U shuajt sot në moshën 88 vjeçare, në Tiranë, shkrimtari i madh Ismail Kadare. Ai ndodhej në banesën e tij në Tiranë, kur papritmas është shembur në tokë pa ndjenja. Mjekët e urgjencës, të thirrur nga familjarët e tij, nuk mundën të bënin asgjë.
Kadare, konsiderohet si një nga kolosët e letërsisë shqiptare. Autor i dhjetëra romaneve, poezive dhe eseve, ai është ndoshta ndër shqiptarët më të njohur në botë, me veprat e tij të përkthyera në mbi 40 gjuhë të ndryshme e të botuara anembanë.
Nën regjimin komunist, letërsia ishte për të një mjet arratisje nga një realitet i mbyllur nga dhuna e diktaturës. Në vitin 1990, ai kërkoi azil politik në Francë. Një akt i cili, do të përfaqësonte një goditje të fortë për regjimin që ishte në frymën e fundit, e që do të shembej pak muaj më vonë, pas lëvizjes studentore të dhjetorit të po atij viti. Në intervistën e tij të parë nga Parisi, dhënë për Zërin e Amerikës, në atë kohë, Kadare do të theksonte se “asnjëherë kombi shqiptar, i gjithë kombi, nuk ka qenë kaq i emancipuar, kaq i ndriçuar së brendshmi kaq i lirë e kaq i prirur drejt demokracisë se sa në këtë fundshekulli. Ky është thelbi. Të tjerat, strukturat shoqërore, mekanizmat, legjislacioni, do t’i përshtaten me se s’bën këtij thelbi. Kam bindjen se më parë seç mund të mendojnë skeptikët dhe kritizerët, kombi shqiptar do të integrohet në familjen evropiane të kombeve, sepse ai s’ka patur kurrë tjetër familje e nuk mund të ketë kurrë tjetër familje jashtë këtij kontinenti”.
Në tetor të vitit të kaluar, gjatë vizitës së tij në Tiranë, presidenti francez Emmanuel Macron, ndërsa i jepte Kadaresë titullin Oficer i Lartë i Legjionit të Nderit, një nga medaljet më të rëndësishme të Francës, do t’i drejtohej shkrimtarit shqiptar duke i thëne se: “Ju kontribuat në zgjimin e madh të njerëzve që ngritën Perden e Hekurt. Ju e keni ndarë ekzistencën tuaj midis fjalëve dhe gjërave, njerëzve dhe gjërave. Nga tavolina e kafesë Rostand, lindën tekstet e përjetshme. Ju mund ta linit anijen të digjej, por nuk pranuat të braktisni një popull në duart e atyre që dogjën lirinë e tyre”.
Zoti Kadare, ka qenë disa herë me radhë kandidat për çmimin Nobel për letërsinë, ndërkohë që janë të shumta vlerësimet prestigjioze ndërkombëtare për veprën e tij, si Booker Prize në vitin 2005, apo Princi i Asturias në vitin 2009.
Ndër veprat më të njohura të tij veçohen “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, romani i tij i parë i botuar në vitin 1963, “Pallati i ëndrrave”, “Prilli i thyer”, “Kronikë në gur”, “Dimri i vetmisë së madhe”, “Koncert në fund të dimrit”, “Përbindëshi” apo dhe “Prilli i thyer”.
Reagimet
Në një mesazh ngushëllimi, Presidenti Bajram Begaj e cilëson shkrimtarin Kadare, një “kolos të mendimit dhe të penës”. Në postimin e tij në Facebook, kreu i shtetit shprehet se “Shqipëria dhe shqiptarët humbën sot gjeniun e tyre të letrave, emancipuesin e tyre shpirtëror, Ballkani poetin e miteve të tij, Evropa dhe bota ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne”.
Ndërsa kryetarja e parlamentit, Lindita Nikolla shkruajti se “me veprën që krijoi, Ismail Kadare, shkrimtari shqiptar më i madh i të gjitha kohrave, u ngjit në Olimpin e letrave shqipe. Me rrezatimin e përbotshëm të veprës së tij, Kadare e ngjiti letërsinë dhe kulturën shqiptare në majat e letërisë, kulturës dhe qytetërimit botëror.”
Në llogarinë e tij në Facebook, kryeministri Edi Rama, e quajti një “lajm të trishtueshëm, largimin nga mesi ynë të monumentit më të madh të kulturës shqiptare, i cili tanimë u ngjit në piedestalin e përjetësisë”.
Zoti Rama zgjodhi të ribotojë një mesazh që ai vetë kishte publikuar për datëlindjen e shkrimtarit, ku ai ndër të tjera vlerëson maksimalisht kontributin e Kadaresë për gjuhën shqipe ose siç ai e konsideron “monumentin fantastik që i ka ngritur… kësaj gjuhe të hatashme të cilën ne shqiptarët kemi fatin të flasim e të shkruajmë si gjuhë amtare”.