Kuvendi i Shqipërisë rrëzoi kërkesën e disa deputetëve opozitarë, mbështetës të ish kryeministrit Sali Berisha, për të hartuar një projekt-rezolutë mbi genocidin e forcave serbe kundër civilëve në Bosnje Hercegovinë.
Kërkesa ishte paraqtur dy ditë më parë në byronë e Kuvendit për ta përfshirë në procedurat parlamentare, por edhe aty ajo u refuzua.
Sipas rregullores së Kuvendit, nëse kërkesat e deputetëve nuk miratohen në byronë e Kuvendit, atëherë ato diskutohen si të tilla në seancë plenare me një diskutim pro dhe një kundër.
Ish kryeministri Sali Berisha tha në Kuvend se nisma synon nderimin e 8 mijë viktimave të Srebrenicës dhe solidaritetin me boshnjakët, një genocid i sanksionuar me vendime të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve të luftës në ish-Jugosllavi.
“Në rast se Ballkani sot ndodhet në këtë situatë dhe nuk ecën drejt Bashkimit Europian, një nga shkaqet më madhore është qëndrimi i gabuar i komunitetit ndërkombëtar ndaj Aleksandar Vuçiç, i cili është frymëzues i gjenocidit serb. Dhe, pa njohur gjenocidin Serbia, ky njeri është një Putin i vogël i gatshëm t’i ripërsërisë ato në çdo kohë” – tha zoti Berisha.
Por kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se Shqipëria e ka dënuar, e dënon dhe do ta dënojë genocidin e Srebrenicës, e njohur si tragjedia e Bosnjës, dhe ka mbështetur të gjithë vendimet dhe qëndrimet ndërkombëtare përkrah bosnjakëve.
“Masakra ndodhi më 11 korrik 1995 dhe Berisha është një nga ata që ka përgjegjësi direkte për një pjesë të turpit që mori Shqipëria atëherë. Genocidi serb në Srebrenicë nga ushtria jugosllave është ushqyer me naftë prej Sali Berishës” – tha zoti Balla.
Ai propozoi një seancë e jashtëzakonshme në Kuvendin e Shqipërisë të mbahet më 11 korrik, ku të përmendet gjithë historia, vendimet ndërkombëtare dhe ndikimi i autoriteteve të Shqipërisë nën drejtimin e ish presidentit Berisha.
Zoti Balla theksoi se kërkesa po rrëzohet për shkak të propozuesve dhe jo prej temës, që sjell. Deputetët socialistë votuan kundër kërkesës së mbështetësve të ish kryeministrit Berisha.
Ky i fundit e komentoi votimin e socialistëve si një “shkelmim mbi 8 mijë viktimat e Bosnjes dhe mbi jetën e dhjetë mijë shqiptarëve në Kosovë”.
Kryeministri Edi Rama reagoi në Twitter se “gjoja dështimi i një rezolute mbi Srebrenicën në parlamentin shqiptar” ishte një “lojë e ulët e një të shpalluri nga SHBA si i korruptuar dhe minues i demokracisë, që njihet botërisht edhe si thyerësi i embargos ndaj Sllobodan Millosheviçit”.
Zoti Rama tha se “Srebrenica nuk mund të jetë letër për bojën e katranit të Shqipërisë”, i cili, sipas tij, “kapet deri edhe pas kockave të viktimave të kasapit të Beogradit, për t’u ringjallur nga varri i tij politik”.
Në mbrëmje reagoi përmes Facebook-ut edhe presidenti Ilir Meta, duke e quajtur “tejet zhgënjyes” votimin në Kuvend.
“Jam tejet i keqardhur që deputetë të Kuvendit të Shqipërisë shtrembërojnë në mënyrë të pamerituar dhe nuk përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve shqiptarë, të cilët e kanë treguar me vepra se janë kundër spastrimeve etnike, dhe në mbrojtje të lirisë dhe dinjitetit njerëzor” – tha zoti Meta.
Prej shumë vitesh Shqipëria është ndër vendet e pakta që nuk ka miratuar një rezolutë për të dënuar genocidin serb në Srebrenicë.
Komentet