtimeve jashtë vendit) ndaj ish kryeministrit Sali Berisha, i dyshuar dhe nën hetim për korrupsion.
Pas largimit nga salla e gjyqit të dy avokatëve të zotit Berisha, Gjykata caktoi një avokat publik mbrojtës për të përfaqësuar ish kryeministrin.
Por ndërsa këtij avokati iu dha kohë të njihej me aktet e gjyqësor, dhe procesi vazhdoi, Gjykata bëri të ditur se ishte vet Prokuroria e Posaçme SPAK, që kërkoi zëvendësimin e këtij avokati me një tjetër avokat publik për të siguruar një mbrojtje sa më efektive të zotit Berisha.
Me kërkesë të Prokurorisë, me qëllim garantimin e mbrojtjes efektive, Gjykata zëvendësoi avokatin Artan Simoni me avokat tjetër nga lista e avokatëve kryesisht dhe i la kohë të njihet me aktet”, thuhet në njoftimin e të mërkurës në mbrëmje të GJKKO-së.
Në seancën e sotme zoti Berisha u përfaqësua nga dy avokatë të tij, të cilët përsëritën kërkesën, që të përjashtohej nga procesi gjyqtarja Irena Gjoka për shpërdorim detyre.
Ata i kërkuan Gjykatës së Posaçme që t’i drejtohej për një interpretim Gjykatës Kushtetuese nëse masa “detyrim paraqitje” për rastin e zotit Berisha, i cili gëzon imunitetin e deputetit, është kufizim apo heqje e lirisë.
Gjykata rrëzoi kërkesat e dy avokatëve, të cilët u larguan nga salla, duke mos pritur vazhdimin e seancës për konfirmimin e masës së sigurisë.
Ish kryeministri Berisha dyshohet nga SPAK-u për korrupsion gjatë procedurave të privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani, me ndryshime ligjore si dhe vënien e institucioneve shtetërore në shërbim të dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, për të përfituar si një ndër ish pronarët e atij trualli.
Zoti Berisha ka cilësuar këto akuza si të pabazuara në prova dhe si sulme politike nga kryeministri Rama.
Nën dyshimet për korrupsion dhe pastrim të produkteve të veprës penale, Gjykata e Posaçme ka vendosur detyrim paraqitje për ndërtuesin Fatmir Bektashi si dhe arrest me burg për Jamarbër Malltezin.
Ky i fundit u arrestua të shtunën, ndërsa janë sekuestruar llogari bankare dhe objekte pasuri të tij në kryeqytet dhe në bregdet. Ata dyshohen për korrupsion dhe pastrim të produkteve të veprës penale.