Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme zbuloi sot skemën e përdorur nga grupi i goditur një ditë më parë, nën dyshimet se organizonte kalimin e paligjshëm të shtetasve shqiptarë drejt Shteteve të Bashkuara, kundrejt pagesave disa dhjetra mijë dollarëshe. Hetimet për këtë rast, që çuan në arrestimin e 5 personaveve, mes të cilëve dhe dy punonjës të pikës kufitare të Hanit të Hotit, me Malin e zi, janë zhvilluar në bashkëpunim dhe me Shërbimin e Sigurisë Diplomatike, Zyrën e Hetimeve Kriminale jashtë SHBA-ve, me prezencë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, veprimtaria e grupit “dyshohet të jetë e mirë organizuar edhe në nivel transnacional, pasi kalimi i paligjshëm drejt SHBA-ve, rezulton të jetë kryer përmes shteteve Shqipëri-Itali- Spanjë-Meksikë-SHBA”. Hetimet kanë zbuluar deri tani se në qendër të këtij aktiviteti ishte një 56 vjeçar nga Malësia e Madhe, L.M., i cili krijonte kontaktet me personat e interesuar për të shkuar ilegalisht në Shtetet e Bashkuara. Në bashkëpunim me persona të tjerë, ai merrej “me prodhimin në kohë të shpejtë të dokumenteve të identifikimit të falsifikuar, prerjen e biletave të udhëtimit, apo dhe pajisjen me aparate celularë të rinj dhe numra telefoni sipas shteteve ku kryhet udhëtimi”.
Emigrantët e paligjshëm, rezulton se “kalonin kufirin shqiptar me pasaportën e tyre shqiptare dhe në aeroportet e Spanjës nga ku kryhej tranziti drejt Meksikës dhe me tej SHBA-ve, priteshin nga shtetas të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, të cilët i pajisin me dokumentin e identifikimit të falsifikuar. E gjitha kjo veprimtari kryhej për jo më shumë se 15-20 ditë dhe çdo person paguante një shumë nga 20 000 USD deri në 45 000 USD”.
Hetimet për këtë rast çuan në zbulimin dhe të përfshirjes së dy punonjësve të kufirit me Malin e Zi, një kontrollori dhe një përgjegjësi turni, në një tjetër aktivitet të paligjshëm, i cili, siç shpjegon Prokuroria e Posaçme “konsistonte në mos-regjistrimin në sistemet e Pikave të kalimit kufitar, të shtetasve shqiptarë, të cilët për arsye të ndryshme si, tejkalimi i afatit të qëndrimit në shtetet e BE-së; ndalimi i hyrjes në shtete të ndryshme për shkak të penaliteteve; ose në rastet kur shtetasit janë azilkërkues në vende të ndryshme, kërkonin të shmangin në mënyrë të paligjshme regjistrimin e kalimit në kufi”.
Të dy punonjësit e kufirit janë lënë me arrest shtëpie nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Për 56 vjeçarin nga Malësia e Madhe, i lënë në arrest me burg, dyshimet janë për disa vepra penale, që nga “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, te “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave dhe i vizave” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Ndërsa dy personat e tjerë po nga Malësia e Madhe, dyshohen për “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.