Në Tiranë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi sot ish ministrin e shëndetësisë, Ilir Beqja, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, me koncensionin prej 100 milionë euro për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale në spitalet shtetërore.
Ish ministri socialist i shëndetësisë, Ilir Beqja, ishte prej shumë muajsh me statusin e personit nën hetim dhe paraqitej çdo të premte në SPAK.
Koncensioni afro 100 milionë euro në 10 vjet siguron instrumentat kirurgjikale të personalizuar, mjete njëpërdorimëshe kirurgjikale, trajtimin e mbetejeve biologjike dhe desinfektim të sallave kirurgjikale.
Ai u miratua nga ministria e shëndetësisë në dhjetor 2015, që shpalli fitues kompaninë SaniService, por afro 8 vjet pas kësaj, SPAK-u arrestoi në gusht 2023 sipërmarrësin e koncensionit në akuzën e mashtrimit, Ilir Rrapaj dhe ish-zëvendës ministrin Klodian Rrjepaj për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentash, ndërsa sot edhe ish ministri Beqaj u akuzua për shpërdorim detyre.
Ata dyshohen se kanë shkelur procedurat ligjore të dhënies së koncensionit, kanë toleruar shkeljet e njëri tjetrit, duke përshtatur dokumentat dhe treguesit spitalorë dhe financiarë me qëllimin e paracaktuar, që koncensionin ta fitonte shoku i vjetër i ish-zëvendës ministrit Rrjepaj.
Duke dalë nga sot SPAK-u, ku iu njoftua akuza e shpërdorimit të detyrës, ish ministri Ilir Beqja nuk foli për shkeljet e dyshuara ligjore në procedurat e koncensionit, por përsëri theksoi cilësinë e shërbimit që solli ai.
“Për fat të mirë, që nga fillimi i kontratës, 445 mijë shqiptarë janë operuar në kushte shumë të sigurta”, tha zoti Beqja. Ai nuk e ka pranuar akuzën, dhe sot tha sërish që do të përballej me të para gjykatës, ndërsa shtoi se SPAK-u nuk kishte hetuar vlerën e parasë dhe ndarjen e riskut privat në këtë koncension.
Por hetimet janë përqëndruar tek shkelja e procedurave ligjore, nga ka dalë se ish ministri Beqja ishte në dijeni të plotë të gjithë procedurave dhe dokumentave, dhe se ai ka lejuar të pasqyrohen në studimin e fizibilitetit të dhëna të rreme lidhur me kostot e projektit, mbi bazën e të cilave u zgjodh më pas koncensioni si më i favorshme se sa prokurimi publik.
Hetimet flasin për fryrje të shifrave në llogaritjet e kostove të sterilizimit, për të cilat ish ministri Beqja dyshohet se i ka toleruar dhe nuk ka ndërhyrë për t’i anulluar.
Zoti Beqaj dyshohet se nuk ka shmangur konfliktin e interesit që vinte prej miqësisë së hershme mes zëvendës ministrit Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj, të cilën hetuesit e provuan me një seri komunikimesh postare elektronike midis tyre.
Sipas gjithë gjasave dhe hetimeve, prej kësaj miqësie mes tyre erdhën gjithë tolerimet dhe shkeljet proceduriale të mëparshme, që kulmuan me fitoren e Rrapajt, i cili përdorte automjetet e institucionit dhe udhëtonte me autoritetet e ministrisë brenda dhe jashtë vendit.
Po ashtu hetuesit dyshojnë se ish ministri nuk mori masa për të vënë në punë Qendrën e re bashkëkohore shtetërore të sterilizimit, por ia kaloi atë koncensionarit. Ai dyshohet që nuk vlerësoi nëse funksionimi i asaj qendre do të ishte më me leverdi ekonomike se sa kontrata PPP.
Prokuroria e Posaçme sekuestroi në shkurt disa pasuri të biznesmenit Ilir Rrapaj, 40 për qind të aksioneve të kompanisë SaniService, dy kompani ku ai është aksioner, dy llogari bankare, 13 automjete dhe një apartament banimi.
Ndërsa ka hyrë në vitin e nëntë të tij, tashmë pritet të hapet procesi gjyqësor ndaj 3 protagonistëve kryesorë, bashkë me 6 nëpunës dhe ekspertë, në çështjen që Prokuroria e Posaçme e ka regjistruar në janar 2020, ku bëhej fjalë për shpërdorim detyre në bashkëpunim, shkelje të barazisë në tendera dhe korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë.