Në Tiranë, deputetë të opozitës i propozuan Kuvendit të shtojë në Kodin Penal ndëshkime me 3 dhe 5 vjet për këdo që kanos apo godet gazetarët dhe punonjësit e medias për shkak të detyrës.
Gazetarët shqiptarë janë të shqetësuar për aktet e përsëritura të dhunës dhe presioneve për shkak të raportimeve të tyre.
Gjatë vitit të kaluar u regjistruan 11 akte dhune ndaj gazetarëve, ndërsa edhe këtë fillim viti janë shënuar disa incidente të tjera kundër njerëzve të shtypit.
Në vitin 2021 u raportuan 6 raste dhune ndaj gazetarëve në Shqipëri, në vitin 2022 u regjistruan 11 akte dhune dhe në pak javët e para të këtij viti janë shënuar disa të tjera.
Një pjesë e madhe e këtyre ngjarjeve të dhunshme mbesin pa zbuluar dhe autorët pa ndëshkim.
Deputetja Ina Zhupa i propozoi Kuvendit, në emër të një grupi deputetësh opozitarë, dy shtesa nenesh në Kodin Penal për të dënuar me 3 vjet burg autorët e kanosjeve ndaj gazetarëve dhe 5 vjet burg dhunuesit e punonjësve të shtypit në krye të detyrës.
Dënimet e dhunuesve të gazetarit, që propozohen, janë të njëjta me ato ndaj dhunuesve të mjekut dhe policit në krye të detyrës, thtë zonja Zhupa.
“Në rastet e fundit të dhunës ndaj gazetarit të Report Tv, gazetarëve të programit Fiks Fare në Top Channel, apo gazetarëve të tjerë të cilët kanë marrë kërcënime nëpër celularë personal si dhe nga rrjetet sociale, për kanosje të ndryshme që ata kanë marrë, na çuan tek nevoja që ata duhen mbrojtur me masa shtesë, sepse po sulmohen për shkak të detyrës”, thotë zonja Zhupa.
Ajo thekson se raportet e organizatave ndërkombëtare theksojnë se liria e medias dhe kushtet e punës së gazetarëve në Shqipëri janë në përkeqësim, ndaj edhe nevojitet një reagim i shpejtë, duke shpresuar që edhe shumica socialiste të tregojë vullnetin e vet në mbështetje të lirisë së shprehjes dhe të punonjësve të shtypit.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë u shpreh pro kësaj nisme dhe çdo nisme ligjore që garantojnë dhe rrisin sigurinë dhe mbrojtjen e gazetarëve në detyrë,
Drejtuesi i Unionit, Aleksandër Çipa, thotë se situata aktuale e tyre është problematike.
“Për vitin 2022 janë mbi 11 raste, të cilat janë denoncuar edhe nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, të dhunës së ushtruar mbi gazetarët dhe ndaj gazetarëve, kryesisht ndaj reporterëve në terren. Konstatojmë me brengosje pasigurinë e reporterëve në zonat periferike të vendit, të cilat njihen si mjedise të mbizotëruara nga krimi dhe asetet kriminale. Agresiviteti i strukturave kriminale mbi reporterët për pasqyrimin e ngjarjeve dhe realizimin e raportimeve të thelluara është në rritje dhe kjo është një zhvillim shumë serioz”, thotë zoti Çipa.
Në radhët e gazetarëve kjo nismë e re e opozitës ka edhe skeptikët e vet. Gazetari i kronikës së krimit, Arsen Rusta, thotë se, sipas përvojave të mëparshme forcimi i masave ndëshkuese në Kodin Penal nuk ka pakësuar ato lloj krimeve dhe as ka shtuar dënimin e më shumë autorëve.
Problem kryesor, thotë ai, është se njerëzit e thjeshtë kanë humbur besimin tek shtypi dhe shpesh i shohin gazetarët si shtrembërues të fakteve.
Kjo përshtypje e përgjithshme, e nxitur nga zyrat e qeverisë dhe të partive, nuk bën dallime mes gazetarëve profesionistë ose jo, por i shtyn personat e prekur nga shkrimet që të ushtrojnë gjerësisht nga dhuna verbale, shantazh e në fund mbetet dhuna fizike.
“Kërcënime, presione, shantazhe, tentativë blerje dhe dajak. Dhuna fizike është e fundit dhe tregon që gazetarët u kanë rezistuar fazave të para. Nëse deri dje dhuna vinte nga banditët dhe nga grupet kriminale, sot është bërë masiv dhe vjen nga kushdo, që cënohet sadopak prej shkrimeve. Ashtu i ndodhi kolegut tonë në Lezhë Elvis Hila, i cili fatkeqësisht, u dhunua së bashku me bashkëshorten e tij në mes të qytetit, një lloj dhune, që ishte harruar prej vitesh. Sot e kësaj dite ata personazhe nuk janë kapur”, thotë zoti Rusta.
Përfaqësues të mediave sërish theksojnë nevojën për të ngritur mekanizma vetërregullimi dhe vetëmbrojtje brenda bashkisë së profesionit të tyre, të zbatojnë parimet dhe etikën profesionale, para se t’u lejojnë shtigje dhunuesve të tyre për presione, rryshfete apo goditje fizike.
Ata pohojnë se gazetarët së pari nevojitet të mbështesin njëri tjetrin përballë dhunës që u kanoset të gjithëve njëlloj, duke lënë mënjanë mospajtimet, dhe duke larguar nga radhët e tyre ata gazetarë që abuzojnë me detyrën.