Ish presidenti i Republikës dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, u arrestua sot me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ndaj zotit Meta SPAK-u ka kryer një hetim pasuror, dhe jozyrtarisht dyshohet për mosdeklarim pasurish, korrupsion dhe pastrim parash.
Ky hetim besohet se është shkaku i arrestit të sotëm, ndërsa ndaj tij ka edhe çështje të tjera hetimore si çështja CEZ-DIA.
Në mes të qershorit zoti Meta qëndroi për më shumë se tre orë përballë hetuesve në Prokurorinë e Posaçme. Nga deklaratat e tij u mësua se ishte pyetur rreth çështjeve që lidhen me pasurinë e familjes.
Ish presidenti Meta ka deklaruar se ai nuk është marrë asnjëherë me çështje pronash apo financash, çështje me të cilat është marrë, sipas tij, bashkëshortja Monika Kryemadhi, ndaj të cilës ka po ashtu një hetim pasuror nga SPAK-u.
Edhe për zonjën Kryemadhi sot SPAK-u vendosi masën detyrim paraqitje.
Drejtuesi i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi thotë për Zërin e Amerikës se arrestimi i zotit Meta ishte i pritshëm dhe në të njejtën kohë është një mesazh që i dërgohet klasës politike.
“Mesazh që nuk mund të ketë më individë të paprekshëm, mesazh që të gjithë politikanët duhet të trajtohen njëjtë edhe kur janë në opozitë, por edhe ata që janë në mazhorancën aktuale. Mesazhi tjetër është që në zgjedhjet e vitit 2025 duhet të kemi të paktën kandidatë me më integritet, me rekorde më të pastërta, qoftë financiare, qoftë me lidhje kriminale”, thotë zoti Krasniqi.
Ai shton se i ngelet drejtësisë për të dëshmuar nëse zoti Meta është apo jo fajtor.
“Është një proces që ka nisur prej vitesh. Është nën hetim për një akuzë, me të cilën nëse sot trajtohen një pjesë e madhe e politikanëve, të paktën një e treta e parlamentit do ta humbiste mandatin”, thotë zoti Krasniqi.