Në Shqipëri, të dhënat e publikuara sot nga Policia shqiptare por dhe nga ajo italiane e cila edhe këtë vit kreu monitorim nga ajri të sipërfaqeve të mbjella me cannabis sativa, flasin për një rritje, për të dytin vit radhazi të kultvimit të bimëve narkotike.
Sipas Guardia di Finanza italiane, përgjatë 185 orëve fluturime, të kryera nga 1 qershori deri më 31 tetor, me nje avion të pajisur me teknologji të avancuar, janë vërejtur 1964 plantacione të dyshuara të mbjella me cannabis, dhe në to janë gjetur dhe shkatërruar më pas nga policia shqiptare mbi 58 mijë rrënjë. Vitin e kaluar, kur u realizuan 225 orë fluturime, u identifikuan 1109 plantacione dhe u shkatërruan 25.719 rrënjë.
Por për Drejtorin e Shërbimit të Bashkëpunimit ndërkombëtar të policisë, në ministrinë e Brendshme italiane, Gjeneral Brigade Giuseppe Spina, ndonëse ka një rritje karahasuar me një vit më parë “të dhënat janë dëshmi e qartë e ndërhyrjeve të ndërmarra në terren nga policia shqiptare në luftën e saj ndaj këtij fenomeni”, u shpreh Gjeneral Spina, duke ju referuar dhe faktit që gjatë vitit 2020, deri më 31 tetor “trafikimi i marijuanës drejt Italisë, shënoi një rënie të ndjeshme, me 36.7 përqind, duke zbritur në 910 kilogramë, nga 1.4 tonelata të nisura nga Shqipëria dhe të sekuestruara nga autoritetet italiane”, në vitin 2019 nga janari në tetor.
Përtej ndërhyrjeve në territoret e sinjalizuara nga monitorimi ajror, policia shqiptare nga ana e saj ka kryer asgjesimin dhe të bimëve të tjera. Në total, sipas asaj që bëri të ditur Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu, gjatë këtij viti “janë konstatuar e janë asgjësuar 137.216 bimë narkotike, nga të cilat 18.828 në kubikë, nërsa 1 vit më parë ishin asgjësuar 90175 bimë narkotike, nga të cilat 14886 në kubikë”.
Në dy vitet e fundit, kultivimi i cannabis sativa-s ka patur një tendencë në rritje. Pas shpërthimit që fenomeni njohu në vitin 2016, ai shënoi një rënie të ndjeshme duke kapur kuotat më të ulta në vitin 2018, kur Guardia di Finanza italiane identifikoi vetëm 27 parcela në një sipërfaqe prej më pak se 1 hektar, në të cilat u asgjësuan 675 bimë. Ndërsa në total, policia shqiptare njoftoi të kishte shkatërruar pak më shumë se 35 mijë rrënjë.
Vlorë, operacion masiv ndaj kultivuesve të narkotikëve, arrestohen punonjës të policisë
Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme njoftoi se arrestoi një oficer policie, efektiv të patrullës së përgjithshme dhe shpalli në kërkim një tjetër, ndërsa katër oficerë policie, përfshirë ish-shefin e Komisariatit të Himarës, janë pezulluar nga detyra dhe ndodhen nën masën e detyruar të paraqitjes në policinë gjyqësore. Masat ndaj policëve erdhën në kuadër të një operacioni të gjerë kundër kultivimit dhe tarfikut të narkotikëve. Më herët gjatë ditës së hënë policia e Vlorës tha se kreu një operacion masiv për prodhimin, shitjen dhe kultivimin e narkotikëve duke ndjekur penalisht 41 persona, 27 prej të cilëve janë arrestuar. Sipas policisë arrestimet janë shtrirë në disa zona, në Vlorë, Himarë, Gjirokastër dhe Fier. Personat akuzohen për “prodhimin dhe shitjen e narkotikëve” dhe “kultivimi të bimëve narkotike”, të kryera në bashkëpunim. Mes personave të proceduar janë edhe disa inspektorë pyjesh dhe kryepleq fshatrash të disa zonave rurale të Vlorës, të cilët po hetohen ndërsa ndodhen në “arrest shtëpie”, për veprat penale “shpërdorim detyre” dhe “moskallëzim krimi”, të kryera në bashkëpunim. Policia e Vlorës tha se periudha hetimore do të zgjasë gjashtë muaj. Krahas sekuestrimit të 120 kilogramëve bimë narkotike gjatë kontrollit të 41 banesave janë gjetur armë gjahu, dylbi, pistoleta sportive, etj. Vlora vijon të jetë një nga epiqendrat e kultivimit të narkotikëve në vend si dhe transportit të drogës drejt Italisë e Greqisë. Grupe kriminale shfrytëzojnë zona të thella për kultivmin e marijuanës, e cila më pas transportohet drejt Italisë me rrugë detare apo drejt Greqisë në rrugë tokësore.
Komentet