Grupe qytetarësh serbë në veriun e Kosovës u mblodhën të hënën të hynin në ndërtesat e komunave, në të cilat kryetarët shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit, hynë të premten mes tensionesh dhe nën përcjelljen e policisë.
Forcat e policisë së Kosovës dhe trupat e KFOR-it të drejtuara nga NATO-ja kanë shtuar praninë e tyre para ndërtesave të komunave. Në Zveçan policia hodhi gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Të premten grupe qytetarësh serb u përplasën me policinë e Kosovës e cila po ndihmonte kryetarët e rinj të tre komunave të banuara me shumicë serbe të hyjnë në zyrat e tyre. Zhvillimet e së premtes nxitën reagime të ashpra nga Beogradi, i cili ngriti shkallën e gatishmërisë ushtarake.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dënuan qeverinë e Kosovës për hyrjen me forcë në ndërtesat e komunave.
Të dielën në mbrëmje fuqitë perëndimore, Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian, paralajmëruan “të gjitha palët kundër kërcënimeve ose veprimeve të tjera që mund të ndikojnë në një mjedis të sigurt, duke përfshirë lirinë e lëvizjes dhe që mund të nxisin tensionet ose konflikt”.
Kryetarët e rinj të tri komunave të banuara me shumicë serbe, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, kundërshtohen nga serbët dhe përfaqësuesit politik të tyre, të cilët bojkotuan këtë proces zgjedhor.
Udhëheqësit e Listës Serbe, subjektit kryesor politik të serbëve të Kosovës, kërkuan të shtunën që Serbia të pezullojë të gjitha negociatat me qeverinë e Kosovës.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shtuar përpjekjet për të ndihmuar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi, nga frika e paqëndrueshmërisë së mëtejshme në Evropë, ndërsa vazhdon lufta në Ukrainë.
Kosova dhe Serbia u pajtuan në muajin mars në Ohër të zbatojnë një plan të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, por tensionet vazhdojnë të mbeten të larta.